Si dikush, që sapo i kishte shpëtuar mrekullisht luftës për mbijetesë kundër një kopeje ujqërish dhe akoma po vraponte e ndjekur prej tyre në një pyll të dendur në prag muzgu nëpër dëborë; një djesi e tillë, e cila kishte mundur t'ia burgoste zemrën Leonorës në qelinë e akullt të frikës, nuk po e lejonte atë, që të pushonte e qetë, për të marrë veten.
Anila Idrizaj.
Ai emër i ishte skalitur në qendër të mendimeve dhe truri krijonte lloj-lloj imazhesh, se si mund të dukej personi në fjalë, për të cilën Leonora kishte thënë, që nuk ekzistonte.
Ishte mbuluar me çarçaf të bardhë dhe e gjysmëngritur te kreu i krevatit në dhomën e gjumit me perdet e mbyllura, po rrotullonte telefonin e saj në duar mbi bark dhe përpilonte idenë, që të kërkonte për Anilën në internet.
Ankthi, nga çfarë do të zbulonte, ia shtonte ngurrimin, për ta ndezur telefonin. Duhej ta bënte një kërkim të tillë, ishte në dijeni se ajo ishte rruga e duhur, për t'u ndjekur. Bëhej fjalë për një krim fatal ndaj një të pafajshmeje dhe nuk mund t'i mbyllte sytë para një padrejtësie të tillë. Ndoshta kishte gabuar në intuitën, që Diana kishte qenë duke gënjyer dhe në të vërtetë Blerimi ishte fajtor.
Po sikur të ishte ashtu? Gjatë gjithë asaj kohe ajo kishte dashur një përbindësh? Duart, që e kishin prekur në shërim shpirti atë, kishin qenë pikërisht ato, që i kishin vrarë shpirtin për së gjalli një gruaje tjetër? Buzët, që kishin rimëkëmbur trupin e saj, kishin qenë po ato, që kishin rrënuar në çdo qelizë trupin e një tjetër femre? Ndërkohë që vetë kishte shijuar jetën në zenit gjatë atyre muajve falë Blerimit, një grua në anën tjetër të botës kishte qenë e burgosur nën traumën e shkaktuar prej tij? Se në ç'gjendje të rëndë do ishte katandisur Anila, Leonora nuk kishte aspak nevojë, që ta merrte me mend, sepse kishte qenë dhe vetë në një situatë lemerie të tillë.
Ndoshta Anila kishte rënë në dashuri dhe ishte shëruar.
Por a ndodhej vërtet një kriminel aq i lig në të njëjtën shtëpi me Leonorën në ato çaste?
Sytë rrezikuan t'i shkreheshin në të qarë asaj, me t'u hedhur ajo hipotezë si e saktë. Do rrënohej plotësisht, nëse vërtet kishte gabuar në lidhje me Blerimin, por do ishte më e drejtë, që të përjetonte atë lloj rrënimi, sesa të pësonte të njëjtin fat si Anila, dikush tjetër, apo dhe fëmija i saj i ardhshëm të binte në po atë kurth si ajo.
Leonora ndezi telefonin, shkoi në Google dhe shkroi "Anila Idrizaj".
Me duart e ngrira dhe ndjesinë therëse të ngurtë nëpër to lexoi informacionet e treguara: një adresë publike Instagrami me emrin e përdoruesit @anila.idrizaj , e cila kishte 30,3 mijë ndjekës, 2387 llogari duke ndjekur dhe 3045 postime.
Afroi gishtin, që të prekte adresën për në Instagram, për të parë fotot, e shtyrë nga argumenti se ndoshta Anila ishte ndonjë personazh libri apo filmi, të cilin Diana e kishte thënë në bisedë e sipër, me mendimin se ajo dhe Blerimi nuk do e njihnin, prandaj nuk kishte pse të dridhej e panikosur, që po largohej nga bregu i sigurt dhe po futej në detin e thellë të trazuar.
Fotoja e profilit të asaj llogarie në Instagram i përkiste një gruaje të vërtetë dhe jo figure animacioni, dhe në bio ishte shprehja "Live the now". Leonora shkoi menjëherë te fotoja e fundit, që Anila kishte hedhur, e veshur me fustan të gjatë ngjyrë rozë jargavani pa mëngë dhe me dekolte pakëz të hapur, shpinën të mbështetur në derën e mbyllur të një makine të bardhë, bërrylat mbi xham, kokën të anuar pas e buzëqeshur me fytyrën nga dielli, flokët e gjatë ngjyrë bajame në të çelët të lënë lirshëm dhe sytë i kishte të mbyllur. Ajo foto ishte publikuar mbi tri vite më parë dhe poshtë saj ndodhej shënimi "Happy inner child 💗".
YOU ARE READING
Rrënoja prej Vjeshte
General FictionKur kërcënohet, që të heqë dorë nga jeta e vet spontane për shkak të një sekreti të pazbuluar në kohën e duhur, Anilës nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të luftojë edhe në mënyrë të padrejtë, për të mbrojtur atë zonë rehatie të të jetuarit. Versione...