Mori ashensorin që do ta çonte te kati i nëndheshëm. I duhej pak kohë deri sa të mësohej me çdo gjë. S'kishte mundur të gjente disa shtëpi e pa humbur kohë ishte nisur për te arkivat.
Dritat e forta atje ndriçonin të gjitha raftet, duke ia bërë të lehtë ta gjente vendin ku i duhej të kërkonte, paçka se gjithë ato të dhëna ishin konfuzuese.
Pas një gjysmë orëshi të mirë, mori dy fletë që i fotokopjoi te një printer aty pranë dhe pastaj shkoi të hipte në ashensor me një siklet të dukshëm. Vendet e ngushta i shkaktonin frikë, mbajtje fryme.
Ashensori u drodh lehtë e bëri një "bip" të gjatë për të ndaluar më pas në katin e parë që të hynte edhe dikush tjetër. Ngriti kokën kur dyert e hekurta u hapën e brenda hyri një mashkull i bukur, i gjatë e me një trup të lidhur.
Vështroi sytë e tij të veçantë, një jeshile e smeraldtë përzier me një të kaltër shumë të hapur. Ai qëndrim kryelartë, moskokëçarës e plot vetëbesim, tipik i atyre njerëzve që pretendonin se mund të çanin tokën e të arrinin të preknin malet.U vendos në siklet kur ai e kapi duke e vështruar, ndaj e hoqi menjëherë kokën dhe po vështronte fletët që mbante në duar.
Mezi po priste që ashensori të ndalonte te kati i tretë, po një dridhje e fortë e përplasja mbas njërës anë të ashensorit e trulloi plotësisht. Vendosi dorën te një mbajtëse aty pranë që të mos përfundonte përtokë.
Direkt e ndjeu efektin që vendet e ngushta i shkaktonin kur mendonte se i duhej të harxhonte shumë kohë duke qëndruar në to. Djersë të ftohta po ia mbulonin ballin, trupi i përcëllonte dhe ndiente një dëshirë të zjarrtë për të mbyllur sytë e të përfundonte në një gjendje të fikëti. Fyti i digjte, dhe të merrte frymë në ato momente ishte torturuese po aq sa edhe jetike.
- Çfarë ndodhi? - pyeti në ankth mashkullin aty pranë.
- Duhet të jetë fikur butoni i dritave.
Ai shkoi të shtypte numrin një që ndodhej pranë butonave të tjerë, po asgjë s'po punonte, as butoni që ishte për të kërkuar ndihmë.
Një psherëtimë shqetësimi dhe paniku doli prej buzëve të saj. Pamjet tashmë s'i kishte edhe aq të qarta.
- Jeni mirë? - e pyeti ai kur vuri re që ajo po dridhej e ishte gati për t'u përplasur në tokë.
Iu afrua me hapa të shkathët dhe e uli ngadalë në metalin e ftohtë.
- Kriza klaustrofobie, - mërmëriti qetë tek shikonte atë të përjetonte simptomat e njohura të kësaj frike.
Hapi telefonin dhe po lëvizte për të gjetur valë, po fati, si shumë herë të tjera, edhe atë herë s'ishte me Brajanin. Mallkoi një herë nën zë, pastaj vështroi sërish vajzën.
- S'mbani me vete ndonjë anksiolitik?
Meliona mohoi ngadalë. Mendonte se s'do të kishte ndonjëherë nevojë për ilaçe kundër ankthit.
Tashmë edhe gojën e ndiente të tharë dhe për më tepër s'po mbushej dot me frymë. I dukej sikur do të vdiste. Mbylli sytë duke u kollitur disa herë.- Merrni frymë thellë.
Zëri i tij bindës e i qetë nuk i la rrugë tjetër. I dukej vetja në gjendje hipnoze kur gjendej në të tillë situatë.
Dora e tij e ftohtë u vendos në faqen e saj të nxehtë, pastaj në faqen tjetër, më pas në qafë e ndërkohë vazhdonte t'i kujtonte asaj se duhej të merrte frymë.
Ashensori filloi të punonte sërish pas pak minutash e Brajani shtypi butonin me numrin katër.
Mori në krahë Melionën që akoma ishte në të njëjtën gjendje e që s'do të bëhej më mirë derisa të thithte ajër të pastër.E mori në zyrën e vet, e vendosi në kolltukun pranë vetratës prej xhami afër një dritareje të hapur, pastaj mori një shishe me ujë dhe ia vendosi në dorë.
- Merreni, pini pak.
Ajo piu disa gllënjka si e humbur, pastaj mori frymë thellë, futi ajër të ftohtë e të pastër në mushkëri e sikur filloi të qetësohej.
Shishen me ujë e vendosi në tavolinë, ndërsa fletët që i kishte shtrënguar në dorë i vendosi në prehër.- Faleminderit.
- S'ka problem. Ju jeni punonjësja e re, apo jo?
- Po, Meliona Grin.
Ai lëvizi një herë kokën, pastaj u ul në karrigen e vet. Meliona u ngrit prej atje ku ishte ulur, i vinte zor të qëndronte më tepër pranë atij mashkulli.
- Faleminderit për ndihmën. Tani bëj mirë të largohem. Mirupafshim.
- Mirupafshim, - i ktheu ai përgjigje duke vështruar laptopin para vetes.
Mbylli derën pas vetes e ngriti kokën që të shihte emrin e punonjësit që e kishte ndihmuar, ashtu siç ishin të shkruar të gjithë emrat e punonjësve të tjerë te vendet ku ata punonin.
Brajan. Brajan Harvey. U kujtua që ai ishte shefi. Nënqeshi një herë me të ulët nervoze. Të paktën kishte një shef të sjellshëm.
Shkoi në zyrën e saj duke bërë frymëmarrje të thella. Filloi menjëherë punën, se atë punë e bënte me kënaqësi, aq sa pa e kuptuar orët kishin kaluar e ishte koha që ajo të largohej.
Mori çantën me vete e po zbriste shkallët; u betua që s'do hipte kurrë më në ashensor, vetëm atëherë kur ta kishte vërtet keq punën.
- Hej, Meliona! - dëgjoi një zë aty afër saj e u kthye. Ishte djali i mëngjesit.
- Po?
- Ka disa ditë që shefi ka organizuar nesër në darkë një festë si për të mirëpritur Vitin e Ri me të gjithë kolektivin meqënëse është edhe pushim. Mendova se do ishte mirë të të informoja, tashmë je bërë pjesë e punës sonë.
- Oh, faleminderit, - i tha me një buzëqeshje në fytyrë, ndonëse s'ishte edhe aq e sigurt nëse do të shkonte atje apo jo.
- Nis në orën dhjetë, te restoranti "Five Sails". S'është e detyrueshme, sigurisht, je e lirë të bësh ç'të duash.
Lëvizi kokën lehtë, pastaj ia bëri me shenjë një "mirupafshim" dhe u largua që aty.
Vendosi të ecte më këmbë, ndonëse era ishte e ashpër dhe e ftohtë, por kjo gjë i jepte lehtësi për të menduar më qartë.Ndonjëherë ndihej e lirë, ndërsa herë të tjera përpiqej t'ia mbushte mendjen vetes se ishte e tillë. Por i pëlqente të luftonte, të luftonte e të luftonte, derisa në fund të arrinte atë që dëshironte, se njeriu krijon realitetin e vet e ajo do krijonte të sajin.
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...