•Mbi gjashtë muaj para prologut•
Sapo dëgjoi zilen e telefonit, Anila e parandieu menjëherë, që dikush i kishte dërguar videon intime të asaj dhe Blerimit dhe tani ajo ishte e shpërndarë kudo në internet.Turpi ia torturoi më tepër gjendjen e brishtë emocionale dhe me duart në të dridhur, ndezi telefonin, shkoi në aplikacionin WhatsApp edhe pa mesazhin, që një numër i panjohur i kishte dërguar; videoja, që ajo kishte pritur, t'i vinte.
Lëshoi telefonin mbi krevatin me mbulesë gri në dhomën e saj dhe u shkreh në të qara. Tani nuk kishte më shpëtim. Nuk do dilte dot as në dritare nga frika se ndokush do ta filmonte dhe do ta tallte në rrjete sociale. Prindërit dhe e motra do merrin damkën e turpit, dhe ajo do humbiste edhe ata.
Duhej ta kishte vrarë veten me kohë. Të mos ishte ndaluar nga fakti se prindërit do rrënoheshin, po t'iu vdiste edhe një fëmijë dhe Visara kishte nevojë për dikë, që t'i ishte në krah. Tani ata do donin, që Anila më mirë të mos kishte ekzistuar fare, sesa të kishin përjetuar një skandal të tillë prej saj.
- Ania!
Ajo e injoroi zërin e largët të Visarës nga korridori dhe mori frymë me dihatje.
- Ania?
E motra hyri në dhomën e saj dhe Anila fshiu menjëherë lotët në fytyrë.
- Ania!
Anila u ngrit e tromaksur nga gjumi dhe vështroi me sytë e shastisur Visarën të ulur në skaj të krevatit.
Ajo u step menjëherë pas e frikësuar nga shikimi mprehtësisht i vrazhdë i syve ngjyrë kafe kanelleje të mbyllur të së motrës.
Anila ktheu kokën nga telefoni mbi komodinë dhe e mori, ta kontrollonte për ndonjë njoftim me lutjen nëpër dhëmbë, që ai mesazh në Whatsapp, i cili përmbante atë video, të kishte qenë në ëndërr dhe jo një ngjarje e ndodhur në të shkuarën e afërt, por që asaj nuk po i kujtohej për momentin, të ishte realizuar.
I kishte ardhur mesazh vetëm nga eprorja në punë, e cila i rikujtonte orarin e takimit në kompani, në orën 13:30.
La telefonin rëndshëm mbi komodinën e zezë dhe lëshoi kokën pakëz e lehtësuar mbi jastëk. Kishte qenë ëndërr. Dhe për disa kohë kishte shpëtuar.
- Ç'është? - pyeti akullt Visarën, me sytë e mbyllur dhe fytyrën nga muri.
- Po shkoj te patinazhi. Mendova se mos doje të vije dhe ti.
- Jo. - Anila tha prerazi, që të mos mendonte më tepër, se pse nuk shkonte dot më aty dhe të qante në sy të Visarës.
- Po për në punë, do bëhesh gati? Po shkon ora njëmbëdhjetë. Ke një event, ku duhet të jesh e pranishme. - vuri në dukje ajo.
- Po. - Anila u përgjigj hidhur dhe u kthye nga dritarja, për të fjetur sërish.
- Ania, a e di se sa dëm të bëjnë kaq shumë orë gj...
- Visarë, më lër rehat! - ajo ngriti zërin e acaruar dhe e motra u ngrit, duke shfryrë nga krevati.
- Je bërë kaq noksane! - Visara vërejti e indinjuar nga sjellja e saj, që pas vdekjes së vëllait të tyre, Amarildos. Po çmendej më tepër vetë nga depresioni i saj, sesa Anila, që ishte në atë gjendje. - Dil me ndonjë shoqe dhe ndrysho pak ambient! Do kalbesh brenda tërë kohën.
YOU ARE READING
Rrënoja prej Vjeshte
General FictionKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...