Granit Vitori e kishte refuzuar ofertën e Albionit, që të pritej prej tij në aeroport, pasi fillimisht do takohej me shokun e vet të ngushtë, Pavlin Danin, dhe prandaj po shkonte te bari i këtij të fundit. Mbase ai dinte ndonjë gjë rreth ndalimit të Granitit në aerorport dhe do t'i jepte ndonjë ide, se kush mund të fshihej pas asaj ndodhie.
Ai u vërejt në murin prej xhami të barit, para se të shkonte brenda ndërtesës dhe iu drejtua hyrjes, por ndaloi ngjitur saj nga dridhja e telefonit në xhepin e djathtë të xhinseve ngjyrë blu të çelët dhe pa, që po i telefononte një numër i paregjistruar.
- Alo! - u përgjigj me një zë prej personi të distancuar dhe jomiqësor, ndërsa shikonte sytë e tij blu qartësisht të thellë dhe gjykues në dukje në xhamin e pastër, pallton e zezë dhe fanellën ngjyrë blu të errët me nuancë të lehtë të gjelbre të mbyllur, si dhe atletet e bardha.
Kishte menduar të vendoste orën me rripa të zi, por ishte bindur për atë me zinxhir të argjendtë, të cilën e kishte blerë me rrogën e parë të fituar dhe që atëherë rrallë e kishte zëvendësuar me një tjetër.
Luftë e potere kishte bërë me të atin për të. Ardiani i thoshte gjithmonë argumentin, se zinxhiri i ftohte dorën dhe do sëmurej, por Graniti nuk kishte lëshuar asnjëherë pe, për të hequr dorë përfundimisht nga ora.
- Përshëndetje! - zëri i gruas nga ana tjetër e telefonit i erdhi i qetë dhe i shtruar. - Ju marrim nga kompania Reinfleks dhe duam t'ju lajmërojmë, që numri juaj është përzgjedhur përfitues i ofertës 50% ulje në produktet tona.
- A shitni dyshekë? - pyetja i foli Granitit në formë të papretenduar tallëse.
- Po, zotëri. - vazhdoi me po të njëjtin ton të foluri punonjësja e kompanisë. - Keni mundësi, ta dëgjoni përmbledhjen e ofertës për ju tani?
Graniti formoi një të ngërdheshur tallëse, para se të fliste sërish.
- M'ardhsh edhe ti me dyshekun, po ju marr të dyve. - tregoi kushtin përfundimtar të tij me ton dukshëm ngacmues zëri dhe si përgjigje mori mbylljen e telefonit nga e panjohura.
Ai qeshi me supet në ulje-ngritje të vogla nga ajo telefonatë, futi telefonin sërish në xhep dhe hyri në bar.
Kishte menduar, se me largimin nga aeroporti "Nënë Tereza", i kishte lënë pas ngjarjet e papritura, por prania e Leonorës, e ulur vetëm tre tavolina më tutje, me duart e vëna mbi tavolinën e zezë, flokët e kuq të njëjtën ngjyrë si të tijat të lidhura tub pas koke dhe e veshur me golf, kambale dhe pantallona të zeza, ia doli ta zinte të papërgatitur dhe t'i merrte vështrimin e hutimit nga takimi i paplanifikuar me atë të njohur.
Motra e tij, nëntë vite më e vogël se ai kishte bllokuar çdo kontakt me të dhe në telefonatën e fundit para dy viteve në ditëlindjen e tij, më 9 prill, ia kishte ripërsëritur kategorikisht, që ai nuk kishte më asnjë të drejtë, për të kërkuar të fliste me të pas gjithçkaje, që kishte ndodhur midis tyre, i kishte bllokuar Granitit edhe atë numër dhe ai nuk ishte përpjekur më, që të komunikonte me të.
Leonora reagoi fill në të njëjtën mënyrë dhe shikoi e dalldisur me mosbesim, që vërtet ndodhej Graniti te pragu i barit dhe nuk po i bënin sytë, edhe uli menjëherë shikimin e trandur mbi tavolinë.
Gjunjët bashkë me duart filluan t'i dridheshin dhe forca po e braktiste. Kishte përshtypjen, se do t'i binte të fikët nga ankthi, që e kishte mbërthyer keqazi dhe po ia zinte frymën.
ESTÁS LEYENDO
Rrënoja prej Vjeshte
Ficción GeneralKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...