Pjesa 4.

757 86 201
                                    

Ishte zgjuar herët atë mëngjes dhe pse kishte fjetur thuajse në agim. Nuk donte të dukej si ndonjë maniake librash, por ishte pakëz.

Nuk donte të lexonte aq, po as vetë s'e kuptonte si përhumbej në jetën e ca personazheve krijuar nga ndonjë mendje trilluese e shpirt i talentuar. Ama, i pëlqente kjo ndjesi, të humbiste sensin e kohës nëpër rreshta gërmash, fjalësh lidhura hijshëm me njëra-tjetrën.

Ndryshe nga një ditë më parë bëri një dush të nxehtë. Për një moment dëshiroi të qëndronte përgjithmonë aty, humbur në avujt dehës që kishin veshur dritaren e pasqyrën.

Nuk e zgjati shumë, se nuk donte t'i hynte ndonjë valleje të gjatë mendimesh të cilat mund ta merrnin në qafë. Rrethoi atë peshqirin e bardhe pas trupit paksa të mbushur e, u drejtua drejt dhomës së saj.

I buzëqeshi bluzës gri me një arush të gëzuar stampuar mbi të dhe në sekondin e ardhshëm e gjeti veshur, bashkë me pantallonat e rehatshme të zeza.

Thau flokët duke bërë që kaçurrelat të merrnin formën e tyre të munguar.

Shmangu tualetin, përveç zbutësit të buzëve të cilin e përdorte si një mburojë për të mëndafshtat buzë të sajat, që acari dhjetorak kishte aq epsh t'i provonte, t'i plasariste.

Doli nga dhoma duke mos harruar të vendoste atë buzëqeshjen në fytyrë të cilën ua kishte premtuar të gjithëve, por në rradhe të parë vetes.

Kishte nevojë për atë buzëqeshje për të trembur atë kancer portokalli.
Buzëqeshja zgjon forcën që fshehur qëndron në shpirt. E ç'prangos atë.

Pa se edhe e ëma ishte bërë gati dhe me të veshur përsëri atë xhup ngjyrë mjalti, krahas së ëmës dolën për t'u përballur me erën e ftohtë mëngjesore të asaj dite.

Kishin vizituar doktoreshë Enxhin një ditë më parë dhe me ëmbëlsinë e rrallë që e karakterizonte, u kishte shpjeguar avantazhet e një spitali privat. Samanta nuk kishte dashur, se s'donte të rëndonte nga gjendja ekonomike familjen, ndonëse ishin mjaft mirë, por këmbëngulja e së ëmës e cila thoshte se do bënin më të mirën për ta shëruar' s'i kishte lënë tjetër zgjidhje, veçse të pranonte.

Doktoresha ishte treguar mjaft e mirë, duke i rekomanduar dhe një onkolog të njohur, sipas fjalëve të saj, në Spitalin Amerikan, madje u kishte lënë dhe takim me të për të folur mbi detajet e sëmundjes dhe metodat e kurimit.

Këto mendime e shoqëronin teksa qëndronte në këmbë në atë autobus të mbipopulluar të kryeqytetit, pasi i kishte liruar vendin një zonje rreth të shtatëdhjetave me siguri, e cila e kishte uruar mijëra herë, pasi kishte probleme me te uruarat këmbë, urime të tipit "me ndonjë fat të mirë" apo edhe "hajër ta bëftë zoti"

Me mirësjellje e kishte falenderuar duke buzëqeshur dhe tashmë qëndronte ngjitur me një tip, veshur në të zeza, me pirsing në hundë dhe vetull, i cili e shikonte nga koka deri te këmbët sikur do e hante me sy.

Falenderoi zotin kur autobusi ndaloi, se situata ishte bërë e lodhshme dhe e mërzitshme, e zbriti nga autobusi duke pritur në trotuar të ëmën.

I ftohti godiste faqet e saj të përskuqura tashmë, teksa ecnin për të shkuar në godinën e Spitalit Amerikan.

Sapo vuri këmbën në spital vuri re  ndryshimin nga QSUT në të cilin kishte qënë një ditë më parë. Dukej sikur ishte tjetër botë, tjetër vend, larg zhurmave buçitëse, aromës së pakëndshme të ilaçeve, ambienteve vende-vende të mykosura, rradhës së gjatë të pacienteve.

Përballë derës vunë re një vajzë të hijshme e cila tepër e përqëndruar në ekranin e laptopit, fliste në telefon me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. A thua se personi në anën tjetër ishte duke parë buzëqeshjen e saj?

Një frymëmarrje më shumë.Where stories live. Discover now