Brajani sapo e kishte çuar në shtëpi. Mesnata kishte kaluar. Ai i buzëqeshi dhe i la një puthje në faqe para se të futej në makinë, ndërsa ajo me një nënqeshje hyri në shtëpi qetë.
Elisa kishte fjetur dhe përveç errësirës nuk i bënte askush tjetër shoqëri. U shtri në krevatin e saj rëndshëm me krahët hapur duke parë tavanin dhe duke buzëqeshur.
Nënqeshi fshehtë. Ia lejoi vetes atë lumturi të përkohshme, sepse e dinte se së shpejti diçka do ta mërziste. Me atë ndjenjë e zuri gjumi.
Disa ditë më vonë , një mbrëmje të këndshme, teksa shoqërohej prej flladit të ngrohtë e ledhatues, vendosi ta prishte atë qetësi të sajën që të shkonte te puna e Elisës për ta shoqëruar nja tre orë derisa të mbaronte turnin e natës, i cili kishte ardhur si lajm aq i padëshirueshëm.
Ishte disa hapa larg librarisë kur sytë i kapën atë djalin trupmadh që Stivi ia kishte sjellë në shtëpi. Sytë e tij e njohën menjëherë dhe buza i qeshi.
Ajo ngriu. Ktheu menjëherë kurrizin dhe hyri në rrugicën e parë që i zunë sytë. Nxitoi hapat kur kuptoi që i panjohuri po e ndiqte pa e prishur terezinë.
Aty afër pa një shtëpi të vjetër ku ishte e qartë se nuk jetonte kush. Fshehtas u fut në derën gjysmë të prishur dhe u fsheh pas një dollapi.
Nxirrte ndonjëherë kokën që të shihte prej dritares, se kishte frikë të lëvizte më tepër. U bënë nja pesë minuta që qëndroi aty dhe askush nuk i erdhi, por sërish s'deshi të dilte. Le që s'dinte as se në ç'rrugë ishte futur.
Mori në telefon Elisën. Ajo nuk ia hapi, ndoshta e kishte lënë pa zë që të mos shqetësohej në orarin e punës.
Mori Emën, e cila u përgjigj pas dy zilesh.-Hej Ema. Mund të më ndihmosh pak?
-Cfarë? Nuk të dëgjoj fare Melion.
Zhurma të mbytura dëgjoheshin nga ana e Emës. Me shumë siguri ishte në ndonjë nga ato diskot e saj të preferuara.
-Ku e gjete të shkosh sonte atje o Em, - mërmëriti e inatosur duke mbyllur telefonin.
Mori edhe Neon. Ai ishte më keq, e kishte telefonin e mbyllur. Ngelej vetëm dikush: Brajani.
Aty u step. Gishtin e mbante pak milimetra larg emrit të tij. Do ta telefononte sikur disa ditë më parë të mos kishin përfunduar në një grindje të vogël. Çfarë kishte ndodhur? Tepër e parashikueshme. Ishin ato të zakonshmet e Brajanit, moskokëçarja dhe shfrytëzimi i çdo mundësie për t'u argëtuar, dhe më e bukura ishte se ai as që përpiqej t'i justifikonte veprimet e veta.Si për çudi, kur vendosi se më mirë do të ishte nëse nuk e telefononte, ai e telefonoi vetë. Kroi pak fytin që zëri t'i dilte më i plotë. Nuk e kuptoi se si dhe se kur vendosi që t'i përgjigjej atij menjëherë, sikur të kishte harruar çdo gjë që kishte ndodhur.
-Po vij të shtëpia jote të të marr. Besoj se të detyrohem një falje,-qenë fjalët e tij menjëherë pasi ajo hapi telefonin.
-Nuk jam në shtëpi.
-Ma dërgo vendndodhjen me mesazh që të vij të të marr.
Dhjetë minuta më vonë dëgjoi një makinë nga jashtë teksa ndalonte. Me hapa të qetë doli nga vendi ku ishte fshehur, doli prej shtëpisë dhe ashtu duke nxituar u përplas në kraharorin e Brajanit. Ngriti kokën ta vështronte, por e dinte se do të humbiste në sytë e tij. Turbullazi vështroi përreth, mjaftueshëm për të dalluar djalin të qëndronte disa shtëpi larg tyre, ulur te një stol duke tymosur një cigare.
E tërhoqi Brajanin brenda në shtëpi, pastaj ia lëshoi menjëherë dorën sikur prekja e tij ta digjte.
-Pse po qëndron këtu?
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...