10

308 33 78
                                    

-E di çfarë do të të them unë që dua ta mbash mend gjithmonë? -më tha Sejdi serioz më tepër se kurrë kur mbarova së i treguari gjithë ç'më kishte ndodhur. - Mos e ul kurrë kokën para askujt. U largove dje prej hotelit? Sot dua të kthehesh. Tregoja vendin atij njeriu të neveritshëm, tregoji se me kë ka të bëjë. Ji e fortë edhe kur ai apo çdokush tjetër të lëndon. Ndonjë njeri me përvojë të madhe s'jam, ama kaq ta them: askush nuk ka të drejtë të të ulë në atë lloj mënyre. Mjaft i ke duruar veprimet e tij. Ti je e fortë Fab, mos i lejo të tjerët të të bëjnë të dobët.

Më ra shpatullave si për të më inkurajuar, shoqëruar ky veprim me një buzëqeshje të vogël shoqërore në fytyrë.
Iu hodha në një përqafim të fortë prej të cilit s'doja të ikja, aq mirë më bënte të ndihesha. Të thosha që kisha nevojë për ato fjalë e atë përqafim do ishte pak. Kishin kaluar kohë që i kërkoja vetes me ngulm të më motivonte, por ato që merrja s'ishin gjëra të tjera veçse disa fjalë plot urrejtje. E të kuptoja se të tjerët sërish besonin tek unë, sërish mendonin se mund t'ia dilja ishte një lumturi më vete.

-Faleminderit Sejd, faleminderit që më qëndron pranë.

-Do më kesh gjithmonë pranë Fabiolkë. Turp më qoftë po u largova kur të kesh nevojë. Të dua shumë! Je si je, prapë të dua! - më tha duke qeshur e më shtrëngoi fort.

Buzëqesha pas tij, pastaj u largova për ta parë në sy e për të vazhduar bisedën.

-T'i thashë të gjitha, tani është koha jote të më thuash se ç'gjëra interesante paskan ndodhur brenda një dite, - i thashë duke i kujtuar fjalët që më kishte thënë në fillim.

-Edhe aq interesante sa të tuat s'janë, po hajt, do t'i them gjithsesi.
Si fillim besoj se e merr me mend që Bredit i hipën kacabujtë sot në mëngjes. S'është se doli keq në mbledhje, madje doli më mirë seç pritej. Kjo sigurisht që ndodhi falë Arvelit, për të cilin nuk e dija që ishte aq i zoti në punë, seriozisht.
Dhe diçka pak e papëlqyeshme që vura re dje teksa ishim ulur të gjithë në një restorant: Xhasmina po i përkëdhelej shumë Arvelit. Halë në sy e kam atë femër, betohem! Sikur më ha bukën! Nxirr njërën shalë e pastaj tjetrën! Të thuash se s'ka parë këmbë biri i botës, po ngeli për t'ia hedhur sytë të sajave!

E bezdisur, bëra një frymënxjerrje të gjatë. S'ishte vetëm Sejdi ai i cili ndihej ashtu: Xhasmina gjithnjë ma kishte shpifur me karakterin e saj. Vërtet, edhe unë s'isha ndonjë shenjtore, isha lidhur me lloj-lloj meshkujsh, po që ta ulja veten me të tilla veprime s'kishte shans të ndodhte.

-Më bëri përshtypje fakti se ai as që ia hidhte sytë. Ishte kulmi i mospërfilljes me thënë të drejtën, se ajo i fliste ndërsa ai thjesht shihte jashtë dritares duke u menduar. Dhe e di si them unë me mendjen time? Gjatë gjithë kohës ai ka qenë duke u menduar për ty.

Vura buzën në gaz me ironi.

-Mos më thuaj se edhe ti mendon që ai ka hequr dorë nga plani i tij "kam për të të shkatërruar"?

-Pse? Ti vërtet e mendon diçka të tillë? Në atë kohë ka qenë thjesht një 18 vjeçar i papjekur. Koha besoj e ka ndryshuar.

Njëjtë si Arveli, edhe Sejdi ishte duke këmbëngulur në të tijën, aq sa po filloja të dyshoja te vetja. A mund të kishte harruar ai gjithçka? E dreq, a mund të harronte se për fajin tim e ëma i kishte vdekur?

-Arveli gjithnjë më është dukur djalë i mirë. Të kam thënë edhe më parë se me të nuk duhet të luaje, por tani s'ke si i kthen mbrapsht ato që ke bërë. Thjesht kërkoji falje dhe një shans të dytë për t'u përmirësuar.

-Por unë nuk e dashuroj, - i thashë teksa e shihja me një vetull ngritur, veprim të cilin ai e imitoi.

-Ama nuk e mohon dot faktin se e pëlqen. Provoje një herë. Unë ta them me plot gojë se djalë më të mirë që të të dojë aq shumë sa ai s'ke për të gjetur kurrë në botë, kurrë.

Vendosa duart në fytyrë e pastaj e fsheha atë midis jastëkësh.
Në mëdyshje, me një zë të ulët që do doja të mos dëgjohej, mërmërita "do mundohem të rregulloj çdo gjë".

-Ja pra! Kjo është Fabiola ime!

Gëzimi i tij ishte më i madh se imi.

-Hajde tani, merr ç'ke për të marrë që të kthehemi në hotel. Dhe mos i harro fjalët e mia, në rregull?

Pohova ngadalë me kokë, pastaj mora frymë thellë kur ai doli për të më pritur jashtë shtëpisë.
Sa nervoze që ndihesha thjesht nga ngjarjet imagjinare që mendja më krijonte për takimin me Arvelin!

Mora portofolin që e kisha vendosur mbi tavolinë, çelësin e nxorra prej xhepit të palltos e dola jashtë. Mbylla derën pas vetes dhe vështrova edhe një herë gjithë shtëpinë para se të largohesha.

Kishte ardhur koha që disa gjëra të ndryshonin, madje bashkë me to të ndryshoja edhe unë. Mjaft e kisha torturuar veten, tashmë ishte koha të rimëkëmbesha.

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now