5

313 35 95
                                    

Puna e vendosjes në hotel për fat të mirë mbaroi shpejt. Por, meqë e nisa me "fat", atëherë mundem edhe të them se për fat të keq dhoma e Bredit ishte ngjitur me dhomën time.
Më hodhi disa fjalë me spec, por nuk e zgjati shumë; duhej me patjetër të merrej me disa shkresurina pune.

Arvelin nuk e kisha parë fare atë mëngjes dhe më çuditi vetja ime kur hidhja sytë jashtë dritares për të parë nëse dilte prej ndonjë makine e hynte brenda në hotel.
Ç'ishte ai interesim, as vetë s'po e kuptoja.

-Fabiola, më kishtë marrë malli për ty.

Ish zëri i Anuelios. Nga pas, ai më rrethoi belin me duar e më afroi pranë vetes ngadalë. Më la një puthje në qafë që s'më shkaktoi asnjë lloj ndjenje.
Kishte filluar të më mërzitej. E dija se nuk më donte, madje aspak, por ashtu si dhe gjithë të tjerët donte thjesht të luante me trupin tim, diçka që deri më tani nuk ia kisha dhënë askujt, përveç Arvelit, se e dija që dashuria e tij ishte e sinqertë.

Nga jashtë dritares, teksa Anuelio vazhdonte me puthjet e tij të ngadalta në qafën time, sytë më zunë Arvelin.
Ai e ngriti vështrimin instiktivisht, si të donte të shihte se si dukej hoteli nga afër, dhe sytë i ndaluan tek unë.

Zemra më trokiti fort. Ai shikim sikur më goditi thellë në zemër. A më turbulloi ajo e kaftë që më shikonte ngulmas? Apo ndoshta ishte shiu që më shkaktoi të tillë ndjenjë?
Pa u menduar dy herë, u largova prej Anuelios dhe bëra hapa larg tij.

-Ç'ndodhi?

Tentoi të më puthte sërish. E shtyva më me forcë se në fillim. Tiparet e fytyrës më ndryshuan nga neveria.

-Mjaft. Nuk dua ta vazhdojmë më këtë lidhje. Jam mërzitur.

Pikërisht sa hapa derën e desha të dilja jashtë, u ndesha me Arvelin, me të cilin për pak do isha përplasur. U soll sikur të mos më kishte parë fare dhe u largua.

Përse më mërziti ai veprim i tillë? Përse bëri që të më ngriheshin akoma dhe më tepër nervat me Anuelion që vazhdonte të
më fliste?

-Anuelio, të lutem, jam në pikun e nervave. Mos e bëj veten vendi ku do nxjerr gjithë inatin, - i thashë ftohtë duke shtrënguar dhëmbët.

-Dua një shpjegim.

-Ç'dreq shpjegimi? Unë s'të dua, ti s'më do. Kaq.

-Ti do atë, apo jo? E di që s'jam duke gabuar.

-Për kë je duke folur?

Rrudha vetullat dhe bëra një nënqeshje të vogël. Më çudiste se si fliste aq me siguri. Më bënte edhe mua të dyshoja nëse doja vërtet dikë apo jo.

-Mos u tall me mua Fabiola. E dimë shumë mirë që të dy se për kë e kam fjalën.

-Të prish punë ty edhe nëse e dua? S'do të të zërë gjumi natën? Do djegësh gjithë hotelin?

Shtrëngoi nofullat fort e hoqi vështrimin tutje duke u përpjekur të qëndronte i qetë.
Dhe pas një vërtitjeje të vogël të dorës në ajër, tha:

-Lëre fare më mirë. Ta mbyllim që tani pa u zënë.

E mira e tij kjo ishte: bënte çdo gjë që të pengonte shfaqjen e ndonjë zënke të madhe plot me të bërtitura.

Do doja të kisha ikur jashtë për qejfin tim, por kur u kujtova se më duhej të ndihmoja Bredin, psherëtiva e mërzitur dhe u drejtova te dhoma e tij. Orë të gjata e të lodhshme më prisnin.

***

-Ta dish që kjo ndihmë ishte vetëm për sot. Nesër dua të kënaqem. S'kam ndër mend të të ndihmoj ty.

Sytë e tij qeshën e po xixëllonin nga mendime që nuk i merrja dot me mend dhe duhet thënë se për këtë ndihesha fatlume.

-Nëse dëshiron mund të qëndrojmë më gjatë. Kënaqemi së bashku.

-Nëse dëshiroj mund të qëndroj më, - ia ktheva duke theksuar fjalën "qëndroj", për t'ia bërë të ditur se më të as edhe një sekondë më tepër s'doja të qëndroja.

-Hë pra Fabiola, do jetë qejf. Vetëm ne të dy, për aq kohë sa të kemi nevojë.

Mbylli derën që kisha hapur e më tërhoqi drejt vetes. Duart e tij më kapën belin. Më neveriste tek ndieja ato duar të më shtrëngonin e atë frymëmarrjen e tij mbi fytyrën time. Ajo afërsi po më çmendte, po bënte të më dridhej trupi nga inati.

-Më lësho, - fola fillimisht qetë. Përpjekjet për të mos u dukur e frikësuar funksionuan.

-Por të dëshiroj kaq shumë.

Deshi të më puthte. Të gjithën trupin e kisha të ngjitur me të dhe si për inat edhe me murin.
E tashmë, përveç inatit, fillova të dridhesha edhe nga frika.
Shtrëngimi i tij s'më linte të lëvizja, po më merrte frymën.

-Më lësho ose do bërtas! - i thashë kërcënuese.

A dëgjonte dot një mur? Ashtu nuk dëgjonte edhe Bredi. Ndaj fillova të merrja frymë thellë si për të parapërgatitur veten për një të bërtitur tejet të fuqishme.
Por në ato momente, si një shpëtim për mua, dera u hap me të shpejtë, pa as edhe një të trokitur.

-Më duhet të...

Heshti kur e pa Bredin që më kishte shtrënguar me zor pranë vetes. Sytë i ndërruan shprehje, por nuk arrita ta kuptoja se ç'ndjeu vërtet, edhe pse shumë dëshiroja ta bëja.

U largova nga ai mashkull i neveritshëm duke ia hequr dorën plot inat, pastaj, me kokën ulur pa dashur të shihja në sytë e Arvelit (në fakt më tepër s'doja që të shihte ai në sytë e mi të përlotur), hyra shpejt në dhomën time, mora portofolin dhe u largova me të shpejtë që aty për të dalë më pas jashtë hotelit.

Mendja më ishte bërë lëmsh. Fundja, e gjithë qenia ime ashtu ishte.
Më dhimbte kraharori e më digjnin sytë. Pse s'po merrja dot frymë? Përse më dridhej trupi? Ku ishte ai ajër i lagësht për të cilin kisha aq shumë nevojë?
Po mbytesha. Por nga se? A kaq të rënda ishin mëkatet e mia sa më duhej t'i shpaguaja në të tillë mënyrë? Në një agoni dhimbjeje e vetmie të përjetshme?

Ashtu si në jerm, pa ditur mirë ç'mendoja e ç'bëja, vendosa të ikja larg të tjerëve aty ku shpirti im dhimbte e njëkohësisht fluturonte.
A s'kishin shkuar të gjithë në djall? Doja të qetësohesha, për dreq doja të kisha pak kohë vetëm për veten time, të merrja frymë lirshëm.

E përlotur, mora një taksi dhe me një zë të fjetur i dhashë një adresë që do qëndronte e ngulitur përjetësisht në zemrën time.

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now