Mëngjesi i vonë i ditës së nesërme më gjeti në shtëpi bashkë me Bredin. Ime më po na priste e entuziasmuar te dera, me sytë që i shndrisnin nga lumturia kur më shihte me të shoqin, se me shumë mundësi kujtonte se midis nesh ishte krijuar një marrëdhënie e shkëlqyer si babë e bijë.
Duke qenë se e dija që përqafimin e parë të përmalluar do ta merrte Bredi ashtu si dhe herët e tjera, vetëm sa e përshëndeta mamin dhe u futa brenda.
Sapo kisha filluar të sistemoja ato pak veshje në dhomë kur një mesazh më erdhi në telefon.
"Mos harro se sot kemi takim në orën 12. Besoj se kemi shumë gjëra për të biseduar."
Psikologia kishte të drejtë. Shumë gjëra kisha në mendje që doja t'ia thosha. E gjëja më kryesore merrej me mend se do ishte çështja e një dite më parë, ajo puthje që më fali gjithë ato ndjenja, që natën më kishte mbajtur zgjuar e më vendosi në gjumë vetëm kur dielli filloi të lindte.
U nisa për tek ajo pasi hëngra disa biskota me kanellë që i gjeta rastësisht mbi banak në kuzhinë.
Rruga për të shkuar atje më ish kthyer njëjtë si një rutinë: nisesha në 11:45. Arrija në dymbëdhjetë fiks, e përshëndesja, ulesha në karrige dhe prisja që pyetjet të fillonin.
Dhe ky rast nuk qe ndryshe. Këmbëkryqëzuar, isha duke pritur pyetjen e parë.-Pra, Fabiolë, si kanë qenë këto ditë për ty?
U mendova para se t'i përgjigjesha, edhe pse përgjigjja ime qëndroi po ajo që ishte në fillim edhe pa u menduar fare.
-Ndryshe.
-Ndryshe për mirë apo për keq?
Shkunda supet në padije.
-S'jam e sigurt. Më duket vetja një lëmsh i pazgjidhshëm.
-Çfarë të ka ndodhur?
Krova lehtë fytin para se të përgjigjesha.
-Besoj se e mban mend djalin për të cilin fola herën e kaluar, Arvelin, ish të dashurin tim. Këto ditë kam kaluar kohë me të dhe...ndiej diçka ndryshe. Dua ta kem pranë, të kaloj më tepër kohë me të.
-Atëherë ti e pranon?
E dalë plotësisht jashtë teme, mblodha vetullat e hutuar.
-Të pranoj çfarë?
-Që e dashuron atë.
U bllokova. Fjalët e saj m'i morën të gjitha përgjigjet, të gjithë mundësinë për të lidhur fjalët me njëra-tjetrën.
Unë e dashuroja?... Dashuroja Arvelin? Sytë, shikimin, buzëqeshjet e tij shkëlqyese? Dashuroja atë që kisha lënduar? Atë që kisha përbuzur?Zemra më theri. Nuk e di nëse isha e lumtur apo e trishtuar të kuptoja se ajo ndjenjë s'ish gjë tjetër veçse dashuri.
-Dukesh e frikësuar, - më tha qetë kur vuri re përhumbjen time.
-Kam frikë se kjo ndjenjë do më lëndojë.
Kurrë s'i isha shprehur kaq hapur më parë, por më duhet ta pranoja se më çlirohej shpirti kur ia thosha gjërat siç i ndieja dhe i mendoja.
-Ai tha se më ka falur, por nuk e di nëse dëshiron që midis nesh të ketë sërish një lidhje.
-Pse nuk provon t'ia thuash? Tregoji se si ndihesh, pyete nëse ka mundësi të krijoni diçka së bashku. Të paktën kështu nuk do të jesh gjithë kohës në tension, nuk do ta mundosh veten me mijëra "jo" imagjinare.
-Çka nëse lëndohem?
Më tepër se për të, kjo ishte një pyetje për mua. Ishte pikërisht thelbi apo më mirë pikënisja e çdo veprimi që unë ndërmerrja: a do lëndohesha nëse bëja diçka të tillë?
-Por këtë nuk ke si e kupton nëse nuk e shpreh veten. Përfundimi nuk është në dorën tënde. Edhe nëse nuk shkon ashtu siç dëshiron, kjo s'do të thotë se është fundi. Është krejt e kundërta: do jetë ky momenti kur ti do ta lëshosh veten prej atij personi, do ta çlirosh edhe veten nga gjithë barra që ndien.
Ato fjalë i ruajta mirë në kujtesë, si të më motivonin në ditët pasuese e për më tepër në çdo frymëmarrje që bëja.
E dashuroja... Më kishin mjaftuar disa ditë për ta hedhur veten me dëshirë në atë vorbull dashurie, për të lënë ndjenjat të më përçaheshin e të mos i kontrolloja dot.
E dashuroja. Por çka nëse ai jo?
***
-Nuk e di se ç'e ka gjetur Bredin sot, po është duke u sjellë tmerrësisht keq, - më tha Sejdi nëpërmjet telefonit rreth tridhjetë minuta më vonë pasi e nisëm bisedën.
-Çfarë është duke bërë? - e pyeta ngadalë me vështrimin ngulur në laptop për t'u siguruar se nuk po bëja ndonjë gabim gjatë punës.
-Momentalisht është duke bërtitur si i marrë përpara një punonjësi. Mos ndoshta ka pasur ndonjë zënkë në shtëpi e tani po nxjerr nervat?
-Nuk e di. Dhe s'më intereson ta di.
-Sa më pëlqen kur s'e vret mendjen për asgjë, - tha duke qeshur. -Ohh, prit pak, gjërat po bëhen interesante.
E kisha parasysh qëndrimin e Sejdit në ato momente. Me shumë siguri kishte vendosur bërrylin në tavolinë e mjekrën e mbështeste në dorë teksa shihte si një grua e keqe se ç'po ndodhte.
Ai kishte të drejtë: Bredi ishte inatosur vërtet keq dhe aq shumë e kishte ngritur zërin, sa arrija t'i dëgjoja të bërtiturat e tij plot mllef.
-Oh, dreq, kjo ishte e rëndë.
Fjalët e tij më bënë përshtypje, ndaj e ndërpreva punën në laptop dhe u mbështeta mbas karriges.
-Çfarë ndodhi?
-Ndërhyri Arveli për të qetësuar situatën, po ky njerku yt përfundimisht që nuk ka shpresë për t'u përmirësuar. Filloi të zihet me të.
Ndjenja e shqetësimit që më përshkoi në ato momente bëri që ta kisha të vështirë të qëndroja në një vend.
Po vija rreth e rrotull dhomës sikur të gjeja qetësi nga ato ecejake të lodhshme.-Nuk i dëgjoj shumë mirë se ç'thonë, ama me aq sa më kapën veshët, fjalë më të rënda se ato që i tha Arvelit s'i ka thënë askujt tjetër.
-Për pesë minuta jam aty, - i thashë dhe ia mbylla telefonin.
Ndoshta nuk do arrija në kohë për të zbutur gjendjen midis tyre, por të paktën shpresoja të arrija në kohë për të qetësuar Arvelin. Fundja kjo ishte gjëja që më interesonte më tepër.
YOU ARE READING
Peng mëkati
General FictionSot jam peng i mëkatit tim. U ringjall ai mallkim yti që mendova se e kisha vrarë vite më parë. U riktheva sërish në kohën kur aq shumë dëm e dhimbje të shkaktova. Sot më duhet të paguaj, e s'më mbrojnë dot justifikimet e kota. Sot paratë s'më bëjn...