24

757 60 38
                                    

-Brajan, përmendu, të lutem, - mërmëriti pranë tij ndërkohë që po e godiste lehtë në faqe.

Ai puliti disa herë sytë para se t'i hapte pak, aq sa i mjaftonte të shihte fytyrën e saj. Në buzët e tij u vendos menjëherë një buzëqeshje e vogël, që jepte një pikëz shprese atë ditë të vrenjtur gushti.

-Oh, falë Zotit, - foli ndër lot duke përqafuar fort trupin e tij.

Ia kapi fytyrën me duart që i dridheshin. Zëri mezor po i dilte, s'dinte ç'fjalë të formulonte. Mendimi se mund ta humbiste Brajanin ia kishte futur frikën deri në palcë.

-Ndien shumë dhimbje? - e pyeti ndërkohë që kishte ngritur kokën për të parë ambulancën që po vinte.

Krenaria e tij mashkullore s'e lejoi të pohonte, gjë që shkaktoi një gjysmë nënqeshjeje të vakët në buzët e saj. Brajani ishte krenar edhe në dhimbje.

-Je i çmendur Brajan. Pse duhej ta bëje diçka të tillë?

Përkëdhelte flokët e tij ndërkohë që fliste. Sa e lodhur që dukej fytyra e tij në ato momente, sa në parehati që e kishte trupin.
Mallkonte veten kur e shihte në atë gjendje, sidomos kur dy infermierët e morën për ta futur në ambulancë dhe ajo i dëgjoi të thoshin se ai s'ishte mirë.

Kraharori i digjte. Gjithë qenia e saj dridhej, copëtohej, merrte zjarr, a thua se i kishin vendosur flakë përgjatë gjithë trupit.

Ngathtësia e shkaktuar prej dhimbjes bëri që të mos e arrinte dot ambulancën, dhe u detyrua ta bënte rrugën më këmbë deri te spitali, se s'gjeti as edhe një taksi të vetme në dispozicion. Të gjithë ishin shastisur prej tërmetit.

I shkoi mendja te gjithë ato jetë njerëzish që ishin fikur, por s'mendonte për asnjë
më tepër se ç'mendonte për Brajanin. Ai kishte bastisur gjithë mendimet e saj, i kontrollonte ato si t'i kishte qejfi.

Ishte duke vrapuar në korridoret e spitalit në periferi të qytetit për të gjetur dhomën që recepsionistja i kishte dhënë. Gati rrëshqiti në pllakat e lëmuara, aq sa mjaftoi të merrte disa shikime të çuditshme prej infermiereve që po kalonin, por as që i bëri përshtypje.

Doktori doli prej dhomës ku gjendej Brajani pikërisht në momentin që ajo kishte marrë kthesën për tek ai korridor.

-Doktor, doktor! - i bërtiti pas krahëve doktorit që po largohej.

Bëri disa hapa të shpejtë, pastaj ndaloi kur ai ktheu trupin nga ajo.

-Si është Brajani? Ka shumë dëmtime?

Apo s'po i merrej edhe fryma ndërkohë që fliste!

-I ishte thyer krahu dhe njëra këmbë, - filloi ai të fliste pas një frymëmarrjeje të thellë. - Kishte dëmtime në shpatull, si dhe shembje në kraharor. Lajmi i mirë është se s'ka pësuar hemorragji të brendshme. Mund ta shihni nëse keni dëshirë.

U fut në dhomë si rrufe, duke e lënë doktorin me fjalët që i ngelën në buzë.

Brajanin e gjeti nën efektin e ilaçeve apo çfarëdo qoftë që i kishin bërë. Ndërkohë dy infermierë po vendosnin allçi në krahun dhe këmbën e tij.

-Sa kohë do të duhet që ai të kthehet në normalitet?

-Për krahun duhen rreth dy muaj, ndërsa për këmbën ndoshta tre apo katër muaj, - iu përgjigj njëri prej tyre.

Mori frymë thellë e tensionuar pa ia ndarë vështrimin Brajanit.

-Do të vonojë shumë derisa të zgjohet? - pyeti sërish e paduruar.

-Jo, së shpejti do jetë në gjendje t'i hapë sytë.

Para se njëri prej tyre të ikte, i bëri Brajanit një gjilpërë që t'i pakësoheshin dhimbjet trupore.

Kur ngeli vetëm me të në dhomë, i shkoi pranë dhe u ul ngadalë në shtratin e vogël e të butë. Kapi dorën e tij të bardhë dhe e shtrëngoi fort.

Ndihej fajtore. Po sikur atij t'i kishte ndodhur diçka akoma dhe më e keqe teksa përpiqej të mbronte atë? S'do ia falte kurrë vetes.

Ndërkohë që priste që ai të zgjohej, i shkroi Emës, Elisës dhe Neos. Vetëm në ato momente u kujtua për ata të tre.
Në stomak i ishte krijuar një ndjenjë boshllëku, që ndoshta mund të pakësohej kur të vështronte sytë e butë dhe buzëqeshjen e veçantë të Brajanit.

Ai lëvizi kokën ngadalë dhe direkt ndryshoi mimikën e fytyrës prej dhimbjes. Lëshoi një psherëtimë të vogël para se të kthente kokën dhe të shihte Melionën.

Ajo ia shtrëngoi dorën akoma dhe më tepër prej atij lehtësimit që ndjeu brenda vetes. Do ta kishte përqafuar fort nëse ai s'do të ishte në atë gjendje.

-Nuk u lëndove, apo jo? - e pyeti ai me zërin paksa të çjerrë në momentin që vuri re praninë e saj.

-Mos u shqetëso për mua, mendo për veten tënde. Je lënduar kaq shumë. Pse duhej të më...

-Shhhh...

Vendosi gishtin që i dridhej në buzët e saj për ta ndaluar të fliste. Dhe aq ishte mjaft. Prekja e tij kishte efekt të menjëhershëm, prej së cilës ajo shpesh acarohej. Ishte aq kokë e këmbë e dhënë pas tij, sa ai mund ta kontrollonte si të donte.

-Do ta bëja sërish nëse do të më jepej rasti.

Ndoshta ishte zëri i tij aq i qetë që e bëri të emocionohej aq shumë, ose ndoshta vazhdonte akoma edhe efekti i prekjes.

E vështroi për pak sekonda fytyrën e tij hyjnore ndërkohë që një luftë emocionesh zhvillohej brenda saj. Brajani ishte si një sundues i heshtur i gjithë qenies së saj, një burgosës i gjithë ndjenjave që ajo zotëronte.

U përtyp ngadalë, ndërsa dora e tij e përkëdheli lehtë në faqe dhe buzët iu harkuan këndshëm.

-Je i çmendur, - pëshpëriti pa mundur ta fshihte lumturinë që ndjeu.

Një afsh i ngrohtë ia përfshiu trupin dhe papritur në dhomën e freskët u bë shumë nxehtë. Lëvizi pak me dorë bluzën e ngushtë te qafa, si të donte të merrte frymë më lirshëm.

Brajani me gjithë ato fjalët e tij... Ja ç'pasoja i shkaktonte ai qoftë edhe me disa fjalë.

Ishte aq fort e dhënë pas një dashurie të tillë, sa kjo dashuri ishte në gjendje të thante edhe një oqean. Por i dukej sikur ajo ndjenjë kishte të shkruar fjalën "helm", dhe ajo po e pinte gjithsesi...

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now