Zhgënjimi e goditi ashpër në fytyrë të nesërmen duke shkuar për në punë. Si gjithmonë do të ishte Brajani që do ia shkaktonte ato ndjenja. Ai dhe karakteri i tij i çuditshëm.
E pa tek puthej me një vajzë, sërish bjonde. Dukej që ai i kishte fiksim bjondet.
Shihte veprimet e tij dhe sa më shumë e shihte, aq më shumë lëndohej.
I nxehti përsëri sikur u bë më i madh se herët e tjera. Faqet iu nxehën, duart po ashtu.Mori frymë thellë dhe vazhdoi të ecte, duke e lënë pas atë pamje aq të padëshirueshme. Gjatë gjithë rrugës për në kompani kritikonte veten se pse vazhdonte akoma ta pëlqente Brajanin edhe pas gjithë atyre që shihte e dëgjonte për të.
Kur mbërriti në zyrën e saj, vuri re se atje ulur në kolltuk po qëndronte Neo.
-Mirëmëngjes. Ç'ka ndodhur që je këtu?
-As vetë s'e di.
Ai buzëqeshi teksa vështronte jashtë dritares. Sytë i mbante ngulur te një vend, si të shihte dikë ose diçka interesante.
-Po hë, po sheh të dashurën? - bëri shaka ndërkohë që filloi të shihte fletët që kishte lënë në tavolinë që të djeshmen.
-Jo jo, po shoh këtë tëndin.
Ai dhe Ema e kishin fiksim të thoshin "këtë tëndin". Me Brajanin as që ishin afër një marrëdhënieje!
-Sa herë duhet të të them se mes meje dhe atij s'ka asgjë?
-Shiko, s'po them se jeni të lidhur, ama qejfi ua ka pak të dyve, të jemi të sinqertë. Thjesht më vjen keq për faktin që pëlqen atë kur ai tallet me të gjitha.
Ambienti u tensionua, më tepër bëri që një siklet të kapte gjithë qenien e saj. S'ndihej mirë, ndiente shtrëngime të lehta në trup kur të tjerët krijonin situata të tilla.
-E di, ndaj dhe s'kam ndonjë interes të lidhem me të.
-Po po, - vazhdoi ai duke mos e besuar. -Jam vërtet kurioz të di se ç'do të ndodhë me ju pas disa kohësh. Por ta kesh parasysh që nuk të hedh asnjë faj ty. Të gjitha fajet i ka ai.
Ndoshta Neo kishte të drejtë. S'kishte asgjë të gabuar të pëlqeje dikë. E gabuar ishte që ai person t'i pëlqente të gjitha.
-Nuk e kuptoj Brajanin dhe as që dua ta kuptoj. S'dua të merrem me çmenduritë që mendja e tij krijon. Mjaft folëm për të, - përfundoi ai dhe u kthye nga ajo me një buzëqeshje.
-Mirë e ke ti, po ia ke idenë se kam një mal me punë për të bërë dhe s'kam ndërmend që të qëndroj orë shtesë?
-Ç'mënyrë e këndshme për të më thënë "Ik zhduku".
-Mund të ta them edhe troç. Ik zhduku.
Buzëqeshi teksa fliste. Ai u ngrit në këmbë hokatar, i bëri një shenjë përshëndetjeje dhe u largua pa folur, gjasmë i trishtuar. Pastaj u fut përsëri në dhomë dhjetë sekonda më vonë.
-Se mos mendosh se u mërzita Melion. Se pastaj fillon dhe var turinjtë ti.
-Avullo Neo, - ia ktheu me të qeshur duke e vështruar.
Ai i shkeli syrin, ashtu siç kish bërë gjithmonë që nga fillimi i miqësisë së tyre.
Qeshi sërish vetëm aty në dhomë, po pastaj humori iu largua kur kujtoi sërish Brajanin. Ai qe shpërqëndrimi i saj më i madh gjatë orëve të punës. I shfaqej çdo moment, në çdo dreq momenti që kalonte.
Orët i kaluan ngadalë, por nuk e vuri re se po punonte jashtë orarit të caktuar. Ndoshta ngaqë ishte mësuar që gjithmonë i mbyllte punët brenda atyre gjashtë orëve e atë ditë iu duk sikur kishte akoma kohë.
U dëgjua një trokitje e lehtë në derë, pastaj dera u hap e në prag u shfaq figura e gjatë e Brajanit.
U shpërqëndrua menjëherë nga ajo që po bënte, a thua se ai ishte magnet që tërhiqte gjithë kontrollin e saj.-Ka gjysmë ore që të gjithë punonjësit janë larguar. S'të vura re jashtë e thashë të të lajmëroja.
-Oh, s'e kam pasur aspak mendjen. Po gjithsesi do qëndroj edhe pak derisa të mbaroj edhe disa gjëra.
-Ç'janë? Mund të të ndihmoj, - i tha ai ndërkohë që shkoi te tavolina e saj e punës për të parë ç'po bënte.
-Jo, ju faleminderit, do t'i mbaroj vetë. Mund të largoheni, nuk është nevoja të qëndroni këtu.
Brajani vazhdonte të shihte laptopin ku ajo po punonte, pastaj i hidhte sytë te fletët në tavolinë. Tërhoqi karrigen aty afër dhe u ul pranë Melionës.
Ajo mori frymë thellë. Zemra filloi sërish t'i rrihte shpesh dhe ndjeu që një buzëqeshje iu vendos në fytyrë.
-Qenke e ngarkuar. S'mund t'i mbyllësh brenda pak kohe këto të dhëna pa ndihmë.
Sytë e tij vështruan të sajtë, i buzëqeshi lehtë, pastaj i bëri me shenjë te fletët.
-Do t'i hedh unë të dhënat në laptop, ti më thuaj ç'të shkruaj.
-Në rregull.
Puna me Brajanin i shtyhej aq shumë, çdo gjë sikur i dukej më e thjeshtë, më e bukur. Madje fshehtas në mendjen e saj pranoi se do të donte që të kishte mundësi të qëndronte edhe më tepër me Brajanin. I hipi një dëshirë e marrë të qëndronte pranë tij, pastaj në mendje i shkuan imazhet e mëngjesit dhe fjalët e Neos.
"Thjesht më vjen keq për faktin që pëlqen atë kur ai tallet me të gjitha."
U përpoq t'ia mbushte mendjen vetes se ajo që po bënte ishte gabim, por e ndiente se as edhe një fjalë që thoshte nuk pinte më ujë.
-Mbaruam? - qe zëri i tij që e zgjoi nga ajo përhumbje.
-Po.
U ngrit me të shpejtë prej karriges, sikur nëse qëndronte më tepër pranë Brajanit mund ta zinte korenti. Dhe ishte e vërtetë. Mendonte gjëra për të, që nuk duhej t'i shkonin në mendje asnjëherë.
-Faleminderit shumë.
-Asgjë, je e mirëpritur gjithmonë.
Mori çantën dhe doli jashtë dhome me Brajanin pas. Ai u bë gati të merrte ashensorin, por ndaloi kur pa atë që iu drejtua shkallëve.
Filluan t'i zbrisnin ato ngadalë, pa folur, tepër të bezdisur nga i nxehti torturues.
Kur dolën jashtë, përshëndeti shefin e u bë gati të largohej, ama ai si gjithmonë do ta ndalonte.-Është nxehtë. Ndoshta do të dëshiroje të të çoja deri në shtëpi?
-Jo, shumë faleminderit, por më pëlqen më shumë të eci në këmbë.
-Në rregull, si të dëshirosh.
Para se të largohej, ai i buzëqeshi ëmbël, sytë i përcollën një ndjenjë të veçantë dhe Meliona gjatë gjithë rrugës pyeste veten nëse ai i ndiente vërtet ato që bënte. Dhe nëse i ndiente, atëherë pse bënte veprime që binin ndesh me ndjenjat e veta?
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...