3

367 40 98
                                    

-E urrej jetën time, - këto qenë fjalët që i thashë psikologes tre ditë pas ardhjes së Arvelit.

-Pse?

Vështrova shiun që godiste fort xhamat, pastaj reflektimin tim të shpërfytyruar që bëhej aq i zbehtë nga dritat e verdha të dhomës.

-Kam mëkatuar aq shumë, e kam bërë aq zi jetën time, sa s'shoh dot as se ku vendos këmbët, s'gjej dot logjikë pas atyre që them apo bëj.

-Përse mendon se ke mëkatuar? Të ka shtyrë diçka drejt gabimit? Ndonjë person, ngjarje?

Gruaja përballë më shihte vëmendshëm. Me gishtin tregues të dorës së majtë ngriti pakëz syzet, pastaj i kryqëzoi sërish krahët.

Pas disa momentesh ngurrimi, vendosa të flisja.

-Qëkur im atë humbi jetën për shkak të përplasjes me trenin. Që atëherë fillova të gaboja. Ishin gabime të pafajshme të një dhjetëvjeçareje, por sërish... iu hapën rrugë gabimeve të tjera.

-Nuk kërkoje mbështetje prej të tjerëve? Nga ndonjë pjesëtar tjetër i familjes ose te ndonjë i afërm?

-Nga natyra kam qenë tip i mbyllur, pastaj ndikonte edhe më tepër karakteri i të tjerëve. Ime më s'e vuajti aq vdekjen e të shoqit. Për dy vite gjeti, më fal për fjalorin, një plehrë burrë.

Gruaja vuri buzën në gaz, jo për të më lënduar apo për të më tallur.

-Përse thoni kështu? Iu ka bërë diçka kundra vullnetit tuaj?

E pashë thellë, por të përgjigjesha më erdhi rëndë. T'i thosha se ai ishte përpjekur të më përdhunonte? Se kishte netë kur, i dehur, vjedhurazi largohej prej ime mëje dhe më futej mua në shtrat e flinte duke më mbajtur të përqafuar pas vetes? Apo se kënaqej aq shumë kur e shoqja ikte te ndonjë shoqe e ai gjente rast për të më thënë lloj-lloj fjalësh të pista?

-Deri tani jo, - qenë fjalët e vetme që thashë.

U mendua për pak çaste, pastaj, duke zvogëluar sytë, më pyeti sërish:

-Cili është gabimi më i madh që mendoni se keni bërë?

Heshta. U përcolla me vështirësi. Disa bulëza të ftohta djerse më kulluan në ballë.

-Luajta me ndjenjat e dikujt që më dashuronte.

Më dashuronte, po, marrëzisht, aq sa ishte i gatshëm të bënte gjithçka nëse ia kërkoja, të braktiste këdo nëse ashtu i thosha unë, të rifillonte gjithçka nga zeroja.

-E poshtërova në sy të të gjithëve, pa më interesuar se po lëndohej, se gjithë dashurinë e tij po e shndërroja në urrejtje.

-Pse e bëtë diçka të tillë?

-Doja që dhe të tjerët të vuanin, - dhe hoqa shikimin prej saj pas atyre fjalëve të thëna me gjysmë zëri. - Doja ta kuptoja se s'isha e vetmja që më dhimbte shpirti. Por nuk dua ta justifikoj veten me këto përgjigje të tilla. Gabimi im është i pafalshëm, i pandreqshëm.

Heshtja e saj më bëri të kuptoj edhe një herë se sa gjë të tmerrshme kisha bërë, edhe pse qëllimi i saj s'ishte ky.

-Po tani? Keni ndryshuar? E ndieni veten të aftë për të ndrequr gjithë gabimet e bëra?

"Jo, ndihem e dobët, e sfilitur pa filluar mirë luftën," - ish përgjigjja që do kisha dashur t'ia thosha, por sërish heshta, dhe pasi i thashë se s'ndihesha mirë për të vazhduar të flisja, dola që aty pa pritur përgjigje.

Lëviza pak me dorë golfin e zi që më shtrëngonte qafën, më merrte frymën e më dukej si litar që po bëhej gati të më mbyste.

Kapa telefonin me dorë e me gishtat që më dridheshin kontrollova një emër: Arvel.
Dëshiroja ta merrja, t'i thosha se isha penduar si dreqi, se doja të rinismin çdo gjë nga fillimi, të fshinim të shkuarën, të më falte, por u stepa.
Ngrita kokën në qiell, si për të kërkuar ndihmë nga ai Zot që shpesh dëgjoja gjyshen t'i lutej e që dikur s'e kisha besuar.

Nuk e kisha ndier se duart, të cilat vazhdonin të dridheshin, padashur kishin shtypur butonin "call". Me të shpejtë desha ta ndaloja, por qe vonë.

-Po? - ishte zëri që dëgjova nga ana tjetër.

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now