57• Po Shtiresh?

203 15 14
                                    

    Visara mbërtheu dorezën e ftohtë ngjyrë bronzi të derës së dhomës së Anilës me gishtërinjtë e dorës së djathtë dhe u sul, të hynte brenda, akoma pa e ulur plotësisht dorezën, por përfundoi e mbledhur kruspull ngjitur derës së mbyllur.

    - Oh! - u gëzua, që ajo nuk ishte hapur, sepse kishte harruar të trokiste.

    - Hyr! - dëgjoi zërin e Anilës nga ana tjetër e saj dhe hapi derën, për të gjetur të motrën mbi krevat me laptopin e hapur përpara, e veshur me kostum sportiv të zi.

    Ajo i hodhi mbi krevat pakon e biskremave me mollë, që kishte blerë për të dhe atë të kikirikëve.

    - Harrova, të t'i jepja dje, - mbylli derën dhe iu afrua krevatit. - Po dal unë. Të të blej gjë?

    - Jo, - Anila mori pakon e biskremave dhe e hapi. - Ku po shkon? - i zgjati pakon Visarës dhe ajo mori dy.

    - Do dal me Eridën; shoqja, që të kam thënë se punon te ju. Ka marrë një thikë pas shpine para dy ditëve. Është shumë e mërzitur.

    - Çfarë ndodhi? - Anila pyeti më tepër mekanikisht, ndërsa po shkruante në laptop përshkrimin e një produkti të kompanisë, që po përgatiste, ta postonte në adresën e saj të Instagramit, sesa ishte vërtetë e interesuar, për të ditur rreth atij kapitulli në jetën e Eridës.

    - Kishte dëgjuar shoqen e shtëpisë, me të cilën ndan qiranë këtu në Tiranë, duke folur me një të afërme të vetën në video-telefonatë. Kishin folur keq për të, ngaqë është pak si tepër introverte kjo, njeri i urtë. Sikur ka qenë ajo Brunilda jote.

    Anila u gllabërua nga fundosja e stomakut, me të dëgjuar emrin e ish-shoqes së ngushtë dhe pesha e fajit ndaj saj iu rëndua më tepër në zemër.

    - Nuk e kuptoj se pse gjykohen kaq shumë tipat e tillë, - tha Visara. - Unë ku ta gjej, të kem një introvert në shoqëri, i qetë, i matur, nuk hidhet një e dy veç në lëvizje, sikur ta kenë kapur krizat nervore. Më ka parë Zoti me Danielin. Ektrovertët s'janë fare preferenca ime. Më pëlqejnë, që thyejnë akujt midis të huajve në biseda, por energjia e tepërt ma shteron fuqinë. Ti, Anila, ke qenë plotësisht e tillë, por ke rënë këto kohët e fundit. Rrallë ka pasur njeri, që e përballonte energjinë tënde. U vije flakën shpirtrave të njerëzve, që shoqëroheshin me ty.

    Anila e urdhëroi me vështrim të rreptë, që të mbyllte gojën.

    - Ndoshta prandaj hoqi dorë Brunilda nga shoqëria juaj, - vazhdoi Visara të fliste troç, sikur e kishte në natyrë. - Ti ke kujtuar, se ke qenë duke ia ndriçuar jetën me dritën tënde, ajo, ndërkohë, paska qenë duke u djegur, por ti nuk ke vënë re asgjë.

    - Visarë! - Anila mbylli sytë e drobitur nga ajo anë acaruese karakteri, që e motra kishte dhe psherëtiu, para se ta shikonte në sy. - Nuk është mirë, ta thuash gjithmonë të vërtetën sëpatë, siç është. Kamufloji ndonjëherë fjalët! Ndryshe do krijojnë njerëzit përshtypje negative për ty dhe nuk do dojë kush, të të ketë në shoqëri.

    - Foli eksperienca, - e shpotiti ajo. - Si është Sidoreli njëherë? Si shkoni?

    - Mirë, - iu shkri zëri Anilës, me të dëgjuar emrin e tij dhe buzët iu përkulën në të qeshur.

    Visara ia dha të qeshurës nga gjendja e saj.

    - Përfito nga rasti, përfito! - shkundi kokën hakmarrëse Anila.

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now