Përplasja e diçkaje në dritaren e dhomës së saj, e zgjoi të trembur Anilën me frymën e mbajtur nga frika dhe u ngrit, për të parë se çfarë kishte qenë.
Vendosi pëllëmbën e dorës së djathtë mbi krevat dhe shikoi tutje, por nuk dalloi asgjë të pazakontë, që mund t'i vinte në ndihmë, për të kuptuar. Do kishte qenë ndonjë shpend, hipotezoi më tepër, për të mos e vrarë mendjen më gjatë dhe anoi sytë shumë më e lodhur nga gjumi, sesa e çlodhur drejt derës së kyçur.
Në kokë i jehoi kërkesa e Visarës, për t'u zgjuar, pasi dikush shumë i rëndësishëm për të, sipas saj, kishte ardhur, për ta takuar dhe më pas e qara e të motrës.
Do kishte qenë ëndërr. Kush të kishte ardhur? Ajo, shumë të rëndësishëm, përveç prindërve dhe Visarës, konsideronte vetëm Sidorelin dhe Brunildën, edhe nuk e besonte se do kishte ardhur njëri prej tyre. Në historinë e jetës së të parit, e kishte mbyllur rolin e saj si ish-e dashura, që kishte luajtur me të, ndërsa të asaj të dytës, shoqja e rreme, që e kishte braktisur për një burrë.
Ëndërr do kishte qenë, ëndërr. Si të kishte hyrë Visara në dhomën e saj, kur të gjithë çelësat i kishte ajo?
Mori lidhësen e zezë të flokëve dhe i kapi ato shkujdesur tub pas koke, largoi batanijen dhe me peshën e trupit të dobësuar ndjeshëm, por që ajo e ndiente edhe më rënduese, veshi pantoflat e bardha, mori çelësin nën jastëk, la thikën aty dhe iu drejtua derës, për ta hapur. Në korridor dëgjoi Visarën duke kënduar brenda tualetit. Trokitja dy herë e Anilës e ndërpreu atë.
- Visara!
- Shko në sallon! - tha menjëherë ajo. - Tani po vij.
Anila psherëtiu dhe eci ngadalë drejt sallonit.
Personi i ulur në divan me flokët e shkurtër të zinj deri mbi supe, veshur me këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza klasike, duke parë televizor, ia hapi sytë më tepër nga shastisja, që në ato momente nuk po shikonte ëndërr edhe hyri në po atë gjendje shoku në sallon.
Brunilda brofi menjëherë në këmbë, sikur dikush ta kishte shtyrë pas shpine, që të ngrihej dhe e frikësuar, që Anila do i hidhte ndonjë shishe në ajër drejt kokës, duke i bërtitur se ku e kishte gjetur guximin, t'i shkonte në shtëpi, vërejti ndryshimin e thellë të saj; e gjithë drita ndriçuese, që ajo pasqyronte dikur, tani ishte zbehur dhe Anila ngjante me një të mbijetuar nga depresioni.
Ajo la ngjyrën e syve të shkëlqente më tepër nga lotët, këta të fundit të shëtisnin të lirë nëpër fytyrën e saj, derisa të thaheshin si djegia e kometave të rëna në atmosferën e Tokës, këmbët të ecnin me hapa të shpejtë drejt Brunildës dhe krahët ta përqafonin pa lejen e saj atë.
- Ida! - qau më tepër, kur ajo i ktheu përqafimin, ndieu sërish rehatinë e ofruar vetëm nga shoqja më e ngushtë dhe e shtrëngoi fort, për të mos e lëshuar.
Brunilda peshoi kokën mbi supin e saj dhe mbylli sytë, të ndiente plotësisht të gjithë paqen e munguar në tërë ato vite nga prishja e miqësisë me të dhe që Anila akoma e donte.
- Ida, më vjen shumë keq! - Anila u shkëput nga ajo dhe përdori kurrizet e gishtërinjve të mëdhenj, për të fshirë lotët e pareshtur nëpër fytyrën e dobët me mollëzat e vëna më në pah. - Kujtoja, se po të ndihmoja për mirë, duke u përpjekur të të ndryshoja; nuk e vura re, që po ndodhte e kundërta.
VOUS LISEZ
Rrënoja prej Vjeshte
Fiction généraleKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...