15

301 33 63
                                    

Mos u çudisni për këtë update kaq të hershëm xp
Kështu do ta bëj përditë (nëse nuk vendosem në gjumë letargjik nga mesi i natës deri në mesin e drekës😜): një pjesë në mëngjes, një në drekë e një darkë. Thjesht sa për ta ditur ^.^

Atë natë Arveli nuk më lejoi të shkoja në dhomën time. Më mbajti pranë vetes për një kohë të gjatë, shtrirë në shtrat, të përqafuar, në shoqërinë e zhurmës së këndshme të shiut që kishte filluar të godiste xhamat pamëshirshëm.

Nuk kishte dritë në dhomë. I vetmi ndriçim vinte nga dritat jashtë, por kjo gjë më pëlqente. Më dukej sikur më fshihte, më mbulonte ai terr e më hiqte ngadalë ankthin përbrenda.

Ndërkohë që Arveli më ledhatonte butazi në kokë, unë ia dëgjoja kënaqshëm rrahjet e qeta, ritmike të zemrës.
Kisha frikë t'i flisja, t'i kërkoja të më thoshte nëse falja ime ish pranuar nga ana e tij apo jo. E t'i kërkoja një shans të dytë, po më dukej thuajse gjëja më e pamundur për të ndodhur.

-Ndihesh më mirë? - më pëshpëriti lehtë. Zëri i tij fare pranë veshit tim më shkaktoi mornica të çuditshme në trup.

Kraharori m'u ngrit dukshëm nga sasia e madhe e ajrit që thitha. Po nëse i thosha jo? Nëse ia bëja të qartë se ai ishte i vetmi i cili me fjalët e tij mund të më lumturonte?
E nëse i thosha po, a do vazhdonte të më mbante sërish në atë përqafim të ngrohtë që e adhuroja?

-Besoj se po, - iu përgjigja më në fund e dorëzuar.

U largova pak prej tij e drejtova trupin duke qëndruar kështu pingul me shtratin e butë, ndërsa ai u mbështet mbas kokës së shtratit për të më vështruar më pas drejt e në sy.

-Të kërkoj ndjesë. Ndoshta të pengova nga ndonjë gjë që kishe ndërmend të bëje.

-Jo, aspak, s'kisha asnjë plan përveçse të shtrihesha e të flija.

Qesha lehtë dhe ula vështrimin për të parë duart e mia, me të cilat po luaja për të kaluar kohën.

-Mund të më thuash çdoherë gjithçka që të mundon, - më tha kur e kuptoi se unë s'kisha asnjë ide për çfarë të flisja. - Do të të gjendem pranë gjithmonë.

Nuk e dija nëse ishte vërtet i sinqertë, por e ndieja se më tepër preferoja t'i besoja sesa të dyshoja tek ai.

-Gjithmonë? Kështu më kanë thënë shumë vetë, por të gjithë janë larguar në fund.

Për ta fshehur disi trishtimin dhe akoma më mirë, për ta larguar atë, e ndjeva të nevojshme të ngrihesha e të shkoja pranë dritares që t'i hidhja një sy tokës tashmë të lagur.
Preka xhamin me dorë, njëjtë si të doja të prekja shiun e të bëhesha njësh me të.

-Jo të gjithë njerëzit vijnë në jetë që më pas të largohen, - më tha që atje ku ishte, para se të ngrihej e të më vinte pranë.

-Por unë shkoj pas parimit se të gjithë janë të përkohshëm.

Mendueshëm, ktheva trupin për ta parë drejt e në sy e për të kapur ndonjë reagim.

-Atëherë s'je lidhur kurrë siç duhet me një person, - qe përgjigjja e thjeshtë që më dha duke u përpjekur të depërtonte në mendimet e mia, gjë që e vura re nga shikimi i thellë që më dha.

-Dhe nuk e di nëse do e bëj ndonjëherë. Askush deri më tani s'e ka meritur ta besoj plotësisht.

-Jeta nuk mbaron këtu, - tha ndërkohë që bëri një hap të vogël drejt meje. - Mos u bëj kaq pesimiste.

Qesha dhe fërkova krahët nga i ftohti i madh që po ndieja, edhe pse dhoma ishte e ngrohtë.

-Do më ndihmosh ti të mos jem e tillë?

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now