5

1K 87 95
                                    

  - Stiv, e ke idenë se ç'po bën? - bërtiti me të madhe mamaja e saj që po qëndronte e frikësuar në një cep të dhomës.

Një dhimbje e madhe në kokë ia solli mendjen vërdallë. Instiktivisht preku kokën me dorë e ndjeu një gjë të lëngshme tek i jepte dorës së saj një ngjyrë të kuqe të flaktë.

Filloi të merrte frymë shpejt prej shqetësimit ndërkohë që dora i dridhej. E ëma bëri t'i afrohej, ndaj Meliona u ngrit me të shpejtë prej tokës e bëri disa hapa pas.

  - Mos m'u afro.

Zëri i tingëlloi më i ftohtë se ç'do të kishte dashur, por keq s'i erdhi.

  - Meliona, po të del gjak, mos u bëj kokëfortë.

Nuk ia vari më. Ashtu e lodhur dhe në dhimbje siç ishte, nxitoi të shkonte në dhomën e saj duke u mbajtur te muret. Mbylli derën me çelës e u shtri direkt në tokë.

Ajo dreq koke po i pëlciste. Kishte mjaftuar që cepi i tavolinës ta çukiste, t'i bënte një gropkëz të vogël që ajo të ndiente aq dhimbje.
E bëri me alkool, pastaj u fut të lahej, edhe pse e dinte se gjë e mirë nga uji s'do t'i vinte.

Në fund u shtri në shtrat si e vdekur, vetëm që të nesërmen të përjetonte sërish të njëjtën dhimbje bezdisëse.

Të merrte lejë në punë ishte e pamundur. Do t'i linte një shkas Brajanit për të dyshuar akoma dhe më tepër, ndaj dhe s'gjeti zgjidhje më të mirë veçse të merrte veshjet e punës e të shkonte atje në orarin e duhur.

  - Eja Meliona. S'ka shumë kohë që shefi na lajmëroi se tani do të nisë mbledhja.

Pohoi me kokë duke i dhënë një buzëqeshje të lodhur.

  -S'më dukesh mirë. Mos ndoshta ke temperaturë?- pyeti Neo ndërkohë që vendosi dorën në ballin e saj. - Po ti po digjesh! Duhet të marrësh mjekim menjëherë.

E qetësoi atë me disa fjalë boshe, pastaj u nisën për te kati i katërt me Neon që e ndiqte Melionën nga mbrapa gjatë ngjitjes së shkallëve, prej frikës se ndoshta mund të rrëzohej.

Brajani i përshëndeti sërish të gjithë kolegët, ndonëse jo si më parë, pastaj u bëri me shenjë të uleshin.

Ai filloi të fliste, pas tij edhe të tjerët, përveç saj. Meliona as që po dëgjonte. Fjalët e tyre nuk i hynin në vesh, vetëm i vinin afër dhe e acaronin. Ishin si jehona të largëta, dhe ajo s'do të ishte kurrë aq afër tyre sa për t'i dëgjuar normalisht.

Brajani e vështroi e u bë gati t'i fliste, por ndryshoi mendje kur pa gjendjen e saj. E hoqi shikimin shpejt, si të donte që ai vështrim të mos u jepte shtysë punonjësve të vështronin Melionën e kjo e fundit të ndihej në siklet.

Ndonëse gjysmë e trullosur, ajo arriti ta vinte re se Brajani filloi të nxitonte në fjalët që thoshte, madje mbledhjen e mbylli brenda dhjetë minutave.

Kur të tjerët filluan të iknin, ajo i bëri me shenjë Neos të largohej, se do të shkonte vetë në vendin e saj të punës.

Zyra u boshatis ngadalë. Ajo futi fletët e fundit në çantë me shikimin që po i turbullohej, pastaj bëri të lëvizte karrigen që të ngrihej, po sa vuri këmbët në tokë, e ndjeu të pamundur të qëndronte ngritur.

Brajani, ashtu i shkathët siç kish qenë gjithmonë, i shkoi pranë dhe e kapi te beli që të mos binte.

  - Nuk ka gjë, mund të eci vetë. Ju faleminderit, - mërmëriti pa e parë në sy, por ai s'e lëshoi.

  - Nuk je mirë, do të të çoj në spital. Eja.

  - Jo.

Deshi të kundërshtonte akoma dhe më tepër, po zëri sikur iu pre. Imazhi iu errësua dhe s'e ndjeu kur ra në krahët e tij.
Ai e ngriti peshë, nxitoi të zbriste që nga shkallët, që më pas të dilte nga hyrja e pasme e kompanisë që të mos e shihte kush.

Në spital arriti shpejt. Melionën e futën te një dhomë ndërkohë që ai u ul te një stol dhe po priste. S'mërzitej. Pritja s'i bënte hiç përshtypje. I mjaftonte të ndizte një cigare që të shtynte kohën, po aty e përmbajti veten, thjesht priti, asgjë më tepër.

  - Si është? - e pyeti doktorin në momentin kur ai doli prej dhomës.

  - S'është ndonjë gjë serioze, vetëm se i duhet të pushojë. Plaga në kokë s'është e madhe. E mjekuam, s'do vonojë shumë derisa të mbyllet plotësisht. Por pushimi është vërtet i domosdoshëm, duhet ta marrë veten mirë, t'i shërohen edhe shenjat që i kanë ngelur në trup.
Mund të hyni që ta shihni nëse dëshironi.

Pëshpëriti një "faleminderit" të thatë, pa lënë ndonjë shenjë habie për ato që tha doktori, pastaj hapi derën që të shkonte pranë saj.
Ajo po flinte, s'duhej të vononte shumë derisa të zgjohej.

I shkoi pranë qetë, e vështroi për pak në fytyrë e më pas ia kapi dorën që të vështronte nëse kishte ndonjë shenjë tjetër. Ngriti mëngën e bluzës e syri i zuri disa pulla të zeza. Të njëjtën gjë bëri me krahun tjetër, edhe me fytyrën. Ia lëvizi kokën ngadalë për të parë më mirë qafën. Vuri re një të prerë të vogël, të shkaktuar jo shumë kohë më parë.
Pastaj filloi të prekte shenjat e zeza ngadalë, a thua se do zbulonte ndonjë gjë nga ai kontakt fizik.

  - Ç'jeni duke bërë? - foli ajo e trembur në momentin që hapi sytë. U mbështet në kokën e krevatit me të shpejtë, si të mos kishte ndodhur gjë fare, po ai arriti ta dallonte lodhjen në ata sy qielli.

Meliona uli mëngët e bluzës me të shpejtë dhe Brajanit i hodhi një vështrim të vëngërt.

  - Këtë javë nuk do të vish në punë.

  - Pse?

  - Duhet të pushosh. Domosdoshmërisht.

  - Nuk është nevoja, - kundërshtoi ajo, - s'jam edhe aq keq.

Ai s'foli për pak. Vetëm sa e vështronte në sy pa ndonjë emocion të dukshëm.

  - Mund ta denoncosh, - foli ashtu nga hiçi duke dalë plotësisht jashtë teme.

  - Për çfarë jeni duke folur?

Vuri buzën në gaz për të treguar se s'kishte pse ta bënte një gjë të tillë ashtu kot. S'e la veten të dukej sikur i miratonte fjalët e tij. Ajo kishte frikë ta denonconte Stivin.

  - Të lutem, mos bëj sikur s'më kupton. Denonco atë që të ka shkaktuar këto.

Për disa çaste vetëm po vështroheshin në sy, dhe Melionës ai shikim i tillë sërish ia boshatisi mendjen.

  - Nuk e di se ç'po ndodh në jetën tënde dhe as s'dua të dukem sikur po ndërhyj në të, vetëm se denoncimi është gjëja e vetme që mund të bësh në të tilla raste. S'mund të qëndrosh me frikë. Mund të të ndodhë më keq se kaq.

Uli kokën e vendosur në siklet. Një ndjenjë e nxehtë ia pushtoi faqet.

-Mund të të ndihmoj po të kesh nevojë.

Ai ishte serioz në ato që thoshte, madje më tepër se ç'kishte qenë ndonjëherë vetë Meliona.
Vështroi tiparet e tij serioze për një kohë të gjatë. Nuk folën, vetëm u vështruan, por brenda atij shikimi Brajani arriti të shihte thirrjen e pashpresë të Melionës, atë "më ndihmo" të mbytur, që askush tjetër s'e kish dalluar.

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now