Pjesa 28.

624 73 87
                                    

Shpirti i fërgëllonte. I dridhej bashkë me zemrën e çdo qelizë të sajën. Ndiente sytë t'i përvëloheshin nga i nxehti, aq sa nuk i mbante dot hapur. Ishte zhytur në një errësirë flakëruese për të. Teksa merrte frymë me vështirësi, ndiente lotët edhe më të nxehtë se fytyra t'ia vishnin e pershkonin si rrebesh të kuqtat faqe.

Donte të ngrihej, por dukej sikur i gjithë trupi i ishte shkarkuar. Dukej sikur i rëndonte shpirti e gjithë qenia e saj në vetvete. Dukej sikur asnjë nga muskujt e trupit nuk i bindeshin më asaj.

Duhet të ishte mesnatë, ose ndoshta mesnata kishte kaluar. Kishte qënë e lodhur atë ditë dhe ndihej e rraspakitur. Askujt nuk i kishte bërë përshtypje lodhja e saj, sepse në fund të fundit ishte cikli i dytë i kemios dhe ishte normale të ndihej e lodhur, kështu që ajo thjesht sa kishte shkuar herët në shtrat e gjumi e kishte përpirë.

 Ishte përhumbur për t'u zgjuar tashmë edhe më e përhumbur se më parë. Nuk ishte në gjumë dhe as zgjuar nuk ishte. Midis reales dhe një bote tjetër e ndante një fijë e hollë të cilës s'po i gjente dot fillin.

Mbylli sytë në pamundësi për t'u ngritur. Ishte më e lehtë të gjeje fillin e fijes së hollë drejt asaj bote tjetër, sesa reales.Realja i dukej aq e largët, thuajse e pamundur.

I hapi sytë përsëri më vonë. Nuk dihej sa kohë kishte kaluar, por me sforcarje përshkoi dorën në fytyrë. Ishte zjarr. Ndjeu frymëmarrjen mbi pëllëmbën e dorës dhe dora i përvëloi sikur të kishte mbajtur ndonjë copë thëngjilli të ndezur në të. 

Me këmbë, largoi jorganin dhe bëri të ngrihej, por forcat e kishin braktisur. Nuk fliste dot, ishte tepër e përhumbur.

Qëndroi për disa minuta të tjera në heshtje, derisa filloi të kthjellohej. Zgjati dorën drejt komodinës në tentativë për të kapur gotën e qelqtë, por vetëm majrat e gishtave nuk mjaftuan, kështu që ajo ra poshtë duke u thyer e duke shkaktuar një zhurmë të fortë kërcitëse.

E dorëzuar lëshoi dorën dhe vazhdoi të marrë frymë aq rëndë, derisa ndjeu sytë t'i vriteshin nga drita e dhomës.

Ishin prindërit e saj dhe Daniela, të cilët kishin dëgjuar thyerjen e gotës dhe të shqetësuar kishin fluturuar drejt dhomës së saj.

Menjëherë e ëma u turr drejt saj ashtu këmbëzbathur si ishte e në atë çast nuk e ndjeu copën e xhamit t'i gjakoste këmbën. Kishte dhimbje më të madhe se ajo. Një njeri i regjur me dhimbje më të forta, nuk ndikohet nga ato të lehtat.

Vendosi buzët mbi ballin e saj dhe u duk sikur i morën flakë. I preku barkun me pëllëmbën e dorës dhe iu ndez. E gjora vajzë! Sa shumë...Sa shumë nxehtësi po mbante brenda vetes sikur të ishte ndonjë vullkan i etur për të përpirë dhe veten në magmën e vet.

-Beni, makinën shpejt gati!-foli ajo mes lotësh  e gulçimash.Të shikonte të bijën ashtu i pikonte në zemër.-Dan, ik merr nja dy lecka të lagura.

Ajo u largua me vrap drejt kuzhinës me zemrën që i rrihte më shpejt se zakonisht.  Frika i gërcmiste shpirtin dhe i vinte të qante, por e mbante veten. Duhet të ishte dikush dhe ajo duhet të bëhej ai dikushi.

Ia vendosën kompresat në ballë e në bark, në venat jugulare dhe në venat femorale, kurse Daniela i fërkonte lehtas me uthull kyçet e duarve,ama ishte e kotë. Ajo ishte ende e pavetëdijshme, ende e përhumbur. 

Më në fund erdhi i ati, duke e marrë në krahë. Hipën në ashensor. Të tre shikonin fytyrën e përskuqur të Samantës e cila dukej sikur ishte ndonjë pishtar i ndezur.

Hipën në makinë e ajo e mbante të bijën në prehër, kurse Daniela i ledhatonte kokën.

-Shpirt i mamit!-i preku e ëma ballin teksa nga sytë i rrodhi në rrebesh lotët,të cilët nuk kishin kohë të takoheshin me njëri-tjetrin se binin mbi kraharorin e Samantës.-Hapi syçkat e bukura, t'u bëfsha kurban, hapi.-zë vajtues e angullitës. 

Një frymëmarrje më shumë.Where stories live. Discover now