23

291 34 34
                                    

Nuk e dija më se ç'ndieja, se çfarë doja. Nuk e dija më nëse jetoja apo thjesht frymoja sa për të thënë se nuk kisha vdekur.
A jetoja? A isha e dobët edhe pse kisha bërë çmos që ta mbaja kokën lart?
Isha një lëmsh, një lëmsh i krijuar me vetë dorën time.

Këto mendoja ndërkohë që fragmentet e së shkuarës më shfaqeshin si një shirit filmi në mendje.
E ndrydhur fort, bëra një përpjekje për t'i kërkuar një bisedë larg që aty, atje ku sytë e njerëzve s'do na ndiqnin, ku pëshpërimat e tyre s'do dëgjoheshin, ku s'do më shihnin si një qenie të pavlerë që kot sa zvarritej në tokë.

-Mund të flasim diku tjetër?

Nuk m'u përgjigj menjëherë. E bluajti mirë disa herë në mendje propozimin tim para se të kthehej nga Xhasmina, t'i thoshte se s'vonohej shumë e t'i jepte një puthje të ngadaltë në buzë para meje, para asaj që e dinte se e dashuronte fort.

Përse i bënte dhunë shpirtit tim në atë mënyrë? Përse dikur i kishte dhënë shpresë e tani e vriste? Përse po nxirrte trekëmbëshin para e më detyronte të mbytesha?

(Trekëmbësh - Tre trarë të mbërthyer në një kulm a shtyllë me një kthesë sipër dhe me një litar, në të cilin varen të dënuarit me vdekje.)

Filloi të ecte para meje për të më udhëhequr. E ndiqja pas pa folur, pa nxjerrë as tingullin më të vogël, vetëm sa e mbaja vështrimin poshtë e shihja gjurmët që ai po linte në tokë.
Ndaloi.

Kur ngrita kokën, vura re se kishim shkuar mbrapa shtëpisë, atje ku askush s'mund të na dëgjonte.

-Ç'ke për të më thënë? - e gjeti me vend të fliste kur unë vetëm sa e shihja në sy e lënduar e fjalët as me grep s'mund të m'i nxirrte.

-Ky qe shkatërrimi që kishe planifikuar?

Ajo mërmërimë u bë akoma dhe më e dobët nga shkulmi i fortë i erës shoqëruar tashmë me borë që m'u përplas fytyrës e m'i ngatërroi flokët.

-Diçka e tillë kuptohet Fabiolë. Të njëjtën gjë që më bëre të përjetoja dikur, tashmë do ta përjetosh ti.

Ia kishte dalë atëherë. Ia kishte dalë të më shkatërronte, të ma shqyente zemrën si egërsirë e të ma hidhte në kosh të plehrave.
Vetëm tani e kuptova vërtet se ç'plagë të madhe i kisha shkaktuar dikur, se sa e padrejtë isha treguar.

-Do të doja që...të më kishe falur vërtet.

Sërish lotët më njomën fytyrën. Ata lot të hidhur dukej sikur kurrë s'do shteronin.

-Të të falja? As pendimi yt më i madh nuk arrin të më rikthejë të shkuarën. As falja më e sinqertë.

***

-E dua atë! - bërtiti i acaruar dhe goditi tavolinën me grusht.

E ëma u hodh përpjetë nga trembja, por u ngrit e sërish filloi ta merrte me të mira, për të bërë çmos që t'ia ndryshonte mendjen.

-Ajo nuk është për ty, biri im. Karakteri i saj nuk të përshtatet. Lëre, lëre se bota ka plot vajza shumë herë më të mira se ajo.

-Me mijëra herë të thashë se e dua! Pse nuk e kupton? Po nuk e pëlqeve, unë largohem prej teje e atë e ndjek mbrapa!

-Arvel, të lutem bir, mos ik, ndalo.

Filloi ta ndiqte mbrapa me lot në sy. E drobitur, e dobësuar nga sëmundja e rëndë e zemrës, sërish përpiqej të qëndronte e fortë, se të mos kujdesej për djalin e saj të vetëm për të do ish njëjtë si vdekja.

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now