24

307 31 60
                                    

-Fab?

Dhimbjen që doja të shihja tek Arveli për atë çka po bënte, e pashë te Sejdi, tek i vetmi person që doja të gëzonte, të vendoste një buzëqeshje të madhe në fytyrë sa të arrinte deri te veshët.

E gjeta jashtë shtëpisë së Arvelit, duke më pritur mbështetur pas murit të ftohtë e të lagur nga shiu e bora.

Me hapa të vegjël e mekanikë shkova drejt tij. Lotët më ishin tharë në sy, por dhimbje shihej në çdo pjesë të trupit tim.

-Më ço larg që këtu, - iu luta qetë me zërin e akullt.

M'u bind menjëherë. Hyri brenda makinës, priti derisa të hipja unë e më pas u nisëm.
I dhashë adresën e psikologes dhe pastaj në heshtje e mbështeta kokën mbas xhamit të ftohtë.

Nuk e dija sa kohë kaloi, nuk e dija nëse kaluan minuta apo orë që udhëtuam, nuk e dija nëse jashtë ishte natë apo thjesht sytë e mi shihnin atë që kisha në brendësi: errësirën.

Vetëdija më erdhi vetëm kur Sejdi më shkundi lehtë në krah e më tha "arritëm".
Nga përhumbja, s'e falenderova, por hapa derën e dola jashtë në terr.

Disa trokitje të lehta lashë në derën e zezë e të fortë. Prita. Trokita sërish. Prita përsëri. Do trokisja për të tretën herë nëse dera nuk do hapej e atje të shfaqej psikologia ime e durueshme.

-Fabiola?

E vura re tronditjen në sytë e saj kur më pa aq mjerueshëm, por nuk tha asgjë që mund të më lëndonte.

-Eja, hyr brenda, mos rri në të ftohtë.

-Më fal që të shqetësoj tani kaq vonë, - i thashë teksa hyja brenda.

-Ç'është ajo fjalë? Të kam thënë me mijëra herë të vish tek unë nëse ke nevojë. Këtu, hyr te kjo dhomë.

Më bëri me shenjë te një dhomë e vogël, një lloj zyre në shtëpi.
Para se të futesha, një zë fëmijë dëgjova, që qeshte e lumtur një kat më lart.

-Është vajza. Luan me të atin, - më shpjegoi duke më dhënë një buzëqeshje.

Zemra më theri. Sikur të kisha edhe unë mundësi të luaja edhe një herë me tim atë.

U ula në një prej kolltukëve të zinj të vegjël e të butë. Prita të ulej edhe ajo para se të filloja të flisja.

-Çfarë ka ndodhur?

Sërish mora frymë thellë, nuk e di se për të satën herë atë ditë. Shqetësimi i saj, në vend që të më bënte të flisja më lirshëm për faktin e thjeshtë se ajo ishte duke u interesuar për mua, më bëri të stepesha.
Disa çaste më kaluan në heshtje, duke përpunuar ato që do thosha.

-Jam e lodhur. Nga gjithçka.

Shtrëngova duart fort. Vështrimin e fokusova në shkresurinat sipër tavolinës së saj të punës.

-Nuk kam më forcë për të vazhduar para. Ndihem...e lënduar.

-Pse?

Një lot më ra në faqe. Në qetësinë e asaj nate, Arveli më erdhi akoma dhe më fort në mendje.

-Nuk e dua më këtë jetë, - i thashë dhimbshëm pa iu përgjigjur pyetjes së saj.

Heshtja e saj më bëri të kuptoja se fjalë të tilla s'i kishte pritur. E ndoshta as unë s'e mendoja se mund të thosha të tilla gjëra.

-Asgjë nuk më mban më këtu. Askush. Jam...vetëm. Atë e humba përjetë.

Si një e vdekur qëndroja atje. E dija gjendjen time në ato momente: fytyra më ish zverdhur e gjitha, bashkë me të edhe buzët, sytë s'më shprehnin ndjenjë, vetëm sa humbisnin rrotull në gjërat më të zakonshme, trupi s'më bënte asnjë lëvizje. Gjithçka në qenien time kish ngrirë.

Peng mëkatiWhere stories live. Discover now