Kapitulli 20

349 55 15
                                    


Të hënën u zgjova shpejt në mëngjes. Në orën shtatë e gjysmë duhet të isha në zyrën e zotit Filips. Bëra një dush të shpejtë dhe dola me furri nga shtëpia. I hipa motorit dhe u nisa drejt veriut të qytetit ku ndodhej dhe kompania e ndërtimit. Për gati dhjetë minuta ndodhesha atje. Parkova motorin në rrugën përballë kompanisë. -Përshëndetje zotëri, si mund t'ju ndihmoj?

-Zoti Filips më pret në zyrë.

-Më falni, kush?

-Zoti Filips, një prej aksionereve të kësaj kompanie.

-Më falni për një moment.

Portieri u largua disa metra larg meje, mori dikë në telefon dhe seç po bisedonin. U krijua një situatë e tensionuar. Si mund të harrojë punonjësi emrin e pronarit të tij? Kjo po që është e çuditshme. Pas pak , portieri erdhi drejt meje me një shprehje fytyre komplet ndryshe nga ajo që kishte para se të fliste në telefon.

-Më falni për vonesën,-më tha.-Unë jam i ri këtu dhe kompania ka disa pronarë, prandaj dhe i harroj emrat e tyre. Sapo fola me zotin Filips dhe ai po ju pret në zyrë. Zonja që është në holl do t'ju shoqërojë deri në zyrën e tij.

Po shikoja në drejtim të hollit dhe atje ndodheshin disa zonja, nuk dija te kush të drejtohesha.

-Më falni, po kush prej tyre!- i thashë sërish portierit ndërsa vazhdoja të ecja.

-Oh, ajo zonja atje me këmishën e bardhë.

-Faleminderit!

-Mirë se erdhët!

Eca drejt zonjës me këmishë të bardhë, e cila më dha një buzëqeshje mirësjelljeje.

-Këtej!-më tha duke e drejtuar dorën në drejtim të një korridori të gjatë.

-Pas jush!-iu përgjigja.

Kompania e zotit Filips gumëzhonte nga punëtorët dhe nga klientët që hynin e dilnin prej zyrave. Kur mbërritëm tek zyra e zotit Filips, zonja me këmishë të bardhë u largua.

-Përshëndetje Kristi!-më tha zoti Filips duke u ngritur nga karrigia e tij dhe duke ardhur drejt meje.-Dëshiron çaj, kafe?

-Jo ju faleminderit! Mund të hyjmë direkt dhe në temë?

-Shoh që mezi po prisni të filloni punë, apo jo?

-Puna të mban gjallë, zotëri.

-Ke të drejtë djalosh! Atëherë, nesër do të fillojmë ndërtimin e një kompleksi në qendër të Bayfield-it. Puna fillon në orën shtatë dhe përfundon në katër mbasdite. Në orën një ka një pushim rreth dyzet e pesë minuta për drekën. Në rast se do të marrësh leje, nëse do paradhënie, nëse ke nevojë për ndonjë ditë pushim përveç të dielës, e cila do të jetë gjithmonë pushim meqë ra fjala, duhet të më drejtohesh gjithmonë mua. Rroga do të ndryshojë në varësi të punës tënde. Sa më shumë të ambjentohesh me punën, do të kesh edhe rritje rroge. Fillimisht rrogën do ta kesh dymijë paund, për më vonë do të flasim.

-Dymijë paund?!

-Po, mos iu duket pak?

-Oh jo zotëri. Në fakt unë u habita, nuk prisja një rrogë të tillë.

-Pra je dakort për të filluar punë?

-Po patjetër!-pranova unë i entuziazmuar.

-Do të takohemi nesër atëherë.

-Po zotëri.

-Mirupafshim atëherë!

-Mirupafshim zotëri!

Dola nga kompania shumë i gëzuar. Asnjëherë nuk kemi pasur një rrogë të tillë në shtëpi, qëkur Luisi u largua. Do të organizoja patjetër një darkë. Bleva ëmbëlsirë, pije freskuese dhe pica para se të shkoja në shtëpi. I hipa motorit dhe po i jepja si i çmendur. Mezi prisja t'i tregoja mamit për punën time të re. Sa do të gëzohej ajo! Do të fillonte me bekimet e saj, do qante dhe do më përqafonte e gëzuar.

Isha në fillim të rrugës që të çon për në shtëpinë time kur pashë njerëz që hynin e dilnin prej shtëpisë sime. Çfarë kishte ndodhur?! Zbrita nga motori dhe vajta me vrap drejt shtëpisë. Turma e njerëzve s'po më linte të hyja brenda.

-Hapuni! Hapuni ju thashë! Çfarë po ndodh? Ku janë mami dhe Lea?

Të gjithë po më hidhnin një vështrim që shprehte mëshirë. Pëshpërisnin me njëri-tjetrin, arrita të dëgjoja vetëm copëza fjalish: "Vdiq", "e shkreta", "jetimët e gjorë". Mos, mos mami..

-Hapuniiiiii!

Më në fund u futa brenda në shtëpi. Në kuzhinë ndodhej një kaos: perime të rëna përtokë, ujë që ishte derdhur nëpër bufe dhe mami im e shtrirë në dyshemenë e mbuluar me gjakun që kishte dalë prej hundëve të saj.

-Maaa!-bërtita unë i tmerruar. Ajo s'mund të kishte vdekur. Shkova drejt saj dhe ia mora kokën në dorë.

-Ma, më dëgjon? Ma jam Kristi, përgjigju, ma! Të lutem!

Lotët po më rridhnin currg dhe s'po e kontrolloja dot veten.

-Merrni ambulancën! Merrni ambulancën!- po bërtisja si i shkalluar.

Ndërkohë që ambulanca po vinte, po e tundja mamin, i bëra frymëmarrje artificiale, por asgjë. Errësira po ia përpinte shpirtin. Ajo s'mund të largohej nga unë pikërisht në momentin ku unë po bëja një gjë që me të vërtetë do ta bënte krenare, nuk mund të largohej pa e parë se në çfarë djali po kthehesha. Pas një minute ambulanca mbërriti. Të gjithë njerëzit dolën jashtë. Doktorët e shtrinë mamin në barelë dhe po nxitonin ta fusnin në ambulancë. Ishte ende gjallë. Faleminderit Zot! Sapo do të futesha në ambulancë edhe unë kur u kujtova: Lea.

-Ikni para!-i thashë mjekëve.

Tek dera e shtëpisë ndodhej teta Ana. Shkova me vrap drejt saj.

-Teta Ana, Lea, ku është Lea?

-Mos u shqetëso, xhan, është në shtëpinë time, e kam lënë me Mateon. Lea është e sigurt me mua, shko tek mami tani, ajo ka me shumë nevojë për ty.

-Faleminderit!- i thashë dhe shkova tek motori që më kishte rënë në mes të rrugës dhe u nisa drejt spitalit. Kur mbërrita, shkova tek recepsioni dhe i kërkova të më thonin ku ishte mami.

-Tani sapo erdhi,- i thashë.- Sapo erdhi me ambulancë.

-Më thoni emrin djalosh. Shumë pacientë vijnë në të njëjtën kohë.

-Dona, Dona Uajt.

-Mmm, mamaja juaj është futur në sallën e operacionit. Ju lutem, të uleni diku dhe të prisni. Operacioni do të zgjasë disa orë.

U ula i përhumbur nga tmerri. Para syve më dilte vetëm mami e shtrirë përdhe, e lyer e gjitha me gjak. Pse po ndodhë e gjitha kjo? Ajo ka qenë mirë, është vizituar në mënyrë të vazhdueshme, më ka thënë se i ka pirë edhe ilaçet apo..."nëse një ditë unë s'do të jem afër teje Kristi..".. apo gjithçka ka qenë një gënjeshtër e madhe. Mos kam jetuar këtë muaj në një gënjeshtër të madhe? S'mund të jetë e vërtetë! Pse duhet të më gënjente, xhanëm? Pse!

S'mund t'ia hape rrugën vdekjes kaq shpejt, jo kaq shpejt. Minutat m'u bënë vite e orët shekuj. S'po duroja dot më. Pyesja në mënyrë të vazhdueshme nëse operacioni do të zgjaste edhe shumë, po s'po merrja dot as edhe një përgjigje.

-S'ka asnjëri që të më përgjigjet në gjithë këtë spital!- po ulërisja i nervozuar.-As edhe një!

-Djalosh, qetësohuni, ka dhe pacientë të tjerë të sëmurë,- po më thoshte recepsionistja me zë të ulët. Po unë nuk ndaloja së bërtituri.

-Dua të takoj time më! Tani!

Vazhdoja të bërtisja me sa kisha në kokë, derisa dy infermierë më kapën në të dyja krahët dhe njëri prej tyre më injektoi një qetësues. Rashë në gjumë!

Te mungoj?(COMPLETED)✔Donde viven las historias. Descúbrelo ahora