Sqarim i vogël
Fabiola nuk e ka vrarë nënën e Arvelit, thjesht veprimet që pati bërë në të shkuarën u bënë shkas për vdekjen e saj (pa dashur). Gjithsesi kjo gjë do përmendet më vonë më me detaje.-Nëse ai nuk vjen brenda pesë minutave, atëherë do largohem. Kam një mal me punë për të bërë.
-Hë pra Fab, mos u bëj kaq e paduruar. Ja, tashmë duhet të ketë arritur. Aty jashtë duhet të jetë.
Rrotullova sytë e psherëtiva kur dëgjova atë "duhet". Ç'stil të këndshëm kishte ime më për të më thënë "rri aty e mos ma prish terezinë."
-Ja pra, të thashë, ja ku është.
E painteresuar për të parë Bredin, ula vështrimin te pjata ime e po përpiqesha të kuptoja se ç'dreq gjërash më kishin vendosur atje. Kështu ndodhte gjithmonë kur s'e porosisja vetë atë që do haja.
-Na falni për vonesën. Kishte shumë trafik.
Ai u ul në karrigen përballë meje, por ashtu kokëulur siç isha, syri më kapi një tjetër figurë pranë.
-Kush...
Nuk e kuptova se pse trupi më ngriu e as nuk po mundesha të flisja. A më bllokuan ata sy të kaftë që sikur buzëqeshnin? Apo ajo gjysmë buzëqeshje që s'e dija nëse ishte e sinqertë?
Si shigjetë e zjarrtë m'u ngul thellë ai vështrim i tiji, por aktrova sikur asgjë të mos kishte ndodhur.-Ky është Arvel, një i afërm i ortakut tim në punë. Për pak kohë do bashkëpunojmë e meqënëse nuk njihemi aq, e ftova këtu, për darkë me ne. Shpresoj të mos e keni bezdi.
-Oh, aspak, duket djalë i këndshëm, besoj se do kënaqemi në shoqërinë e tij, - tha ime më teksa i dha dorën për ta takuar, gjë që unë as që denjova ta bëja.
E turbulluar, ula sërish sytë. Oreksi tashmë më ishtë prerë fare dhe vëmendja më ishte fokusuar te rrahjet tmerrësisht të shpeshta të zemrës. S'dija në doja të qëndroja apo doja të ikja.
-Por duket që vajza juaj mezi më sheh në sy, jo më të durojë praninë time.
Zëri i kishte ndryshuar: më i thellë, më i ftohtë e në të njëjtën kohë më ironik, më bënë të kuptoja se s'ish më ai djali i çiltër i dikurshëm.
-Mos u ofendoni, thjesht sonte s'jam aq në qejf, - dhe u përpoqa të sajoja njëfarë buzëqeshjeje.
U ul pranë meje, por fjalë tjetër s'më tha, as shikime nuk më hodhi. Ishte njëjtë sikur nuk ekzistoja. Ai inferioritet që po tregonte m'u duk i çuditshëm e disi më lëndoi. Isha mësuar të isha në qendër të vëmendjes gjithnjë.
-Do dal pak jashtë, - thashë kohë më vonë, - këtu po filloj të mërzitem.
Por as ajri i ftohtë nuk më solli në vete. S'e dija se pse s'ndihesha mirë. Nuk e kuptoja atë shtrëngim në gjoks. Mendoja se do isha e përgatitur për një takim të tillë, por ndoshta nuk kisha patur kohë mjaftueshëm për të mbledhur veten emocionalisht.
Për momentin kisha nevojë që gjithçka ta kaloja me një buzëqeshje ironike e më pas pse të mos mbyllesha në vetmi.-S'të lumturoi ardhja ime? - dëgjova zërin e tij të qetë pas vetes.
U drodha nga ajo frymë e përplasur lehtshëm mbi qafën time, çka dashur padashur më shkaktoi disa mornica të pavullnetshme.
-S'duhej të kishe dalë. Dukesh i dyshimtë.
-Mos u shqetëso, thjesht më erdhi një telefonatë, por kur dola jashtë vendosa ta injoroja.
S'desha të bëja kontakt me sy.
Cepin e buzës e harkova lehtë, por vetëm aq, ngërdheshja e zakonshme në atë moment s'm'u formua.-Pra? Ç'ke ndërmend të bësh? Ma shuaj kuriozitetin. Si do më shkatërrosh?
Ai qeshi.
-Të të shkatërroj? Të lutem Fab, s'bëj lojëra të tilla fëmijësh. E shkuara është e shkuar. Ka ardhur koha të ndryshojmë, apo jo?
Më në fund vendosa ta shihja duke menduar se ai thjesht tallej. Fytyra e tij ishte serioze, pastaj u çel nga një gjysmëbuzëqeshje.
Më largoi disa fije floku nga fytyra e m'u afrua për të më pëshpëritur diçka në vesh.
Po prisja të fliste, por mesa dukej ndërroi mendje e thjesht nënqeshi.-Do shihemi shpesh. Kemi mjaft kohë për të sqaruar çdo gjë.
E pashë thellë në sy, e ndoqa me vështrim edhe kur iku.
Tunda kokën sa majtas-djathtas, si për të bindur veten se veprimet e tij ishin të shtirura. E dija dhe e ndieja se ai s'e kishte harruar të shkuarën, isha plotësisht e bindur se më urrente, por më çudiste ajo përmbajtje e tillë kur gjithë çka prisja ishte një shpërthim, një uragan themelshkatërrues. Por do prisja. Do prisja derisa rëra të rridhte ngadalë prej klepsidrës, derisa të vinte sekonda e fundit, derisa gjithë çka do ngelej do ishte qetësi absolute. Pikërisht atëherë do prisja shkatërrimin prej tij e bashkë me të, edhe rrënimin tim.
YOU ARE READING
Peng mëkati
General FictionSot jam peng i mëkatit tim. U ringjall ai mallkim yti që mendova se e kisha vrarë vite më parë. U riktheva sërish në kohën kur aq shumë dëm e dhimbje të shkaktova. Sot më duhet të paguaj, e s'më mbrojnë dot justifikimet e kota. Sot paratë s'më bëjn...