"Uou!" - Blerimi shtangu, me të mbyllur derën e dhomës së tij dhe hedhur sytë nga hyrja e shtëpisë.
Xhuliana po hiqte atletet, ndërsa mbante flokët e lyer me blu të errët dhe rozë gjithashtu me dorën e majtë pas shpine.
Ai po fillonte të dyshonte, se motra e tij dy vite më e rritur vërtet po fshihte diçka, që i kishte ndodhur në Tiranë dhe kjo ishte arsyeja, se pse ajo kishte lënë universitetin në mes, për ta vazhduar vitin e tretë në Arkitekturë vitin e ardhshëm akademik dhe jo justifikimi, që kishte nevojë për ta bërë pushim atë vit, që të qetësonte mendjen, sepse ndihej tejet e stresuar nga shkolla dhe pas një viti pezull do e merrte veten.
- Të shkojnë, - Blerimi komplimentoi seriozisht ngjyrën e flokëve dhe modelin e tyre të ri me balluke të njëzet vjeçares, sepse po ta pyeste, pse i kishte lyer, kur Xhuliana kishte marrë gjithmonë krenari në flokët e saj të zinj e të dendur, e dinte, që do niste debat me të dhe fitoi një shikim shpërfillës prej saj, veprim totalisht i pazakontë nga ajo.
- Çfarë iu ke bërë flokëve, moj? - Alma nga ana tjetër, që ishte dyzet e pesë vjeçe dhe kishte të njëjtat tipare fizike si e bija uk u kursye aspak në dhënien e mendimit të saj, pa e shqyrtuar fillimisht në heshtje, nëse duhej ta thoshte, apo jo.
- Çfarë kam dashur, - as Xhuliana nuk e mori fare mundimin, që ta fshihte ironinë ndaj mamasë së tyre, e cila po e ndiqte me sy të çapëlyer nga pragu i kuzhinës, ndërsa e bija hynte në dhomën e vet dhe Alma shikoi për ndihmë Blerimin, që të sqarohej nga ai, se çfarë po ndodhte.
Vajza kishte kohë, që rrinte e zymtë, por nuk tregonte se kishte probleme, të cilat nuk po i zgjidhte dot dhe kishte nevojë dëshpërimisht për ndihmën e dikujt.
Blerimi shfryu i frustruar dhe hyri në dhomën e vet gjithashtu. Xhuliana kishte që në nëntor, që sillej çuditshëm. Nuk bënte shakatë klasike të saj, nuk përqafonte një herë në dhjetë minuta të ëmën, kur kthehej në shtëpi nga universiteti, nuk trazonte të vëllanë, kur ky i fundit përdorte telefonin dhe ajo s'i shqitej, sikur të ishte betuar, që të mos largohej prej tij, pa e bërë telef nga nervat dhe gjithnjë e më rrallë po dilte nga dhoma e saj. Ndiente mall për gjallërinë dhe anën humoristike, që ajo kishte pasur. Pse ishte shndërruar në njeri kaq të mbyllur?
- Mama, a ka mundësi të dalësh nga dhoma ime?
Zëri lartësisht i vrazhdë i saj, i tërhoqi vëmendjen dhe doli në korridor.
- Por do mbytesh tërë kohën brenda, - ai dëgjoi argumentin e Almës, ndërsa ai shkonte në dhomën e Xhulianës. - Dil dhe merr pak ajër jashtë!
- Nuk dua ajër! Nuk dua asgjë! - bërtiti Xhuliana. - Pse nuk më lë rehat?
- Çfarë ke? - i vëllai shtyu derën me zhurmë dhe shikoi ashpër në mënyrë qortuese të motrën, që i kishte bërtitur mamasë së tyre. - Ule zërin, se nuk ta ka kush frikën!
Xhuliana u ktheu shpinën dhe mori frymë thellë, që të qetësohej me fytyrën nga dritarja.
- Ç'është kjo sjellje e jotja këto kohë? - vërejti hidhur Blerimi. - Mos ke vrarë njeri?
"Sikur!" - mendoi Xhuliana në përlotje. - Dilni jashtë! Do ndërrohem. - tha vrazhdë ajo.
- Eja, dalim! - Alma i preku krahun e trishtuar nga gjendja e saj dhe Blerimi iu bind.
YOU ARE READING
Rrënoja prej Vjeshte
General FictionKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...