E sfilitur aq sa sytë gati po më mbylleshin dhe trupi s'më bindej më, përpiqesha të hiqja litarin që m'i kishte bërë plagë kyçet e duarve. Kjo po ndodhte ndërkohë që dielli ishte duke hedhur rrezet e para në dhomën ogurzezë, ku çdo objekt, çdo faqe muri, çdo detaj i vogël do më kujtonte atë ngjarje të neveritshme.
-Oh Zot, - mërmërita me të ulët kur arrita të zhdukja litarin e iu hodha një vështrim kyçeve të skuqur, vende-vende me lëkurë të hequr prej të cilave gjaku rridhte ngadalë.
Hoqa me pështirosje dorën e Bredit që më kishte rrethuar trupin, pastaj, ndërkohë që ai flinte pa e prishur terezinë, nxitova të vishja të njëjtat rroba që mbaja dhe dje, edhe pse vetëm pamja e tyre bënte të më vinte një turbullirë.
Isha duke veshur xhinset kur dëgjova zhurma të lehta nëpër shkallë, hapa të lodhur që po drejtoheshin këtu.
Zemra filloi të më rrihte shpejt. Me duart që më dridheshin fillova të kontrolloja bluzën, por qe pikërisht momenti kur po e vishja që dera u hap e ime më u ndesh me një pamje që asnjë grua s'do donte të shihte.
-Më lër të ta shpjegoj, - i thashë menjëherë me zë të dridhur dhe po bëja hapa të vegjël drejt saj, që më shihte në sy e shokuar.
-Çfarë paskam rritur unë e mjera! - më bërtiti në fytyrë e zemëruar e më goditi fort. -Në vend të një bije, paskam pasur një kurvë! Zhduku! Mos të të shoh më këtu! Zhduku po të them!
Më kapi për krahu dhe më tërhiqte me forcë, paçka se bëra mijëra përpjekje për t'ia treguar të vërtetën.
-Qepe! Mos të ta dëgjoj zërin! U bë surrati yt të shkojë me tim shoq!
E xhindosur, hapi derën e jashtme të shtëpisë e më flaku si leckë, pastaj më shpejt se furtuna u largua e erdhi me një pirg rrobash. Nuk e di se sa herë shkoi e u kthye sërish tek unë, por di se çdo gjë e bëri aq shpejt, sa në më pak se dhjetë minuta kishte flakur jashtë çdo gjë që ishte në dhomën time.
-Zhdukmu që këtu! Harroje se ke një nënë! Fëmijë i mallkuar!
Më mbylli derën para fytyrës pa i interesuar për gjendjen katastrofike në të cilën ndodhesha, apo për lotët që më rridhnin rrëke.
E lënduar gjer në shpirt, me fuqinë që sa vinte dhe shteronte, as që denjova të ngjeshja brenda makinës gjërat që ime më kish nxjerrë, thjesht fillova ta ngisja makinën në rrugët boshe dhe të qeta. Ahh, sikur të isha edhe unë aq e qetë sa natyra jashtë, por jo, vetëm qaja heshtur në dhimbje, i gëlltisja ngashërimat brenda, ofshamat dhe gulçimet s'i lija të dilnin.
Shkova te vendi ku punoja, për të cilin është e rëndësishme të them se më tepër sesa thjesht një zyrë e vogël private, është një hyrje e këndshme që m'i siguron të gjitha gjërat e nevojshme për të kaluar kohë larg të tjerëve.
U futa brenda si e vdekur para se më pas të shembesha në krevat e të mbytesha në lot.
Nuk doja të shihja askënd, nuk doja të flisja, për dreq s'doja as të dija që njerëzit ekzistonin. Si mund të doja dikë pranë vetes kur ndihesha aq e ndotur, aq e pavlerë? Si mund ta doja Arvelin pranë kur çdo moment me të do më kujtonte prekjet e të mallkuarit njerk?
Në atë gjendje të tillë fillova të humbisja sensin e kohës. S'isha e sigurt se kur dita kalonte, se kur lindte sërish dielli apo se kur perëndonte. Dija vetëm se ndihesha bosh, se më dhimbte çdo centimetër i trupit, se s'kisha futur ushqim në gojë kushedi se për sa kohë.
Telefoni më binte papushim, gjithë ato njoftime e bënin kokën të më vlonte nga lodhja, por s'denjoja ta kapja me dorë e të shihja se kush interesohej për mua, edhe pse e dija se të vetmit që mund ta bënin këtë gjë ishin Sejdi dhe Arveli.
Një mëngjes, pasi isha ngritur prej gjumit me sytë e mbufatur dhe kisha bërë një dush të shpejtë, rrëshqitazi sytë më shkuan në ekranin e telefonit.
46 telefonata e 157 mesazhe gjithsej. Data 20 dhjetor. Tre ditë kisha kaluar në atë gjendje, tre ditë të poshtra e të acarta.Sapo do shtrihesha sërish në shtrat pa interesin më të vogël për të parë mesazhet kur dëgjova disa të trokitura në derë.
U përcolla me vështirësi. Kuptova se grykët më digjnin.Me hapa të pasigurt shkova drejt dhomës së ndenjies. Bëja një hap, pastaj ndaloja, një hap tjetër e me mendje bëja dy hapa pas.
Rrotullova çelësin, ula dorezën ngadalë dhe e tërhoqa lehtë. Gërvima e saj më ngjethi mishin, por çdo gjë do të fashitej kur pas asaj dere të ndeshesha me sytë e shqetësuar të Arvelit.E turpëruar që më pa në një gjendje të tillë, me sytë e skuqur e të buhavitur, me fytyrën që më ishte holluar aq sa kockat po fillonin të dukeshin, ula kokën poshtë gjasmë se do fshihja pamjen time të mjerueshme.
-Fab?
Zëri i tij i trishtuar më bëri të ndihesha akoma dhe më keq.
U fut brenda në dhomë, mbylli derën pas vetes ngadalë e më përqafoi aq lehtë, si të kishte frikë se do më lëndonte. Qeshë unë që shtrëngova duart e mia fort pas trupit të tij, që e afrova akoma dhe më shumë pranë vetes, edhe pse trupi më dhimbte dhe donte qetësi.
-Çfarë ka ndodhur? Të kam telefonuar gjithë ato herë. Po të mos ishte për Sejdin, s'besoj se do të të kisha gjetur.
Atij përqafimi i erdhi fundi shpejt kur ai filloi të fliste. Po më analizonte fund e krye, derisa sytë i ndalën te kyçet e duarve, për të cilat më duhet ta pranoj se nuk i kisha mjekuar fare, se ato ishin gjërat e fundit për të cilat interesohesha.
Isha e sigurt se e kuptoi vetë se ç'kishte ndodhur pa i thënë unë as gjënë më të vogël.
Sytë i morën një tjetër pamje. Të trishtuar, të inatosur, të shqetësuar njëkohësisht.-Pse nuk më tregove?
Ajo mërmërimë që mbante brenda një inat të fortë bëri që sytë të më krijonin sërish sumbulla të nxehta lotësh. Vendosa në fytyrë duart që më dridheshin dhe vetëm derdhja lot e copëtuar.
-Shhh, jam pranë teje, askush s'do mundet të të lëndojë, - më ngushëllonte aq sa mundte ai.
Vazhdoi të bënte të njëjtën gjë edhe kur u gjendëm në dhomën e ndenjies dhe u ulëm në kolltukun dysh.
Qëndroja ngjitur tij pa folur, pa lëvizur as milimetrin më të vogël. Vetëm kraharori më ulej e më ngrihej prej të qarave, çka bënte që herë pas here fryma që nxirrja të dridhej.Lotët më lodhën, aq sa bënë që qepallat e syve të më rëndoheshin plumb e të më mbylleshin, siç më ndodhte gjithnjë kur bija në dëshpërim të thellë. Njerëzit flenë për t'u shkëputur nga realiteti, apo jo?
Para se sytë të më mbylleshin plotësisht, teksa ndieja dorën e Arvelit të më përkëdhelte lehtë, dëgjova dhe disa fjalë të tij pranë veshit tim.
-Më fal, - më tha i penduar, -më fal që s't'u gjenda pranë.
***
Kur hapa sytë, në vend të Arvelit në kolltuk gjeta një letër të palosur më dysh. U mbështeta mbas kolltukut, tërhoqa mbas vetes mbulesën e ngrohtë që më kishte hedhur dhe mora letrën në dorë.
"Kthehem shpejt, sa të marr disa ushqime. Mos u mërzit. ♡"
Një buzëqeshje e lehtë m'u vendos në fytyrë, buzëqeshja e parë pas tre ditësh të kaluara në zymtësi totale.
Sa u bëra gati të ngrihesha, dëgjova zilen e bezdisshme të telefonit. Rrudha vetullat kur pashë në ekran emrin e Xhonit, jo se nuk doja të më telefononte, por në atë situatë të tillë më dukej sikur mund të merrja vetëm lajme të këqija.
Dhe kisha të drejtë. Pa as edhe një përshëndetje, ai hyri drejt e në temë.-Fab, shtëpia juaj në Detroit po digjet.
Pikërisht kështu, një tjetër goditje do vinte në zemrën time.
YOU ARE READING
Peng mëkati
General FictionSot jam peng i mëkatit tim. U ringjall ai mallkim yti që mendova se e kisha vrarë vite më parë. U riktheva sërish në kohën kur aq shumë dëm e dhimbje të shkaktova. Sot më duhet të paguaj, e s'më mbrojnë dot justifikimet e kota. Sot paratë s'më bëjn...