Një vrundull terrori e mbërtheu Leonorën të tërën për fyti, sikur sapo të ishte ndeshur me vdekjen dhe jo të kishte parë Granitin përmes syrit magjik të derës kryesore të shtëpisë së saj.
Të bisedonin ishte gjëja e fundit, që ajo dyshonte, se ishte arsyeja e vizitës së tij. Të takonte Albionin, ishte e parafundit. E para qëndronte dyshimi, se ai e kishte zbuluar për Blerimin dhe kishte ardhur të sqarohej me të, pasi kishte hequr qafe përfundimisht Blerimin.
Nëse do kishte pasur bindjen, që do ishte e sigurt, po të mos e hapte derën, nuk do e kishte bërë kurrsesi atë veprim, por, duke e ditur se kështu nuk do mund të shmangej për tërë jetën, me zemrën tek i rrihte, sikur të ishte duke marrë pjesë në një garë me makina sportive, e pranonte se duhej të hapte derën dhe të përballej me të vëllanë.
Pastaj ishte dhe lidhja e gjakut midis tyre, e cila e shtynte drejt Granitit, duke i shkaktuar një nevojë thelbësore për mirëqenien e vet, që të takohej me të vëllanë, të flisnin qetësisht dhe të kalonin disa minuta kohë së bashku si familjarë. Kishte të njëjtën ndjesi dhe ai ndaj saj vallë?
Ndoshta po gabohej ajo dhe Graniti nuk dinte asgjë për të dhe Blerimin. Edhe sikur të ishte në dijeni dhe Albioni ta kishte zbuluar gjithashtu, Leonora do ta mohonte deri në fund, megjithëse e dinte, që nuk do ia merrte njeri fjalët për bazë. Ata nuk do donin t'ia dinin fare, që s'kishin prova. Do këmbëngulnin se dyshimet e tyre të pavërtetuara ishin të sakta, sikur këto të fundit të ishin aksioma.
Ajo ngurtësoi fytyrën dhe me shikim të rëndë doli përpara Granitit. Ai e vështroi i lodhur nga shmangia e saj dhe kuptues, që Leonora ishte vonuar qëllimisht, për të mos e hapur derën, ngaqë ishte ai.
- Domethan deri qtu erdhëm, - vërejti i zhgënjyer nga të dy.
Leonora heshti në dilemë, për t'i kthyer fjalë, apo të mundohej e qetë, ta largonte sa më parë, pa krijuar debat midis tyre.
- Albioni nuk asht ktu, - tha me ton strikt në pritje, që Graniti të ikte dhe ajo të mbyllte derën.
- E di, - ai hyri brenda pa leje dhe mbylli derën pas vetes.
E motra ndoqi çdo veprim të tijin në heshtje, pa mundur të reagonte nga shtrëngimi gjithnjë dhe më i padurueshëm në fyt.
- E pashë, kur doli prej pallatit. Po unë erdha me fol vetëm me ty.
- E kena ba iher diskutimin për qët punë, Granit. - kundërshtoi Leonora më vrazhdë nga ç'kishte dashur.
- Ngjo! - ai e vështroi butësisht, ashtu si zëri, që po përdorte. - E di se nuk kena pas t'kalume t'mirë bashkë edhe për ata kam ardh, me ndryshu çdo gja.
Ajo vetëm e shikoi neutrale në heshtje për disa sekonda në shenjë përgjigjeje ndaj kërkesës së tij.
- A supozohet me qesht unë tashi me kto fjalë? Se s'po e kuptoj. - pyeti me ironi dhe Graniti anoi sytë i lodhur. Dukej, që do i duhej të përpiqej më tepër.
- Nuk asht e drejtë me ma hedh krejt fajin mue, Norë! Ti nuk e di se ça kam hek unë.
- Oh, bukur! Tani fillove viktimizimin. - qeshi hidhur ajo. - A ke hek gjâ prej meje?
ESTÁS LEYENDO
Rrënoja prej Vjeshte
Ficción GeneralKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...