8

321 37 83
                                    

Kujtimet e hidhura m'u ndërprenë nga disa drita blu e të kuqe që erdhën nga jashtë dritares. Kurioze, nxorra kokën jashtë. Policia. Siç dukej spiunët e lagjes ishin vënë në veprim.
E ku mund të shkonte më bukur?!

-Policia! Dilni jashtë ose do hymë me forcë, - dëgjova zërin e njërit prej tyre mbrapa derës.

Duke psherëtirë e mërzitur nga gjithë këto rrangalla që po më ndodhnin, dola sërish nga dritarja.

-Po? Çfarë ka ndodhur?

U afrova pranë tyre për të bërë një bisedë të njerëzishme, por s'e prisja që ata të më vendosnin pranga të duar si të isha ndonjë kriminele.

-Keni hyrë me forcë në shtëpinë e dikujt tjetër. Për këtë do gjykoheni.

Një grup policësh hapën derën e u futën brenda për të parë nëse kisha shkatërruar ndonjë gjë apo çfarëdo qoftë që ata shohin në të tilla raste.

-Por kjo është shtëpia ime. S'mund të gjykohem për këtë gjë.

-Gjithsesi zonjushë, kjo duhet të verifikohet si fillim.

-Të paktën të marr portofolin. Kam mjetet e identifikimit atje.

-Mos u shqetësoni. Do i gjeni në polici.

Shfryva e bezdisur nën vete. Të protestoja për të mos shkuar me ta do ishte e kotë, ndaj hyra brenda makinës së tyre pa bërë shumë fjalë.
Rrugës qëndrova qetë, pa folur, thjesht mendoja e mendoja gjatë për çdo gjë që më kishte ndodhur. Im atë, ndryshimi im, Arveli, rikthimi i tij.
Zot, sa e rënduar ndihesha shpirtërisht. A do vinte ajo ditë kur të merrja frymë lirisht? E nëse po, atëherë kur?

Mendimet m'u ndërprenë për të dytën herë.
Stacioni i policisë kishte qenë afër. Dola jashtë makinës, pastaj policët më ngatërruan nëpër gjithë ato dhoma aq sa m'u bë koka lëmsh e s'po merrja vesh nga hyja e nga dilja, derisa më në fund më vendosën në një dhomë të vogël të këndshme me një oficer të vjetër policie në një karrige.

Ai, i cili normalisht që ishte i informuar për çështjen time, pasi vështroi edhe një herë kartën time të identitetit, e theu heshtjen i pari.

-Zonjushë Fabiola, keni thyer xhamin e një shtëpie që ju pretendoni të jetë juaja. Kështu?

-Po.

-Dhe konkretisht pse e thyet xhamin?

-Janë bërë vite që nuk vij në Detroit, dhe për fat të keq nuk më shkoi në mendje t'i merrja çelësat me vete. Duke qenë se s'kisha mënyrë tjetër për të hyrë brenda...merret me mend ç'do ndodhte.

-Besoj se e dini që për të vërtetuar këtë duhen dokumentet e shtëpisë, apo jo?

Oh Zot, ç'punë që do më hapeshin tani.

***

Pas gjashtë orësh të mira, duke u sorollatur nga njëri vend në tjetrin së bashku me policët, arrita t'ia gjeja fundin asaj çështjeje.

M'u desh të telefonoja time më, t'i sajoja plot gënjeshtra për arsyen që shkova te shtëpia e vjetër para se ta pyesja se kush kishte qenë personi që na e kishte shitur shtëpinë, më pas të shkoja tek ai burrë që gjendej në qytetin tjetër ku rruga shkonte plot dy orë, sepse e dija qartë që mamaja ime s'kishte mundësi t'i kishte ruajtur dokumentet ndokund.

Për fatin tim të mirë, burri në fjalë u tregua mjaft i dobishëm për atë çështje, madje më dha edhe çelësin e fundit të shtëpisë.

E rraskapitur, në ato momente isha duke numëruar sekondat e fundit para se taksia të ndalonte përballë ndërtesës.
Pagova shoferin, pastaj plot përtesë hapa derën e shtëpisë e ndeza dritën e telefonit që të shmangia ndonjë pengesë e ndonjë rënie spektakolare në tokë.

Portofolin dhe telefonin i hodha shkujdesshëm mbi kolltuk, ndërsa vetë fillova të ngjisja shkallët duke u zvarritur e lodhur për në katin e dytë te dhoma ime e gjumit, me qëllimin e vetëm që të shtrihesha për të fjetur.

Një surprizë vërtet e paparashikueshme më erdhi kur hapa derën.

-Arvel?

Mund të mendoja shumë gjëra, por që ai të ishte aty, s'e kisha çuar kurrë ndërmend.
Ktheu trupin drejt meje e më buzëqeshi.

-Si hyre këtu?

E kuptova vonë se kjo ishte një pyetje idiote, por s'kisha si i tërhiqja fjalët që sapo kisha thënë.

-Nga dritarja. Ma kishe bërë gati.

Buzët m'u lakuan e një ngërdheshje m'u formua, pastaj për një çast vështrimi i tij më hutoi. Aq i palexueshëm, i pakuptueshëm, sa ndonjëherë më jepte mornica në trup. Nuk e dija nëse më donte apo më urrente, nëse tallej apo thjesht i ndiente vërtet ato që bënte.
U bëra gati të flisja me një dëshirë të madhe për ta pyetur për ç'të më vinte ndër mend, por ai si dukej nuk donte të më linte rast për këtë gjë.

-Erdhe vonë. Ku ishe?

-Në polici. Besoj e merr me mend pse-në. Por gjithsesi kjo s'ka shumë rëndësi. Ti nga e dije se do vija këtu?

E vura re se deshi të më afrohej, por nuk e di se ç'po debatonte me veten që e bëri të stepej.

-Nuk isha i sigurt në fakt, thjesht thashë të provoja fatin. Për më tepër doja të sigurohesha se ishe mirë.

Më vështroi ngultas. Isha e sigurt se në mendje po i shkonin ngjarjet e disa orëve më parë dhe duke qenë se s'ma kishte fort ënda të flisja për atë temë, provova të hapja një tjetër bisedë. Nuk besoj të çuditeni nëse them se as kjo s'funksionoi; ai preferoi të vazhdonte sërish.

-Mos u përpiq të ndërrosh temë, të lutem. Besoj se kam të drejtë të di kaq gjë, apo jo?

-Të dish çfarë? Si ndihem unë apo ç'po ndodh midis meje dhe atij?

Zëri m'u ftoh. Si shenjë vetëmbrojtjeje e ngrohtësie mblodha duart në kraharor.
Por pse më dhimbte një qëndrim i tillë? Pse më dhimbte të shihja fytyrën e tij që s'tregonte as edhe një emocion?

Aq me vëmendje e shihja, sa dhe lëvizjet më të vogla të trupit arrija t'ia vija re. Psherëtiu rëndë, hoqi vështrimin nga unë për pak sekonda duke u menduar, pastaj më pa sërish e më erdhi pranë. Vetëm një hap na ndante, një distancë e vogël që po më digjte kraharorin. 
Nuk e prisja që ngadalë të ngrinte dorën e të ma vendoste në faqe për të më përkëdhelur butë. Sytë, që deri tashmë as edhe një ndjenjë s'i kishin treguar, i lejoi të merrnin një pamje të ngrohtë, të afërt.

-Mund të ndash çdo gjë me mua kur të ndihesh gati. Do jem këtu për të të dëgjuar.

Një valë e çuditshme më përshkoi gjithë trupin. Sikur më dha forcë, më mbushi me oksigjen, më largoi për pak momente atë ndjenjë të gurtë prej gjoksit, të rëndë plumb.

-Nuk të besoj, - i thashë me një pëshpërimë të vogël që thuajse nuk u dëgjua fare.

E besoja apo jo, në të vërtetë as që e dija. Sa po më çudiste vetja ime kohët e fundit. Sa ndryshe ndihesha e veproja.

Nga ana e tij erdhi vetëm një buzëqeshje karizmatike që bëri të më dridhej shpirti nga kënaqësia.
M'u afrua edhe pak më tepër. Tashmë nuk isha duke ia vështruar sytë e ngrohtë, por buzët e rozta që dikur më puthnin me aq pasion.
Sa do të doja t'i kisha ndier sërish, të më forcohej akoma dhe më tepër ajo ndjenjë e çuditshme që më godiste kraharorin.
Por u zmbraps, u largua në momentin e fundit atëherë kur vetëm pakëz milimetra mjaftonin për të realizuar dëshirën time.

Zhgënjimin tim e di që arriti ta shihte, por përshtypje më bëri se si sytë i qeshën kur pa reagimin tim.

-Çfarë...

Kaloi mbas meje, hapi derën e u largua pa fjalë. Ia dëgjoja hapat mbi shkallët e vjetra të shtëpisë. Dhe unë rrija në një vend, e hutuar. Nga njëra ngjarje kaloja në tjetrën pa e marrë veten mirë.

E një mendim më mundonte pa masë: "Dreqin, do doja të më kishte puthur!"

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now