12

309 35 53
                                    

"Mënyra se si e do veten është pikërisht mënyra se si i mëson të tjerët të të duan ty."

Ky qe mesazhi që hasa në telefonin tim menjëherë sa hapa sytë, i dërguar me përpikmëri çdo të premte prej psikologes sime të këndshme.

Një buzëqeshje m'u ravijëzua në fytyrë ndërkohë që zemra m'u ngroh nga ai mesazh i ëmbël.

U ngrita ngadalë nga shtrati i rehatshëm dhe hodha një sy jashtë dritares. Binte shtruar një borë e lehtë, e magjishme.
Ishte ky mëngjesi ideal për mua: një mesazh inkurajues, borë që më kënaqte sytë, qetësi për të bërë ç'më donte zemra.

Pasi bëra një dush të gjatë, më të rehatshëm se kurrë, porosita mëngjesin në dhomë, të cilin e hëngra e uritur në ballkon. Më kishte munguar të haja në praninë e borës kroasantë shoqëruar me çaj të nxehtë. A kishte gjë më të mirë sesa ajo pamje dhe ai ushqim i shijshëm?

Gjithë ajo qetësi m'u prish nga zilja e telefonit që kisha harruar ta ktheja në gjendje heshtjeje. Ishte Sejdi.

-Mirëmëngjes Fab. Do vish të hash mëngjes?

-Sapo e mbarova tani në dhomë.

Ndërkohë që flisja, kontrolloja në valixhe veshjen e përshtatshme për konferecën që ishte një orë më vonë.

-Ohh, në rregull atëherë. Ne jemi mbledhur këtu poshtë në restorant. Nëse ke dëshirë mund të vish.

-Të vij dhe të më prishet terezia nga Bredi dhe Xhasmina? Jo, faleminderit shumë për ftesën.

Ai qeshi.

-Ti e di. Shihemi më vonë se po më gërryhet stomaku, aq shumë më hahet.

-Vazhdo Sejd. Do shihemi sërish.

Hodha telefonin shkujdesshëm mbi shtratin e parregulluar, pastaj ngadalë nxorra një kostum të zi prej valixhes. E vështrova mirë e për një kohë të gjatë, si të përfytyroja në mendje se si do dukesha me të në trup.
Një minutë më vonë shkunda kokën për të mbledhur veten: kisha gjëra më të rëndësishme për të menduar sesa të qëndroja një orë në mëdyshje për atë që do vishja.

U ndërrova me të shpejtë e s'harrova që më pas të bëja një makiazh të lehtë. Hodha mbi vete parfumin më të mirë që kisha, mora në dorë çantën e vogël dhe dola jashtë plot vetëbesim për t'u bashkuar me të tjerët.
Më pëlqente të dëgjoja zhurmën e takave tek binin ndesh me pllakat e bardha, më pëlqente të ecja me kokën lart, me shprehinë e një njeriu të patundur në fytyrë. Më bënte të ndihesha e fortë shpirtërisht, më jepte guxim për të vazhduar para.

Gjatë kohës që ecja ndieja vështrime mbi veten ashtu siç më ndodhte shpesh dhe e pranoja se kjo më kënaqte, por më tepër se sytë e të panjohurve do doja të kisha mbi vete sytë e Arvelit.
Më vinte natyrshëm kjo dëshirë, ashtu si dhe gjithë dëshirat e tjera lidhur me atë djalë. Më tërhiqte si askush tjetër ndonjëherë, ndjenjë kjo e panjohur, por tunduese.

-Do nisemi? - iu thashë në momentin që ndalova përballë tavolinës ku ata qëndronin.

Një buzëqeshje m'u krijua në fytyrë kur ata thjesht po më shihnin pa kthyer përgjigje, a thua se papritur të gjithë u bënë memecë. Por i pari që do ta hiqte shikimin nga unë do ishte pikërisht Arveli, si të mos shihte asgjë të veçantë e tërheqëse.
E fsheha inatin, se ta shfaqja në sy të të gjithëve do ishte një veprim ulës për krenarinë time të lartë gjer në qiell.

-Po, tani duhet të nisemi nëse nuk duam të vonohemi, - më ktheu më në fund përgjigje Sejdi, i cili disa sekonda më parë më kishte bërë një shenjë të tillë si të nënkuptonte "perfekte".

U futëm së bashku në taksinë që kishte qenë duke pritur për ne, çka i dha mjaftueshëm mundësi Sejdit të më ngacmonte lirisht.

-Dukesh shumë e bukur Fab. Mua për vete më mahnite, edhe pse qëllimi yt ishte të mahnisje tjetërkënd.

-Ashtu mendon? - e pyeta qetë me një nënqeshje. -Më tepër më intereson të kënaq veten sesa të mahnis të tjerët.

-Ajo është normale, e di unë, por në këtë rast s'më hedh dot hi syve. M'u duk sikur kërkoje me ngulm vëmendjen e Arvelit.

Ai më shihte dhe qeshte si një fëmijë, duke më bërë të pyesja veten se ç'komedi kisha krijuar.

-Oh, po, dhe sytë e tij për pak do kishin dalë prej zgavrave sikur unë të mos isha larguar. E vure re? - ironizova për t'i mbajtur lojën.

-Ç'thua moj? S'e pe ti se si i kërcyen sytë vendit?

-Në rregull Sejd, mjafton kaq, po ma shpif kjo bisedë.

Ai qeshi dhe si një hokatar që është, ma kapi hundën lehtë për të më acaruar.
Sforcova veten për ta fshehur të qeshurën që m'u krijua si për çudi.

-Ahh, se mos harroj. I kërkove të falur Arvelit?

Heshta.
Në vend që të flija, gjithë natën e kisha torturuar veten me mijëra skenarë imagjinarë se si t'i kërkoja falje atij për ato që i kisha bërë. Një skenar më dilte më keq se tjetri, ndaj thjesht përfundova duke hequr dorë dhe gjëja më e thjeshtë që mund të bëja ishte të mbyllja sytë e të flija, me shpresën se mos ndoshta ndonjë ëndërr mund të më jepte ndonjë ide, gjë që s'ndodhi.

-Ende jo. Po pres momentin e duhur.

-Ëhë, derisa Arveli të jetë plakur apo ta shtypë ndonjë makinë dhe të vdesë. Bukur, më pëlqen. A s'të duket edhe ty interesante?

-Mjaft u talle Sejd.

Rrotullimi i syve ishte bërë tashmë i pashmangshëm për mua.

-Do mundohem ta mbyll sot këtë punë.

-Edhe për t'i kërkuar një shans të dytë?

-Një shans të dytë për çfarë? Për diçka që s'ka ekzistuar kurrë?

Ngrita njërën vetull serioze dhe po qëndroja në pritje të përgjigjes së tij.

-Unë do thosha për diçka që nuk e lejove ti të ekzistonte, - ma përplasi ai të vërtetën në fytyrë duke më lënduar, edhe pse qëllimi i tij s'ishte të më lëndonte me ato fjalë.

Sërish heshta. Vështrova mendueshëm jashtë dritares makinat dhe ndërtesat që ndryshonin brenda sekondës, pastaj u përqëndrova te flokët e borës që kishin qëndruar në xhamin e makinës.
Ishin të vogla, të brishta. Mjaftonte një erë e lehtë për t'i marrë tutje, ose edhe më keq, një shi i shtruar për t'i zhdukur.
Po këtë krenarinë time kaq të madhe kush mund ta zvogëlonte pak? Kush mund të merrte për veten e vet një copëz të saj e të më hiqte një prej zinxhirëve që më shtrëngonin? A mund ta liroja unë veten time nga këta zinxhirë që i kisha krijuar dikur plot vetëdije?

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now