3

1.1K 95 85
                                    

Në shtëpi hyri ngadalë, shkoi në dhomën e saj e qëndroi pranë pasqyrës. Bëri një frymëmarrje të thellë, mori një letër të lagur që të fshinte fytyrën prej pudrës ndërkohë që përpiqej të mos dëgjonte zhurmat që Stivi po krijonte.

Ndoshta ai kishte sjellë ndonjë grua tjetër në shtëpi, ashtu si në më të shumtën e rasteve. Pastaj, kur ajo ikte, ai fillonte të pinte pa pushim, derisa e shfynte inatin te Meliona.

Faqja ishte akoma e nxirë, sigurisht, s'mund të priste që të rregullohej brenda ditës.  Dhe për dreq dhimbte, njëjtë sikur ta shponin herë pas here me gjilpërë.

Kontrolloi në dollapin e vogël për të gjetur shallin e zi që kishte katër vite që e përdorte. Bashkë me kapuçin në të njëjtën ngjyrë dhe xhupin e fryrë ngjyrë ulliri, veshje e cila fshihte mirë të nxirën, vendosi të dilte për të blerë ndonjë fustan me aq lekë sa i kishte dërguar e ëma fshehurazi.

Rrugët ishin të populluara, po bëheshin blerjet për fundvitin. Vendosi duart në xhepat e xhupit teksa vështronte me një ndjenjë vetmie. Sikur të ishte ajo në vend të vajzës së vogël që po ecte aty në rrugë me të ëmën, të asaj adoleshentes që i ndriste fytyra prej lumturisë, ose të ishte në vend të asaj vajzës që po përqafohej me dashuri nga një person i dashur.

Ndjenjën e vetmisë shpesh s'mund ta shmangte. Kishte nevojë për dikë që ta bënte të ndihej mirë, dikë për të cilin të ndiente mall, edhe pa e njohur.

Vështroi mirë këta të fundit, derisa arriti të dallonte se ai djalë ishte Brajani, që buzëqeshte aq shumë në prani të vajzës. Buzëqeshje hyjnore, që çdo femër do adhuronte t'i drejtohej asaj.

Me hapa të qetë hyri te një butik që të shmangte ndonjë vështrim prej tij.
Gjeti një fustan të thjeshtë e të zi, të rehatshëm për trupin e saj që s'ishte mësuar të vishej në atë lloj mënyre.
E kombinoi me një pallto e me një palë taka, të gjitha në të zezë, ashtu siç ishte edhe jeta e saj, më pas pagoi lekët shpejt e u largua.

Pjesa tjetër e ditës i kaloi e qetë dhe mëngjesi e gjeti të freskët. Shpenzoi një kohë të mirë pranë dritares duke shikuar borën tek binte. Tek orët fluturonin, vendosi veshjet në krevatin e butë, bëri gati produktet e makiazhit, pastaj u fut të bënte një dush të shpejtë.
Po aq shpejt mbaroi punë edhe me çdo gjë tjetër. Makiazhin s'e kishte të rënduar, vetëm se i pëlqente të mbulonte atë ngjyrën mavi që i kishte ngelur.

Doli nga shtëpia me hapa shumë të ngadaltë, se të rrëshqiste në akull ishte gjëja e fundit që dëshironte në ato momente, pastaj mori një taksi që ta çonte te restoranti luksoz.
Atje çdo gjë ishte në perfeksion, ambienti, dritat jo shumë të forta, ngjyrat e buta, dekorimet.

Vuri re djalin e djeshëm e iu afrua.

  - Përshëndetje.

  - Oh, kujtova se mos ndoshta s'do të vije.

  - U vonova pak me punën e taksisë, - buzëqeshi në siklet e vështroi një herë përreth.

  - Eja, tavolinat e kolektivit janë këtej.

E ndoqi atë mbrapa për në katin e dytë derisa arritën te nëntë tavolina të mëdha, ku te secila kishte nga pesëmbëdhjetë vende.

  - Janë të ndara sipas sektorëve. Ne jemi me sektorin e tretë dhe me dy-tre veta të sektorit të katërt.

U ul te një karrige bosh në cep fare dhe ngriti kokën të vështronte gjithë ato fytyra të panjohura. Mezi priste që të kalonte kohë në atë punë e të mësohej me gjithë ata njerëz, se nëse ishte diçka të cilën s'e duronte dot, ishte të qëndronte me njerëz që s'i njihte aspak.

Disa e vështruan e i buzëqeshën, disa i hodhën shikime indiferente, pjesa tjetër as që ia vari.

  - Mund të duken të ftohtë, po puna është deri sa të mësohesh. Sikur zbuten nga pak me kalimin e kohës, - i tha ai me një ngërdheshje në fytyrë. - Dhe, oh, më fal, jam treguar kaq i pasjellshëm. Emri im është Neo.

  - Emër i bukur.

I buzëqeshi lehtë e në atë momet dëgjoi telefonin të tingëllonte. I ati. U përtyp një herë, ngriti kokën për të parë përballë, më pas vështroi Neon.

  - Më duhet të përgjigjem, do vonohem pak, - bëri edhe një shenjë me fytyrë si të mos ishte ndonjë gjë e madhe, pastaj u ngrit e u largua.

Shkoi te një vend ku s'kishte shumë persona. Vendosi telefonin në vesh duke pritur të dëgjonte fjalët e acaruara të të atit.

  - Ku ke shkuar? - bërtiti ai nga ana tjetër e telefonit. - Si guxon të rrish jashtë kaq vonë pa më thënë mua as edhe një fjalë?

Shikoi orën. Dhjetë e njëzet minuta. Shumë, shumë "vonë"...

  - Shefi kishte organizuar një festë për vitin e ri. Duhej të vija me patjetër.

  - Sigurisht, ashtu siç shkonte dhe ajo bushtra tjetër, jot ëmë!

Mbylli sytë e bezdisur.

  - Mirupafshim, po më kërkon shefi.

Ia mbylli telefonin me një gënjeshtër dhe u bë gati të kthehej kur vuri re se dy hapa më larg gjendej Brajani që po e shihte me një nënqeshje të çuditshme në buzë.
U përtyp për herë të dytë atë natë.

  - Kërkoj ndjesë, thjesht më duhej t'i shpëtoja një telefonate të padëshiruar.

Lëvizi dorën në ajër, se gjestet ishin pjesë e pandashme e saj kur nervozohej.

Ai ngriti njëherë vetullën duke lëvizur kokën lehtë, pastaj mërmëriti një "të kuptoj".

Meliona i buzëqeshi nervoze e u largua pa shtuar gjë më tepër.
Gjatë rrugës për te tavolina hoqi pallton, se një nxehtësi e madhe ia kishte pushtuar trupin, por harroi se te kyçi i dorës i kishte ngelur akoma një shenjë e errët.

Vendosi pallton në karrige e u ul pranë Neos.
Brajani erdhi pak më vonë. U hodhi një shikim të shpejtë kolegëve të tij, një shikim pak më të gjatë Melionës, pastaj u ul përballë saj, vendi i vetëm bosh.

  - Qenkeni të gjithë, - filloi ai të fliste. - Më vjen mirë që vendosët të vinit.

Një buzëqeshje perfekte u vendos në fytyrën e tij me tipare të theksuara.

  - Edhe pak kohë na ndan nga një vit tjetër. Shpresoj t'ia kaloni bukur në praninë e të gjithë kolegëve. Ndoshta gëzimi që mund të përjetojmë sot, do jetë shenjë e mirë për një vit akoma dhe më të lumtur. Ju uroj të gjithëve një vit të gëzuar, - përfundoi duke ngritur gotën me shampanjë e pas tij ashtu vepruan të gjithë, përfshirë edhe Melionën.

Uli sytë për të parë dorën e saj kur vuri re se sytë e Brajanit qëndruan për disa çaste atje para se ta shikonte në fytyrë e të pretendonte se asgjë s'kishte ndodhur.
Ngadalë e me mendje të turbulluar piu shampanjën dhe dorën e vendosi poshtë tavolinës që të fshihte kyçin.

I vinte inat me veten që kishte harruar shenjat në trup.
Vështroi vjedhurazi Brajanin. Për të kishin qenë mjaft dy ditë për të kuptuar gjëra për Melionën që pjesa më e madhe as që i dinin. Sa gjëra të tjera do të mësonte në vazhdim?

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now