Pjesa 10.

736 88 172
                                    

Flokët kaçurrela i kishte lënë lëshuar e ndiente të përplaseshin me fundshpinën e saj teksa ecte ngadalë nëpër rrugët e populluara të kryeqytetit. Shtrëngtonte fort pas vetes xhupin e saj ngjyrë mjalti si për të thithur ndonjë grimcë ngrohtësie më shumë nga ai. Kishte izoluar gjithë pjesën e gojës, deri te hunda me shallin e zi duke i fshehur acarit buzët e saj mishtore, duke i larguar mundësinë për t'i plasaritur.

Ecte paralelisht me të motrën e cila ishte thuajse një pëllëmbë më e gjatë se ajo e, shikonte hapat e tyre të çeknin trotuarin në të njëjtën kohë.

Çdo ditë kishte qënë e ftohtë e veshur nga ajo perde ftohtësire që i detyronte njerzit të provonin t'i arratiseshin acarit duke u fshehur nën petkat e trasha, por netët e funddhjetorit paskerkeshin qënë ndryshe e, ajo pendohej që kishte zgjedhur t'i kalonte strukur në ngrohtësinë që jorgani i saj i gjelbër i falte.

Si mund të humbje atë pamje që ndodh ta shikosh vetëm një herë në vit? Si mund të refuzoje ngrohtësinë gjendur mes atyre molekulave të ftohta të ajrit?

Rrugët kryeqytetase ishin zbukuruar me dritëza të vogla, shumëngjyrëshe që vezullonin duke sfiduar dritën e miliarda yjeve, madje dhe vetë hënës.

Nëpër dritaret e pallateve shikonte po drita të vogla, të kuqe, blu, të gjelbra e kushedi sa e sa ngjyra të tjera që dukej sikur shkëlqenin vetëm për të arritur deri në shpirtin e saj , që dukej sikur së fundmi kishte humbur ngjyrat duke u kthyer në gri. Edhe dritëzat e dinin se nën atë gri, gjendej burgosur ai shpirt i saji, ku mund të gjeje çdo ngjyrë ylberi dhe, po bënin çmos që ta zgjonin.

Herë-herë, teksa ecte, përhumbej në ndonjë llambë të vockël e i dukej me qindra nuanca të ndryshme nga lotët që i ftohti mbillte në sytë e saj, për t'u pasqyruar në shkëlqimim e atyre dritave te fundvitit.

E dashuronte atë atmosferë dhe dukej sikur tërë ajo ftohtësi venitej para ngrohtësisë që shpirti i saj merrte kur shikonte atë pamje.

Dashuronte kur shikonte tërë ata njerëz të panjohur të qeshnin me të madhe rrugve, a thua ishin psiqikë e s'kishin asnjë shqetësim që nga brenda i brente?

Sigurisht që kishin, kushedi ç'halle rëndonin mbi supet e tyre, por kishin vendosur t'i mbanin fshehur pas asaj buzëqeshje afatshkurtër krijuar nga grimca të vogla çastesh dhe, të njëjtën gjë po bënte dhe ajo.

Ajo po qeshte... Po qeshte sikur e djeshmja mos e kapte fort për t'i penguar të tashmen, po qeshte sikur e nesërmja të mos e trembte me hijen e rëndë të misterit të saj. Po qeshte sikur trupi e tërë kockat mos i dhimbnin, sikur mos e dinte që ishte shndërruar në një fole për ca qeliza armike të pastreha.

Ajo po qeshte, sepse për një çast, vendosi të lerë pas çdo gjë, duke shijuar atë çast që e sotshmja ia dha, atë çast që e nesërmja mund të mos ia sillte kurrë.

Sa ftohtë bënte ajo natë dhe me po të njëjtën forcë që donte atë atmosferë, donte dhe të ftohtin e acarin. I gërshetonte së bashku për t'i groposur thellë në shpirt ato momente lumturie krijuar aq spontanisht.

-Sa bukur e paskan bërë Tiranën o Dan.- i foli më në fund të motrës për të thyer heshtjen që i kishte zaptuar. Ajo kthehu kokën duke e larguar vështrimin nga zbukurimet e shumta dhe pohoi me kokë.

-Kështu është kur burgosesh në shtëpi e s'merr vesh ç'bëhet jashtë. Më dukesh si ndonjë plakë njëqind e ca vjeçare.

-Nga gjenden tërë këta njerëz?- iu referua teksa për një moment kishte hequr vëmendjen nga zbukurimet e vështronte shtullungat e ajrit që çanim errësirën e natës.

Një frymëmarrje më shumë.Where stories live. Discover now