Fund janari dhe i ftohti të shkonte deri në palcë. Në atë momente ajo shpresonte sikur të shkonte në palcën e saj e ta ngrinte fare, ta dënonte që lejoi ato qeliza kanceroze, ta shpallte atë fajtore, po si dukej s'e mbante kurrkush fajin.
Ecte krah për krahu me Rubensin nëpër rrugët e populluara të Tiranës edhe pse ishte ftohtë. Si duket i ftohti nuk i kishte privuar njerzit nga përditshmëria e tyre. Kur atë s'po e pengonte ajo dreq sëmundje, ku e gjente i ftohti atë forcë?
Herë-herë mbështeste kokën në shpatullën e tij, por nuk ishte e qetë. Diç e gërryente përbrenda dhe kjo gërryerje nuk mbaronte dhe kur sytë i takoheshin me të tijat dhe e gjente veten mbuluar nga një shikim dendur me dashuri. Ajo kishte aftësinë të zbërthente atë dashuri e aty të gjente mëshirën e frikën. Ai kishe ende frikë, paçka gjithë fjalëve që kishte thënë. Ai kishte frikë për të dhe ajo kishte frikë për të, për të dhe gjithë të tjerët.
Ishte e vërtetë se kishte marrë frenat e luftës në dorë, por asaj lufte nuk i dihej kurrë. Nëse ajo nuk ia dilte, do linte kaq shumë njerëz me kokën mënjanë dhe midis tyre dhe Rubensin.
Në ato fjalë që kishte dëgjuar të thëna nga Rubensi nuk kishte shquar egoizmin, por frikën dhe kishte ndjerë sikur ishte shndërruar në një barrë për të, ndaj e kishte telefonuar dhe i kishte thënë sot për të dalë. Duhet të flisnin.
-A do më thuash për çfarë do flisnim?- guxoi dhe e pyeti më në fund ai, pasi ndaluan dhe u ulën në stolin e gjelbër të sheshit 'Frederik Shopen'. I kapi duart dhe ajo u hodhi një vështrim atyre duarve. A do i shtrëngonte ai ashtu përgjithmonë ato duar?
-Shiko rreth e rrotull Rubens.-foli qetë ajo dhe ndoqi me sy vështrimin e tij rreth tyre.-Çfarë shikon?
-Makina, njerëz, biçikleta, ndërtesa e shumë gjëra të tjera.- foli ai konfuz duke mos e kuptuar, se ku donte ajo të dilte.
-A nuk të duket sikur qajnë për ty?- ende nuk e kishte kuptuar, kurse ajo fliste aq qetë. S'kish qënë aq e qetë ndonjëherë.
-Përse duhet të qajnë për mua?
-Sepse...Po shtrëngon këto duart e mia të thata.-foli kësaj here duke larguar duart nga të tijat dhe i mbante në ajër. Sa ishin holluar! Sa ishin zvogëluar. Dukej sikur mishi ishte tretur për së gjalli e kishin mbetur vetëm kockat e sfilitura e ai lëng i kuq që ishte i sëmurë. Sa shpresa kishte?!
-Këto duar, kjo prekje është jeta ime Sam.
-Rub. E di për premtimin tënd që i bëre vetes.-e ai e pa thellë në sy duke menduar se i kishte thënë Daniela. U ndje keq, e u bë gati të fliste, por ajo e ndërpreu.-Ju dëgjova atë ditë.
-E di që jam egoist. E urrej veten për atë premtim të bërë në një gjendje të dehur. Nuk isha i dehur nga alkooli. Njerëzit nuk dehen vetëm nga alkooli, por edhe nga dhimbja. Në ato momente e mendova si shpëtimin tim të vetëm largimin nga ti, por nuk ia dola Sam. S'të qëndroj dot larg.- fliste nervoz kësaj here duke mos e parë në sy. Ishte penduar që kishte dashur t'i qëndronte larg. Ai i kishte premtuar t'i qëndronte pranë dhe ajo kishte të drejtë të inatosej me të.
Ajo i buzëqeshi dhe ia kapi fytyrën me duar e ai vendosi duart e tij të ashpra mbi të sajat.
-Shhh Rubens. Mos fajëso veten. Nuk jam e mërzitur me ty.-kësaj here shikoi sytë e tij të përlotur. Ishin përlotur.-Por ti ke të drejtë. Ndoshta unë nuk do ja dal Rub, ndoshta do ja dal, ku i dihet...Nuk dua që ti të vuash për largimin tim.
-Ti do ja dalësh Sam. Së bashku ne...
-Shhh!- e ndërpreu përsëri e kësaj here iu njomën dhe asaj sytë, iu skuqën aq shpejt.-Kësaj here dua të më bësh një premtim, ama si fillim më premto që nuk do e thyesh.
-Të premtoj gjithçka Sam. Vetëm më thuaj.
-Më qëndro larg Rub. Jam si minë me sahat, nëse shpërthej, do lëndoj shumë njerëz rreth meje. Të tjerët s'munden të më largohen, por ti mundesh. Shpëto veten sa je në kohë.
-Mos. Mos ma bëj këtë Sam! Unë mund të të shpëtoj ty.
-Jo!Jo! Mos të lutem. Nuk mundesh. S'më shpëton dot as ti, askush tjetër. Si të jetë e shkruar në yje për mua Rubens, fati im është vulosur me kohë, por të paktën mos u bëj dhe ti pjesë e këtij fati.- qante e fliste qetë e me ngadalë, aq sa ai mezi i dëgjonte fjalët e saj, por fatkeqësisht i dëgjonte, i kumbonin fort në zemër, paçka zërit të ulët që ajo kishte.
-Le të digjemi së bashku, atëherë. Ti lexon, lexon shumë.-tashmë ai po fliste shpejt, donte t'i ndryshonte mendjen.-Kam lexuar diku....Çfarë ka thënë Bukowski Sam?Gjeje atë që do dhe lere të të vrasë.
-Pikërisht Rub, pikërisht. Unë do të të vras dhe unë nuk e dua këtë.
-Mungesa jote do më vrasë Sam.
-Një ditë unë do mungoj gjithsesi.
-Të gjithë do mungojmë një ditë Sam. Të gjithë do vdesim, por deri atëherë le të jemi bashkë.
-Jam barrë për ty Rub.
Qanin të dy. Lotët e të dyve përshkonin faqet e ftohta nga acari. Dukej sikur do të ngrinin, e mbi ta do formoheshin qirinj akulli, por a ishte e mundur kjo? Ata lotë ishin të nxehtë, shkrinin dhe vetë shpirtra, jo më acarin.
-Nuk je e marrtë dreqi Sam. Nuk je dhe këtë e di unë.
-Shiko si na shikojnë njerëzit Rub, me mëshirë. E kam urryer gjithmonë mëshirën, por e kam të pashmangshme. Unë e di që kushdo që më shikon, më shikon me mëshirë, ndoshta dhe ti. Nuk dua të të bëj pjesë të mëshirës sime.
-Nuk më interesojnë njerëzit Sam. Më intereson ti.
-Nuk ka më kuptim Rub. Më premto që do më rrish larg dhe do më vish vetëm kur të duhesh për të më hedhur një dorë dhe.
-Por ti do shpëtosh, e ndiej. Ti do ja dalësh.
-Më premto që do rrish larg meje. Më premto që do vish të më hedhësh një dorë dhe e të më recitosh një kujtim tonin pranë rrasës së varrit. Aty do kuptoj, se dikur, diku kam jetuar unë e nuk më ke harruar.
-Sam...Mos ma bëj këtë.
-Më premtove që do më premtoje. Bëje Rub.
-Sam...
-Vetëm më premto Rubens. Nëse më do, më premto. Dije se prania jote do më shkatërrojë më shumë mua duke e ditur se prania ime do të të vrasë ty. Le t'i bëjmë një nder lidhjes tonë Rub. Kjo lidhje e meriton të përfundojë nga ne, jo nga dikush tjetër, jo nga kanceri.
-Është vërtet kjo ajo që do Samanta?
-E dua. E dua më shumë se çdo gjë tjetër në këto momente.
-Le të bëhet ashtu si do ti Sam, por dije që të dua, të dua shumë.
-Më premto!
-Të premtoj! Të premtoj se zemra jote do e takoje tënden në një botë tjetër, se në këtë s'paska qënë e thënë.
-Ne, s'paskëshim qënë për këtë botë Rub. Ndoshta, do vdes pa të thënë lamtumirë. Po ta them tani. Lamtumirë dhe faleminderit që ishte pjesë e jetës sime Rubens,e bëre të bukur atë për aq kohë sa zgjati. Ne ishim bukur! Ne ishim ne dhe nuk kishim nevojë një mik tjetër midis nesh.
Thonë se kur hyn një i tretë në një lidhje Rub, nuk funksionon. Ah! Nga ta dija unë se ky 'i treti' një ditë do ishte kanceri im.-
U ngrit nga stoli dhe ai gjithashtu. Ai ia puthi duart dhe e mori në përqafim.
Qanë...Qanë së bashku për disa minuta dhe më pas shkëmbyen një puthje, një puthje të fundit.
Një puthje të fundit për ata që jetuan e ndoshta do të jetonin, por jo së bashku.
Një puthje të fundit për t'i thënë lamtumirë një historie dashurie.
Një puthje të fundit për të mbyllur qindra puthje shkëmbyer më parë.
YOU ARE READING
Një frymëmarrje më shumë.
SpiritualMarrim frymë çdo ditë e kjo na duket gjëja më normale, por shumë njerëz i numërojnë frymëmarrjet. Frymëmarrja e fundit që numëruan mund të jetë e fundit për ta. Ata kanë nevojë për një frymëmarrje më shumë për të vazhduar luftën që kanë nisur, kanë...