7

1K 81 106
                                    

Mëngjesi e gjeti plot energji. Rrezet e arta të diellit dhe shkëlqimi mbi borë e entuziasmuan. U vesh me të shpejtë, doli pa u vënë re nga Stivi e u nis për te Brajani.

Kishte fiksuar hyrjen e pasme të ndërtesës, ndaj dhe u fut atje që të tjerët të mos e shihnin. Shkoi direkt e te dhoma e shefit të saj të punës e u fut atje pas tre trokitjesh.

-Besoj se ta bëra të qartë se nuk do të vish në punë për një javë, - qenë fjalët e para që ai i tha sapo ngriti kokën për ta vështruar.

-Sot s'kam ardhur si punonjëse, - i tha qetë duke drejtuar sytë nga karrigia përballë tij. - Mundem?

-Sigurisht, ulu.

U ul atje me kujdes, vendosi çantën në prehër dhe u kollit lehtë që zëri t'i dilte më pastër.

-Mora vesh që ishit takuar me Stivin dje.

-Po, një takim miqësor. Gabim bëra? - pyeti duke vendosur bërrylat në tavolinë për të qenë më pranë saj.

-Ju nuk e njihni atë, nuk do të dëshironit të shoqëroheshit me dikë si ai.

-Di aq sa më mjafton për të ndërtuar një përshtypje të saktë.

-Si për shembull?

-Si për shembull di se ai është personi që ti ke frikë të denoncosh, që është një alkoolist i shkëlqyer, një baba i papërkushtuar, si dhe një person që s'ka bërë ndonjë përpjekje për të të kthyer lekët e marra.

U përtyp një herë duke vazhduar të shihte sytë e tij që sikur qeshnin në fshehtësi e iu deshën pak sekonda të mblidhte veten.

-Por sërish sjellja e tij nuk i justifikon veprimet tuaja. Mund ta di se pse jeni duke i bërë gjithë këto gjëra?

Brajani s'i ktheu përgjigje menjëherë. Në atë mendjen e tij plot ide ishte duke u menduar për një formulim sa më të saktë fjalësh.

-Ti më kujton dikë. Dikë të afërt, që s'e kam më pranë, - qe përgjigjia e tij e sinqertë.

Jeshilja e syve të tij u turbullua për pak çaste, pastaj ktheu një herë kokën të shihte jashtë dritares e buzëqeshi lehtë që të thyente atë çast heshtjeje.

-Dhe shpesh më duket sikur e kam përballë atë person kur flasim bashkë.

Mendja i shkoi tek ajo bjondja e bukur, por Meliona s'gjeti dot ndonjë ngjashmëri, se bukuria e bjondes ishte e papërshkrueshme. Ajo kishte një trup të gjatë e të hollë që s'kishte të sharë, një gropkëz perfekte në faqen e djathtë, buzëqeshje të ngrohtë, faqe në një rozë të butë, sy të ëmbël karameli, fytyrë të bardhë e të pastër, ndërsa te Meliona çdo gjë ishte e thjeshtë. S'kishte ndonjë tipar të dallueshëm perveç syve të qiellit. Ishte aq e thjeshtë, sa s'mund të krahasohej me atë vajzë.

-Më falni, nuk mendoja se do të ishte ndonjë arsye e tillë.

-S'kishe nga ta dije gjithsesi.

E shikoi përsëri e për disa çaste humbi në atë vorbull ndjenjash krijuar në sytë e tij. Pastaj Brajani i dhuroi një buzëqeshje të butë që shkaktoi një dridhje në trupin e saj.
Ndoshta ajo buzëqeshje shënjoi edhe filimin e sipmatisë për atë mashkull. Një simpati dehëse, e pashmangshme. Çdokush do ta ndiente efektin magnetik të veprimeve të Brajanit. Ishte ai lloj mashkulli që e dinte ç'bënte, kur e bënte dhe si e bënte.

Por pas atij lakimi buzësh shumë gjëra do të fillonin të ndryshonin. E Melionës pak simpati për shefin e saj s'iu duk e dëmshme, se më tepër se simpati ajo ndjenjë ishte adhurim, dhe ajo me raste e adhuronte Brajanin.

-Në rregull atëherë, - foli më në fund e hutuar duke u ngritur. - Më falni, se ndoshta mund t'ju kem ndërprerë edhe juve prej punës. Më mirë të largohem.

-Jo, ç'është ajo fjalë, mund të vish çdo herë kur të kesh nevojë.

Lëvizi kokën lehtë, pastaj i bëri një shenjë përshëndetjeje gati për t'u larguar.

-Për pak desh harrova, - foli Brajani sërish duke u ngritur prej karriges e shkoi pranë saj shkathtësisht. -Merri, të paktën do të jem i sigurt se këto lekë do të qëndrojnë në duart e tua.

Uli kokën për të parë dorën e tij të drejtuar nga ajo dhe faqet iu skuqën lehtë prej sikletit.

-Jo, ju lutem, nuk mund t'i pranoj.

-Është paga jote Meliona, e drejta jote për t'i pasur. Quaje sikur Stivi s't'i ka marrë kurrë paratë.

Mohoi me kokë pa e parë në sy Brajanin. Hera e parë që ndihej aq shumë në siklet pranë tij sa donte t'i largohej një orë e më parë.

-Më falni, por sinqerisht nuk mundem. Mirupafshim.

Nxitoi të dilte që aty e të ecte me hapa të shpejtë në korridorin që tashmë ishte plot punonjës. Liroi pak shallin, se i gjithi trupi i ishte nxehur. Mezi priste të dilte në ajrin e ftohtë.

Era e pastër dhe e ftohtë e goditi fort kur shkeli në tokë, sikur ta kujtonte se ishte mëkat të mos merrte frymë. U sigurua që trupi t'i merrte gjithë oksigjenin e mjaftueshëm për të punuar rregullisht para se të fillonte të ecte sërish.
Jo, s'po ecte, gati po vraponte, a thua se kishte hall mos Brajani mund t'i shkonte pas nga momenti në moment.

Sapo kishte filluar të vendoste ndjenjat e veta në vijë kur rrugës për në shtëpi dëgjoi të bërtitura. Iu duk një zë i njohur, ndaj dhe u afrua pak më tepër turmës deri kur dalloi Stivin që po zihej me një burrë.

Në fillim s'i bëri përshtypje, se s'ishte hera e parë që po e shihte të zihej, po ato grushte të ashpër dhe sendi i metaltë që ndodhej në brezin e të panjohurit iu dukën të frikshme.

Shtyu njerëzit që po qëndronin aty pranë dhe shkoi pranë të atit, dukshëm e shqetësuar. S'e donte shumë, por jo deri në atë pikë sa të mos shqetësohej për të.

-Baba, eja të ikim në shtëpi, mos vazhdo më tepër me këtë zënkë.

E tërhoqi e shqetësuar prej krahut, ama Stivi ishte kokëfortë e i çmendur që guxonte të ndërmerrte hapa të pamenduar mirë.

-Largohu Meliona! Do t'ia tregoj qejfin këtij kopili!

Ai njeri e turpëronte. Fiks aty në mes të turmës, kur sytë e të gjithëve shriheshin mbi ata të tre.

Ndoshta do të ishte larguar pa u interesuar më tepër nëse s'do ta kishte parë tjetrin që armën të cilën deri pak më parë po e mbante në brez, t'ia drejtonte Stivit.

Dhe ai dreq babai që i kishte rënë për pjesë gjithnjë do t'i hapte probleme. Tërhoqi trupin e saj si të ishte një leckë dhe e shtyu përballë burrit që për vete të ikte nga sytë këmbët.

Ajo ishte dita e turpit. Një si turbullirë po i vinte kur e kuptoi se sa pranë e kishte atë pijanec, duart e të cilit tentuan ta preknin.

E shtyu pas gjysmë e vetëdijshme, dhe ndoshta ajo gjendje si në jerm e bëri të mos kuptonte edhe veprimet e veta në vazhdim. Por për diçka ishte e sigurt: një zhurmë të fortë dëgjoi. Veshët s'do ta gënjenin kurrë.

Bëri dy hapa duke ndier rrahjet e zemrës sikur këtë të fundit ta kishte në dorë. S'e kishte shkrepur ajo armën, apo jo?!

Kërkoi përreth për mbështetje, po Stivin, ashtu siç edhe i kishte shkuar në mendje, s'e gjeti atje. Pastaj dëgjoi edhe sirenat e policisë.
Bukur! Ndihej e pashpresë, e vetme dhe e frikësuar.

Turma e njerëzve filloi të shpërndahej kur policia ndaloi aty pranë, ndërsa Meliona e hutuar kishte ngelur në vend në pamundësi për ta qetësuar veten.

Një polic iu afrua e ia tërhoqi duart, duke vendosur në to prangat e ftohta e të forta.
Shikoi fytyrën e tij dhe se si buzët po i lëviznin, por s'e kuptoi se pse fjalët s'i shkonin në vesh. Ishte në një gjendje të tillë, ku i vinte të shtrihej përtokë në gjendje të fikëti e njëkohësisht s'mundej ta bënte diçka të tillë.

Pa e marrë vesh, u gjend në makinën e errët të policisë. Dreqin, ç'ishte duke i ndodhur atë ditë?!

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now