-Më falni për shqetësimin. E keni parë gjë të dalë vajzën që u regjistrua këtu pak më parë së bashku me mua? - pyeti Bredi recepsionisten e re që qëndronte gjatë gjithë kohës me sytë në kompjuterin përballë.
Ajo e vështroi në fytyrë për pak çaste, pastaj pohoi duke tundur kokën.
-Ka disa orë që është larguar në fakt. Që atëherë nuk është kthyer më.
Turfulloi i acaruar. Kjo ishte e tepërt për të: përveç faktit që e kishte lënë vetëm në një takim pune të shkurtër që ai mendonte se ishte të nesërmen, tashmë i duhej të shpikte edhe një mijë gënjeshtra për t'ia thënë të shoqes kur të binte fjala te Fabiola.
-Po atë djalin... - dhe këtu fjalët iu ndërprenë nga një telefonatë. E shoqja. Qershia mbi tortë.
Ndërkohë që u largua që aty për të gjetur një cep më të qetë ku të mund të bërtiste lirshëm nëse do ishte nevoja, Arveli hyri në hotel.
Vështroi Bredin që fliste, pastaj, duke qenë se i duhej të shkëmbente nja dy fjalë me të për çështje pune, vendosi ta priste nja dy metra tutje nga ku mundej ta dëgjonte qartë (edhe pse në fakt s'kishte as interesin më të vogël për të ditur se ç'fliste ai) dhe për më tepër Bredi, i kthyer me kurriz, s'mund ta shihte.Ndërkohë ky i fundit po sajonte gënjeshtër pas gënjeshtre për të dalë nga ajo situatë.
-Po, e kërkoi një shok nga fëmijëria. Më tha se do kalonte disa orë me të, por nuk e di se ku mund të ketë shkuar. Me ty ka folur?
-Jo, madje e kam telefonuar disa herë, por s'më është përgjigjur. Siç duket nuk dëshiron ta shqetësojmë.
Ai kroi kokën i sikletosur me veten, pastaj mendoi t'i trokiste një herë fatit në derë me shpresën se ky i fundit nuk do vendoste që thjesht t'i jepte një shkelm.
-Ke ndonjë ide se ku mund të jetë? Ku ta di unë, ndoshta ndonjë lokal të preferuar, ndonjë hyrje që mund të ketë marrë më parë dhe e përdor sërish.
Dhe e shoqja pa djallëzi do t'i ishte përgjigjur, nëse s'do të ish për Arvelin që gjasmë padashje do përplasej me Bredin e do ia hidhte telefonin poshtë.
-Dreqin, - tha ndër dhëmbë duke aktruar. -Më fal Bred, nuk e kisha edhe aq mendjen se ku ecja.
-S'ka rëndësi kjo. Ti ku ishe?
Kishte filluar të dyshonte që kohë më parë. Ndoshta ishte ai paranojak që mendonte se midis Arvelit e Fabiolës mund të kishte diçka, ose ndoshta midis tyre diçka vërtet po ndodhte. A s'ishin të çuditshme ato shikime që ata i hidhnin njëri-tjetrit? Apo fakti se të dy përhumbeshin herë pas here?
-Pikërisht për këtë desha të flisja. M'u desh të merrja disa dosje prej asistentit të Reinaldos, por prita rreth një orë e në fund ai më tha se i kishin dalë disa punë. Mos ndoshta ke marrë ti ndonjë kopje të tyre?
-Shkojmë t'i shohim një herë.
Fjalët e Arvelit, të cilat me thënë të drejtën ishin pjesërisht të vërteta, iu dukën bindëse.
E shoqja e kishte mbyllur linjën e ai kohë për të folur sërish me të s'kishte, për faktin e thjeshtë se deri të nesërmen puna duhej të përfundohej.E këtë herë Arveli kish arritur ta shpëtonte paq Fabiolën, por a mund të ndodhte po kështu edhe herët e tjera? Apo do të ish po ai që do ta fuste në telashe?
***
Pikëpamja e FabiolësTë nesërmen, pasi bëra gjumin më të mirë të jetës sime, çka më dha njëjtë si dikur një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore që më kënaqi shpirtin, mendova të merrja në telefon Sejdin e të bëja një bisedë të mirë me të. Kishte kohë që nuk kishim biseduar si më parë, ndoshta kam qenë unë ajo që s'e ka lejuar këtë gjë.
-Hej Sejd, ç'po bën? - i thashë ndërkohë që kisha dalë jashtë për të ngrënë mëngjesin te lokali pranë.
-Me punë ngela unë i shkreti, s'e kam në terezi si puna jote.
-E di e di, s'po të zë gjumi natën sa ngarkesë ke.
-Shiko, më mirë hyr direkt në temë sesa të më flasësh me ironi, - ma ktheu disa sekonda më vonë nga e keqja.
Buzëqesha.
-Eja pak tek unë. E di ti se ku, s'besoj ta kesh harruar.
Nga ana e tij për pak kohë nuk më erdhi asnjë fjalë, pastaj pas pak dëgjova një psherëtimë.
-Por tani s'ka mundësi në botë të vij. Fiks për dhjetë minuta do të nisë mbledhja.
Rrotullova sytë e mërzitur, por ky rrotullim qe si një mallkim për mua: për pak do kisha thyer qafën nga rrëshqitja në akullin e fortë.
-O Perëndi! - thashë e frikësuar dhe bëra disa frymëmarrje që të qetësoja pak zemrën që buçiste.
-Fabiol? Je mirë?
-Po, po. Atëherë kur të mbarosh punë eja drejt e tek unë pa të parë Bredi. Kam për të të treguar shumë gjëra.
-Edhe unë ty.
E përfytyroja shumë mirë Sejdin në ato momente: me një nënqeshje djallëzore në fytyrë, me sytë që shihnin si një dhelpër, duke parë rrotull se mos ndokush ishte duke e vështruar.
-Në rregull atëherë. Shihemi.
Ia mbylla menjëherë, ashtu siç bëja gjithmonë me të gjithë.
Futa duart në xhepat e thellë të palltos vishnjë që kisha veshur dhe ngadalësova ritmin me të cilin po ecja. Kisha mundësinë e artë të mblidhja veten gjatë kësaj kohe të shkurtër, ose të paktën kështu shpresoja. Doja të isha si dikur: të mos e vrisja mendjen për asgjë, ta jetoja jetën në maksimum teksa përpiqesha të luftoja dhimbjen, të rrënohesha fshehurazi, jo para syve të të tjerëve.E dëshpëruar, nxorra jashtë frymën që, në vend të më jepte jetë, më bënte të pendohesha për jetën që kisha.
Duke qenë se kisha plot 24 orë që stomakut nuk i kisha dhuruar asnjë gjë, mëngjesin aspak të shëndetshëm e hëngra me një shpejtësi marramendëse, çka pastaj si një mrekulli më dha një dhimbje barku.
Dhe para se të shkoja në shtëpi, u kujtova të gjeja ndonjë punëtor për t'i vendosur dritares një xham të ri, punë kjo që u mbyll brenda dhjetë minutave.
Tashmë s'më ngelej gjë tjetër veçse të prisja ardhjen e Sejdit.Është pak të them se u bëra dru nga mërzia për më tepër se tre orë, derisa ai më në fund trokiti në derën e kaftë të drunjtë.
-Hë Fab, ç'kemi ndonjë gjë? Ç'ke bërë?
-Kam hedhur valle tërë natën. Janë ankuar komshinjtë.
-Ti me këto ironitë e tua.
Ai rrotulloi sytë duke qeshur para se të rehatohej mbi kolltukun e butë.
-Hajde tani, shprehe veten. Ç'të mundon, ç'je duke menduar, pse erdhe këtu si fillim?
Pastaj do të t'i tregoj dhe unë gjithë gjërat interesante që kanë ndodhur, - e mbylli ai me po atë buzëqeshje djallëzore për të cilën unë po mendoja me veten time pak më parë.Para se të filloja të flisja, i hodha një tjetër dru zjarrit. Disa orë të mira do shtyheshin duke biseduar: do ishte mirë të qëndronim ngrohtë.
YOU ARE READING
Peng mëkati
General FictionSot jam peng i mëkatit tim. U ringjall ai mallkim yti që mendova se e kisha vrarë vite më parë. U riktheva sërish në kohën kur aq shumë dëm e dhimbje të shkaktova. Sot më duhet të paguaj, e s'më mbrojnë dot justifikimet e kota. Sot paratë s'më bëjn...