Brajani e çoi atë deri në shtëpi. Për një kohë ajo ndenji në makinë, si të priste të dëgjonte diçka prej tij, por e vërteta ishte se thjesht s'donte të largohej, se e dinte që mendimi se Brajani kishte të drejtë ekzistonte vetëm kur e kishte atë pranë, se kur ishte vetëm mendimet i ndryshonin shumë kollaj.
-Mirupafshim, - i tha më në fund teksa bëri të hapte derën e makinës.
Ai vendosi dorën e vet mbi të sajën për të fituar vëmendjen e kësaj të fundit. Meliona ktheu kokën ta shihte në sy.
-Kujdesu për veten, - qenë fjalët e tij të qeta e miqësore.
I buzëqeshi butësisht teksa pohoi me kokë dhe ndjeu dorën e tij që shtrëngoi lehtë të sajën para se ta linte të lirë. Ajo prekje i fali disa rrahje të shpeshta zemre.
Për herë të fundit e vështroi edhe një herë në sy e u largua. U fut në shtëpi e emocionuar. I pëlqente kur Brajani kujdesej për të në atë lloj mënyre, vetëm se kujdesi i tepruar më tepër e mërziste.
Lodhja që kishte pasur gjatë ditës i iku menjëherë. Ashtu e entuziasmuar vrapoi për te shtëpia e Emës. U fut atje si furtunë e u hodh e lumtur në shtratin e saj.
-Uou, uou, uou, ç'po ndodh? Ç'ka ngjarë që qenke kaq në qejf? Në mëngjes s'm'u duke mirë.
-Nuk do të punoj më në librari.
-Zot, më në fund! Kisha filluar të zija rrënjë në shtëpi pa dalë e pa bërë qejf!
Qeshi. Vetë kishte qenë akoma dhe më keq se Ema.
-Po si ndodhi aman? Kush t'i solli farat që të kishin fluturuar prej trurit?
-Brajani, - u përgjigj duke qeshur.
-Vërtet? Dhe unë që kujtoja se ai t'i hiqte.
Ngacmimet e Emës ndonjëherë e bënin të qeshte, ndonjëherë e acaronin. Por në ato momente ishte në qejf, shumë madje.
-Si shumë interesohet Brajani për ty.
Rrotulloi sytë. Kishte gjithë ata muaj që vetëm atë gjë i thoshte Emës, dhe ajo vetëm në ato momente e kishte kuptuar se ato fjalë ishin të vërteta.
-Por s'ka rëndësi. Ç'do bëjmë sonte? Ose më mirë le të dalim në fundjavë. Është hapur një klub i ri e të shtunën do bëhet një festë e madhe. Si thua, dalim? Me atë rast gjej edhe unë ndonjë se ai imi kushedi me kë kënaqet andej nga është futur.
E keqja e vetme e Emës: I pëlqente vetja pak më tepër seç duhej dhe adhuronte që kjo gjë t'i vlerësohej, sidomos prej djemve. Me një fjalë ishte tip i shthurur, por ishte një shoqe e vërtetë, s'dinte të të bënte fjalë mbrapa krahëve, të të shante apo të të bënte ndonjë të keqe.
-Në rregull, si të duash, por ta dish një gjë: nuk kam ndërmend të vesh fustan, ti për vete bëj ç'të duash.
-Çfarë?! Ke ndërmend të vish si murgeshë?!
-S'ka rëndësi. Ti ekspozohu sa të duash, lyeju sa të duash, thjesht mua mos më ngatërro me asgjë.
-Pff, mirë mirë, ti e di.
Bisedoi edhe pak me të, pastaj shkoi në shtëpinë e saj. Atje s'kishte asnjë njeri, ishte shumë qetë e rregullt, ashtu siç e kishte lënë shtëpinë në mëngjes.
Qëndroi e qetë, madje prej gëzimit gatoi edhe kekun e saj të preferuar me luleshtrydhe. E futi të piqej kur dëgjoi derën të trokiste.
Hoqi përparësen, u hodhi një dorë flokëve që të kishte një gjendje më të paraqitshme dhe shkoi të shihte kush kishte ardhur.
E ëma.-Çfarë dëshiron? - i foli ftohtë, pa ndjenjë.
-Asgjë, erdha të të shihja.
Ajo i buzëqeshi, por Melionës tashmë veprimet e saj nuk i bënin më përshtypje. E kishte kuptuar se marrëdhëniet mes tyre po prisheshin ngadalë.
-Pra, s'ke menduar për të marrë ndonjë shtëpi tjetër?
-Jo, akoma jo. Ndoshta më vonë shkoj diku.
-Po të kesh ndonjë nevojë, mua këtu më ke.
-Faleminderit.
E shihte se ajo kishte diçka tjetër që donte t'i thoshte, se bëhej të fliste e pastaj ndalonte sërish. Kushedi ç'kishte ndodhur këtë herë.
-Ka ndonjë gjë që dëshiron të ma thuash?
-Në fakt po. Meliona...
Stivi hyri në shtëpi në ato momente. Ishte në humor të mirë, po u vrenjt kur vështroi ish-bashkëshorten e tij.
-Ç'do këtu?
-Erdha të shoh vajzën, por gjithsesi duke u larguar isha. Mirupafshim Meliona, flasim herë tjetër.
-Mirupafshim.
Ajo i bëri me shenjë se do bisedonin më vonë. Sytë e mprehtë të Stivit kapën çdo veprim të tyre, ndaj dhe iu drejtua Melionës kur mbetën vetëm.
-Ç'të thoshte ajo bushtra? Me çfarë po të gënjente këtë herë?
-Nuk më tha asgjë. Ti mos u shqetëso, s'është se përbën ndonjë problem të madh nëse s'di se ç'bëhet në jetën time.
Me aq e mbylli bisedën dhe u largua me të shpejtë nga ai mjedis mbytës, ndryshe do detyrohej të dëgjonte ndonjë thumb tjetër prej Stivit.
Nxorri kekun prej sobës së pjekjes, priti derisa u ftoh, mori një copë të mirë e u mbyll në dhomën e saj. Gjejeni se kë kishte në mendje që bëri t'i kalonte koha kollaj.Po, Brajanin. "Hamshorin", ashtu siç i kishte thënë Ema. Buzëqeshi lehtë dhe vendosi duart në fytyrë. Nuk e kuptonte se pse gjatë gjithë kohës kishte vetëm imazhin e tij në mendje. Normalisht, kishte diçka tërheqëse më tepër se vetëm fytyra e tij. Ndoshta karakteri, të paktën një pjesë e tij. Por vërtet që diçka s'e kuptonte: aq sa e urrente faktin se Brajani fuste hundët kudo ku ajo çekte, aq edhe i pëlqente të dinte se ai interesohej për të.
Orët kështu i detyroi të kalonin, por kur u bë gati të flinte, kuptoi diçka të papëlqyeshme: ishte duke e ushqyer çdo moment e më shumë pëlqimin ndaj Brajanit, ishte duke i dhënë shkas vetes që ta çonte çdo gjë edhe përtej adhurimit.
U frikësua nga ajo që po ndiente. Çdo gjë dukej gabim nëse e mendonte ashtu, ndërkohë që kur kishte Brajanin pranë ishte aq e sigurt për ato që ndiente.
E qetësoi veten, duke pëshpëritur se ajo ndjenjë ishte e përkohshme e do të largohej shpejt. Ashtu edhe fjeti.
Por a ishte e përkohshme? A mund ta quante të përkohshme kohën që nga fillimi i punës së saj e deri tani? A ishte e përkohshme ajo ndjenjë që kishte zgjatur aq shumë?...
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...