-Ç'je një edhe ti Fab! Po lër ndonjë pa ia thyer zemrën. Ç'kusur kanë të tjerët të të duan e më pas t'i lësh.
-S'ia kam vendosur askujt thikën në grykë e t'i them "Ose lidhu me mua, ose do të të marr shpirtin". Pastaj, dashurinë e përkufizoj tjetërlloj nga ti, e dashur Aria, - i tha shoqes së saj gjimnaziste me një nënqeshje tërheqëse në buzë.
Ulur në mensën e shkollës bashkë me Arian dhe Sejdin, ajo nuk vështronte as edhe për një çast të vetëm meshkujt për të cilët e dinte se për të linin kokën. I çonte në çdo cep të mundshëm sytë, në gjërat më të pavlera, te ndonjë mbeturinë që hidhnin të tjerët padashur poshtë, te ndonjë lule në vazo që ishte duke u vyshkur, por asnjëherë s'i shihte të tjerët.
-Shiko Fab, Aria ka pjesërisht të drejtë. Mirë, luaj me ata që duan të luajnë, por me Arvelin... Ai duket djalë i mirë. Dhe për më tepër e ka marrë seriozisht lidhjen me ty. S'të vjen keq ta lëndosh?
Rrotulloi sytë e bezdisur. Po, ai e donte, dhe po, ajo do ta lëndonte, por kujt i bëhej vonë fundja fundit? Asaj të paktën jo.
I pëlqente fakti se ai ndiente vërtet për të, që e trajtonte mirë e nuk e kishte mendjen ta fuste në shtrat që në takimin e parë që kishin bërë. Këto i interesonin, por asgjë më tepër.-Jo, - qe përgjigjja e thatë që i dha duke e parë drejt e në sy.
Sejdi psherëtiu duke tundur kokën. Ishte përpjekur me mijëra herë që t'ia mbushte mendjen të hiqte dorë nga këto lloj gjërash, por ajo kurrë s'ia kishte vënë veshin. Dhe ai e dinte se do vinte një ditë kur çdo gjë do t'i kthehej mbrapsht, se ekzistonte një Zot që shihte e dëgjonte, e për çdo mëkat që ajo bënte, një ditë do të jepte llogari.
Do ishte si një peng mëkati. Çdo mëkat që bënte do ta ndiqte pas si hije, derisa një ditë të gjithë do ta shtrëngonin, do ia zinin frymën, do ta vrisnin përbrenda. E atëherë, shpëtimin nuk i dihej nëse do ta gjente.***
Hapi derën e shtëpisë në Detroit dhe duke mos shfaqur as edhe një lloj ndjenje në fytyrë, ftoi Arvelin brenda.
-Është pak ftohtë, por mjafton të bëhet zjarri. Dhoma ngrohet shpejt, - i tha duke vënë buzën në gaz.
Ishte hera e parë që ftonte dikë në atë shtëpi. Që pas vdekjes së të atit, kishin ndërruar qytet me dëshirën e së ëmës e ajo shtëpi s'ishte shkelur kurrë më.
E kishte ndaluar kategorikisht të ëmën t'i tregonte Bredit për atë shtëpi, se të fuste një njeri të poshtër si ai në një vend aq të pastër, do ishte një ndotje, përdhosje kujtimesh, sidomos ndaj babait të saj të ndjerë.Por Arveli ishte ndryshe. Ai s'ishte si të tjerët. E donte me gjithë shpirt.
Ngadonjëherë donte t'i hapej, t'ia tregonte gjithë gjërat që ia rëndonin zemrën, por kishte frikë e s'e kuptonte pse.Pasi ndezën zjarrin, u ulën të dy në kolltuk e nisën të bisedonin.
-Qenka shtëpi e bukur. Vini shpesh këtu?
-Jo. Në fakt ka vite që s'kemi ardhur për të qëndruar, - ashtu si dhe herët e tjera, edhe këtë herë ia preu shkurt.
Askush s'po fliste. Arveli vështronte rrotull pa ditur ç'të thoshte, ndërsa ajo mendohej nëse kishte bërë gabim që i kishte folur ftohtë.
-Ime më s'mund të linte punën për të ardhur këtu dhe unë s'doja të vija vetëm, - foli pas pak më butë. - Ti ishe personi i vetëm që më shkove ndërmend. Me të tjerët s'kam dëshiruar të vij këtu.
Gotën me verë që kishte në dorë, e ktheu të gjithën. Fyti i përvëloi, por s'e dha veten. E mbushi gotën sërish.
Orët që pasonin i kaluan duke biseduar disi më lirshëm. Ndoshta ishte efekti i gotave që po rrëkëllenin njëra pas tjetrës.
Vetëdijen s'e kishin humbur plotësisht, por as nuk mund të thoshin se ishin koshientë për ato që bënin.Fjalët ndiqnin njëra-tjetrën, veprimet po ashtu, derisa e gjeti veten në krahët e Arvelit duke e puthur.
Lëvizjet e tij ishin plot xhentilesë, të kujdesshme, të bëra me dashuri.
I jepte puthje të ngrohta, të gjata, aq sa ajo edhe mund të pohonte se diçka po ndiente gjatë kësaj kohe.
E shtrëngonte fort pas vetes, si të kishte frikë se mos i largohej personi i vetëm që e dashuronte me gjithë shpirt.Ndaloi. Mori frymë thellë e ia kapi dorën. Pa bërë fjalë, shkoi në katin e dytë të shtëpisë, te dhoma e saj e gjumit.
Pasi mbylli derën, vështroi akoma dhe më thellë në sytë e tij dhe e puthi.
Në të ftohtë, prekjet e tij ishin i vetmi burim nxehtësie. Ishin të veçanta, ndryshe prej të tjerëve.Shtrati ku u shtrinë asaj iu duk më i butë se herët e tjera. Me trupin e tij mbi të sajin që i falte një siguri të paimagjinueshme, ajo ndihej thjesht... ndryshe.
Vetëm në atë moment po e ndiente që s'ishte plotësisht e vetme në botë. Kishte dikë që e donte. Dikë që ishte gati të sakrifikonte çdo gjë për të.Ndaj dhe e shijoi atë moment në maksimum, sikur asgjë të mos e kishte lënduar dikur, sikur ta dashuronte vërtet Arvelin.
Por vetëm ato momente qenë të tilla. E nesërmja do të ishte ndryshe, do ishte njësoj si gjithë ditët e tjera.
Të nesërmen ajo do ta lëndonte e me Arvelin më asgjë s'do të ishte njësoj. Që nga ajo ditë ajo do të vuante akoma dhe më tepër e kjo gjë do ta çudiste. Pse do ndihej ashtu për dikë që nuk e donte?Vonë, tepër vonë do ta kuptonte se ishte ajo vetë që kishte shuar me forcë atë shkëndijë që ishte krijuar brenda saj. E a kishte gjë më mizore se të vrisje me dorën tënde atë shpresë për të cilën kishe luftuar me kohë?
YOU ARE READING
Peng mëkati
General FictionSot jam peng i mëkatit tim. U ringjall ai mallkim yti që mendova se e kisha vrarë vite më parë. U riktheva sërish në kohën kur aq shumë dëm e dhimbje të shkaktova. Sot më duhet të paguaj, e s'më mbrojnë dot justifikimet e kota. Sot paratë s'më bëjn...