Pjesa 13.

856 77 66
                                    

  Sa shpesh ndryshojnë gjërat rreth nesh e ne ndonjëherë, jemi kaq të zënë duke u marrë me të ashtuquajturën jetë për të vënë re këto ndryshime duke harruar të jetojmë jetën e vërtetë.

 Shmangim momentet e vogla mbushur me lumturi duke menduar se kemi gjëra më të rëndësishme në jetë, por në fakt nuk është kështu.Çdo moment i cili na fal lumturi është i rëndësishëm në jetën tonë, sado i vogël të duket, sado i mospërfillshëm të duket. Janë pikërisht këto momente grumbulluar herë-herë të cilat shërbejnë si burim lumturie, atëherë kur nuk mundim t'i krijojmë. 

Këto momente i ruajmë si rezerva, si ilaç për shpirtin, për t'i tërhequr atëherë kur kemi më shumë nevojë se kurrë për të buzëqeshur.Kështu, jetojmë kujtimet atëherë kur ato janë më të bukura se momentet që aktualisht jemi duke jetuar.E këto kujtime mund të jenë thjesht një bisedë e ngrohtë a një ditë me borë.

 Kështu ishte edhe ajo ditë për të. Ishte zgjuar atë mëngjes më herët se zakonisht dhe pse natën e kaluar gjumi e kishte zënë shumë vonë.Qëndronte ulur në karrigen e kuzhinës duke pirë ndonjë gllënjkë nga filxhani me kakaon e nxehtë që mbante në duar. I pëlqente ajo ndjesi, kur i ngroheshin duart fillimisht, më pas goja, fyti e ajo nxehtësi mbështillte tërë trupin e saj.

 Bora kishte pushuar dhe kushedi kur do të binte përsëri në Tiranë, por ajo e kishte shijuar. Kishte parë deri natën vonë, flokët e borës të binin pa ndaluar e të putheshin me njëra-tjetrën sikur të ishin duke u djegur nga malli, sikur aty sipër në qiell të ishte dikush që i ndalonte të ishin bashkë flokët e borës, i bënte të vuanin për praninë e njëra-tjetrës dhe ato mezi prisnin të bashkoheshin, bashkë të jetonin, bashkë të vdisnin... 

 Ndonjëherë edhe asaj i dukej vetja si një kristal bore. Ishte rrëzuar nga qielli për të jetuar në tokë, pa e ditur se sa, kjo varej se sa shpejt do të mbaronte dimri, sa shpejt do të dilte dielli.E nëse ajo ishte një flokë bore dhe mund të jetonte vetëm në dimër, atëherë duhet të gjente dimrin e saj e ta bënte të zgjaste përgithmonë, ose të paktën deri atëherë kur ai kristal të ishte rrudhosur. Duhet ta bënte këtë...

 -Samanta!-ishte dalldisur në mendime dhe sapo dëgjoi një zë u hodh përpjetë nga trembja e menjëherë kthehu kokën duke parë fytyrën e nënës së saj, e cila iu afrua e iu ul pranë.-Të tremba? Më fal.- i ledhatoi flokët e kapura bisht dhe disa fije ia kaloi pas veshit.

 -Skagjë, o ma.- i buzëqeshi ashtu si bënte gjithmonë dhe mbaroi kakaon e saj. Mori filxhanin dhe shkoi drejt lavamanit për ta larë. E ëma u ngrit dhe i shkoi nga pas duke qëndruar krahas banakut. E kuptoi se e ëma do i thoshte diçka, por nuk e nxiti, e la të fliste kur të donte. 

 -Përse nuk e fton Rubensin për drekë sot?-deklaroi më në fund. Ndoshta ishte një ide e mirë që ai të vinte për dreke. Kohët e fundit ishin larguar shumë dhe mund të afroheshin. Pohoi me kokë teksa fshinte duart me peshqirin e gjelbër varur pranë sobës dhe nxorri telefonin që qëndronte në xhepin e tutave gri që mbante veshur.

 -Mirë mam, po i them.- i bëri qejfin së ëmës dhe shkoi drejt dhomës së saj teksa formonte numrin në ekranin e thyer. Mbylli pas saj derën e dhomës dhe u rehatos në krevat teksa dëgjonte zilet e telefonit të tringëllonin duke pritur që ai t'a hapte. Ndoshta nuk ishte zgjuar ende nga gjumi, po tashmë ajo e kishte marrë.

 -Alo,- dëgjoi zërin e tij të përgjumur dhe kishte patur të drejtë. Ai ishte duke fjetur dhe betohej se nëse e shikonte ishte duke folur me sy mbyllur. 

 -Rub, të zgjova, më fal.- pas kësaj fjalie qeshi, sikur ai të ishte duke parë fytyrën e saj. Gjithmonë buzëqeshte para të tjerëve, edhe nëse s'i njihte. Të falësh buzëqeshje s'është kurrë keq.

Një frymëmarrje më shumë.Where stories live. Discover now