4

359 38 68
                                    

-Dreqin, ç'm'u desh të nxirrja telefonin nga xhepi! - monologoja me veten ndërkohë që isha duke parkuar makinën përballë një lokali të vogël e të këndshëm të qendrës.

Po, do takohesha me Arvelin. I ftohti më kishte mpirë mendimet e s'më erdhi dot asnjë gënjeshtër në mendje kur dëgjova zërin e tij në anën tjetër të telefonit.
"Dua të bisedojmë nëse ke kohë. E ndiej të nevojshme të sqarojmë disa gjëra," - qenë fjalët që i thashë, në dukje e qetë, por shpirti im e dinte se ç'trazim i madh po ndodhte brenda kësaj qenieje që herë- herë e urreja.

E pashë atë të ulur në një cep të dhomës, me shikimin fokusuar jashtë te ylberi që s'kishte shumë kohë që ish formuar.

Karizmatik kishte qenë gjithnjë, por ai largim për më shumë se shtatë vite e kishte ndryshuar shumë. I kishte shtuar burrërinë, i kishte dhënë një bukuri tërheqëse e një ndriçim të pashpjegueshëm në sy.

-Më fal nëse t'u desh të ndërprisje ndonjë punë të rëndësishme për të ardhur këtu, - qenë fjalët e mia hyrëse aspak përshëndetëse. S'jam njohur ndonjëherë për hyrje të mira.

-S'ka problem. Gjithsesi ishte e nevojshme të takoheshim.

Pas disa çasteve të qeta, kur unë po bëja porosinë time ndërsa ai diçka po bluante në mendje, pastrova fytin duke u kollitur lehtë dhe vendosa të hyja drejt e në temë.

-E di se veprimet e mia në të shkuarën të kanë lënduar. Shumë gjëra mund të kishin shkuar ndryshe. Ndoshta... mund të ishe i lumtur, mund të mos më urreje.

Sytë e tij po më shihnin aq thellë, sa nëse nuk do kisha tipin që kam, do isha skuqur e do kisha ulur direkt kokën. Por vazhdova ta shihja, për të parë ndonjë reagim apo diçka tjetër.
Dhe çuditërisht fytyra e tij ish si një dërrasë e pashkruar: asnjë ndryshim të vetëm, as një pulitje sysh, një ftohtësi e thellë e pandryshueshme.
Pastaj, për habinë time më të madhe, vuri buzën në gaz.

-Çfarë duhet të bëj që të të bind se nuk të urrej?

-Asgjë, sepse sërish s'do ndryshoj mendje. Çfarë? Është ndonjë lojë kjo që po bën? Të shtiresh në këtë lloj mënyre?

-Edhe pse jam shoqëruar me njerëz të shtirur, prej tyre s'kam marrë asnjë grimcë mossinqeriteti.

E kuptova se ato fjalë m'i drejtoi posaçërisht mua. Si i thonë asaj shprehjes? "Me të qeshur me të ngjeshur"? Kështu më duket. Dhe ai pikërisht ashtu sapo kishte bërë.

-Oh, sigurisht, edhe unë ç'po flas. Kam përballë Arvelin, shenjtorin më të madh të të gjitha kohërave.

-Shenjtor s'jam, ama disa gjëra kategorikisht ia kam ndaluar vetes. Si për shembull gjithë cilësitë që ti ke shfaqur dikur.

Ngrita njërën vetull. Ajo bisedë dy-dreq-minutëshe kishte filluar të m'i bënte nervat të hidhnin valle rrotull kokës. I urreja takimet që mbaronin më shpejt sesa nisnin.

-Në rregull atëherë, e di çfarë? E lëmë fare më mirë. Nuk e kuptoj se ç'më tha mendja kur të kërkova të takoheshim.

Mora çantën duke turfulluar përbrenda, por gjithsesi gjithë çka ai shihte tek unë ishte një pamje neutrale, pa ndjenjë.

Kisha dalë jashtë për t'u futur më pas te makina kur ai më kapi dorën e më drejtoi nga vetja. Sytë i xixëllonin, a thua se atje i binin gjithë rrezet e diellit ndërkohë që qielli ishte mbushur komplet me re të vrenjtura.

-Të kërkoj ndjesë. Kam qenë disi i ngarkuar me punë sonte e nga lodhja nuk e di më se ç'po flas. Takohemi ndonjëherë tjetër?

Do isha përgjigjur me shumë dëshirë "jo", se momentalisht doja t'i qëndroja sa më larg të mundesha që të mos e urreja më tepër, por gjuha foli më shpejt sesa mendja ime.

-Më lajmëro ndonjë ditë kur të jesh i çlodhur e të mos ua këpusësh fjalëve si të vjen.

Një e qeshur e lehtë e tërheqëse erdhi prej tij. A kishte qenë vërtet aq tërheqës edhe dikur e unë s'e kisha vënë re? S'e merrja dot me mend.

E përshëndeta e hyra në makinë; për te cili vend të shkoja akoma s'e kisha vendosur, pastaj, si dhe gjithë herët e tjera ku s'dija ku të përplasesha, mora rrugën më të njohur në botë: atë të shtëpisë (ndoshta jo më e dashura, por këtë mendim e lashë pas).

***

A ju ka ndodhur edhe juve që kur dëshironi t'i merrni gjërat me pozitivitet, të silleni me të tjerët më mirë, ndodh që ata bëjnë disa veprime të tilla, thonë të tilla fjalë, që kthejnë përmbys gjithë përpjekjet tuaja dhe gjithë çka bëni në fund është të bërtisni?

Dhe besoj se e morët me mend se një gjë të tillë isha duke bërë edhe unë.

-Jo, për atë Zot, jo! Më lër të qetë! Nuk dua të vij, ta thashë një herë!

"Babai" im i kujdesshëm ishte duke këmbëngulur që të shkoja bashkë me të në një konferencë pune që ai kishte në Detroit. Preteksti: "Epo tashmë Fabiola merr vesh nga punët e dizajnit, ka edhe një biznes të sajin, dhe unë s'gjej arsye se pse ajo të mos vijë me mua e të më japë një dorë ndihmë."

-Fabiola, Bredi ka të drejtë. Pastaj vetëm dy ditë janë. Unë do kisha shkuar me gjithë qejf, por pronari ma preu shkurt se nëse marr edhe një herë lejë, atëherë do pushohem. Ti e di që kohët e fundit e kam lënë shpesh punën.
Le që keni pak më tepër mundësi të kaloni kohë si babë e bijë, mund edhe ta shëtisni qytetin. Gjatë dhjetorit Detroiti është shumë i bukur.

Ja dhe ime më që, pa ditur të vërtetën, përforconte më tepër fjalët e të shoqit.

I rashë ballit me dorë.

-Kush do jetë tjetër? - pyeta me shpresë se mos ndoshta përgjigjia do ishte ndonjë "Anuelio", i dashuri im që prej katër muajsh, ose "Sejdi", shoku më i mirë që kam pasur që në fillim të gjimnazit.

-Po sigurisht që do jetë Arveli...

Sërish i rashë ballit me dorë.

-Xhasmina...

Nëse do kisha bërë të njëjtin veprim si më parë, ndonjë xhungë do më ishte formuar me patjetër.

-Anuelio dhe Sejdi.

-Bukur. S'do vij, - ia preva shkurt indiferente.

Por ndërkohë këto qenë fjalët e mia mëngjesin tjetër:

-Ma, mos më vono, Bredi po më pret në makinë!

Po, deri këtu arritën edhe fjalët e atyre të dyve.

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now