Të nesërmen u ngrita herët. Vesha një palë tuta dhe një bluzë dhe shkova për vrap nga liqeni. Ishte goxha freskët dhe era përplasej tek unë me furi. Megjithatë vazhdova të vrapoja dhe për nja 30 minuta, më pas shkova tek një bar aty afër, që quhet "Nature Bar". U ula tek një tavolinë që ishte me pamje nga liqeni. Pas pak erdhi kamarieri dhe më pyeti se çfarë dëshiroja. Porosita një filxhan çokollatë të nxehtë, pasi kisha nevojë të ngrohesha pak. Sa të vinte porosia ime po soditja nga liqeni. Njerëz që vinin e iknin, në të majtën time ishin disa fëmijë që ishin duke luajtur me të kapura, një çift ishte ulur tek një stol afër liqenit dhe dukej se po debatonin, një çift të moshuarish po ecnin pranë të kënaqur nga jeta që i kishte bekuar me praninë e njëri-tjetrit. Po përfytyroja se si do të ishte jeta ime me Amin. A do të ishim ne si këta dy të moshuarit që po kalonin, të pandarë dhe të përmbushur nga gjithçka që mund t'i kërkojmë jetës? Verës po i vinte fundi dhe jo për shumë kohë duhet të vendosnim se çfarë duhet të bënim me jetët tona. Ndihesha kaq i pasigurt dhe i shqetësuar. Ku do të na degdiste jeta? Shpresoja të më dilte një shkollë e lartë, që të më bënte të denjë për Amin. Ajo studionte kaq shumë, madje kishte shkruar dhe një libër kriminalistik, kurse unë asgjë. Gjithë jetën time e kisha çuar dëm, duke shkatërruar gjithçka përreth meje, jo vetëm veten. S'kam qenë një djalë për të cilin ime më duhet të ishte krenare, s'kam qenë një vëlla që t'i bëja ballë problemeve të motrës sime, s'kam qenë as një njeri, për më tepër që të kisha synime, kërkesa për veten.
Biçikletat kalonin si shigjeta para syze të mi, duke e shfletuar kujtesën time faqe për faqe. Doza e mërzisë që më ishte ngulur në shpirt më kishte larguar nga e tashmja. S'e ndjeva fare kamarierin që më erdhi tek tavolina, as njerëzit që kalonin afër meje dhe largoheshin ose uleshin për të marrë ndonjë gjë në bar. Një e prekur në sup, m'i mbylli portat e kujtimeve me zhurmë. Ktheva kokën pas. Në fillim nuk po e kuptoja se kush ishte, por pak nga pak e kujtova. Ishte burri që ndihmova tek parkingu i dyqanit të ushqimeve.
-Përshëndetje!-më tha.
Iu përgjigja po njësoj dhe po prisja të dëgjoja se çfarë kërkonte.
-Mund të ulem?
Pranova disi me mëdyshje, duke qenë se unë nuk e njihja këtë njeri dhe s'e dija se çfarë mund të bisedoja me të.
-T'ju porosis diçka zotëri?
-Oh, do të ishte shumë e sjellshme nga ana juaj!-m'u përgjigj.
-Më falni!- i thashë kamarierit duke ia bërë me dorë që të vinte tek tavolina ime.
-Si mund t'ju ndihmoj?
-Më sillni një çaj për zotërinë. E pini çajin apo jo?- i thashë zotërisë që ishte ulur me mua.
-Po, po, çaji është shumë mirë.
-Atëherë një çaj boroice,-i thashë kamarierit, i cili e mori porosinë dhe u largua.
Duke u kthyer drejt, iu drejtova zotërisë:
-Si mund t'ju ndihmoj?
-Fillimisht më lini të prezantohem. Unë jam zoti Filips.
-Kënaqësi që ju takoj!
-Kënaqësia është e imja djalosh. Më pëlqyet shumë atë ditë te parkingu, dukeshit që ishit një djalë i mirë.
-Më falni, po ç'lidhje ka gjithë kjo? Unë as ju njoh, pse po m'i thoni gjithë këto?
-Do të doja t'ju ndihmoja.
-E kush tha që unë kam nevojë për ndihmë?- iu ktheva zotërisë Filips disi i irrituar.
-Oh, mos më keqkuptoni. Kam pyetur për ju Kristi dhe e di historinë e familjes suaj.
KAMU SEDANG MEMBACA
Te mungoj?(COMPLETED)✔
RomansaNje premtim. Ai dhe ajo. A jane te fuqishem mjaftueshem sa t'ia dalin mbane sfidave te jetes? A ja vlen te luftosh per dashurine dhe kur universi ju do te ndare? A i thyeni dot barrierat e krijuara me fuqine e ndjenjave tuaja? "Pergjithmone, Ami?"...