Të nesërmen shtratin e gjeti bosh. Vetëm disa rreze dielli guxonin të zinin vendin e Brajanit.
Preku kokën që i vinte vërdallë dhe shtrembëroi fytyrën në pakënqësi, pastaj buzëqeshi me ato vegime të mbrëmjes së kaluar që i zaptuan mendjen.
Priti disa minuta për të dëgjuar zërin e Brajanit apo për të parë fytyrën e tij tek shfaqej aty te dera, por asnjë nga ato të dyja s'ndodhi, ndaj dhe u ngrit ngadalë prej shtratit e shkoi në tualet për të bërë një dush aq të gjatë, sa s'po e ndiente as trupin e vet.
Zgjodhi veshjet e para që i kapi dora kur hapi garderobën dhe, pasi u bë gati, filloi të mendonte se ku mund të kishte shkuar Brajani.
Ndoshta ishte ulur te ndonjë karrige në lokalin aty poshtë, ose ndoshta po ecte rrugëve duke menduar se cili vend e kishte radhën tashmë për t'u parë.
Menjëherë sa u bë gati, mori telefonin për ta telefonuar dhe u çudit kur ai nuk e hapi atë.
Doli prej hotelit me shpresë se do ta gjente diku aty afër, por askund s'e pa, as te vendi më i largët ku e çuan këmbët.
Tashmë s'mund ta ndalonte atë ndjenjën e poshtër që i kishte zënë vend në kraharor, e cila s'dinte të bënte gjë tjetër veçse të bëhej çdo herë e më tepër alarmuese.Po sikur t'i kishte ndodhur diçka e keqe?
Paranoja s'e linte të mendonte qartë, por gjëja e vetme që i shkoi në mend ishte të pyeste recepsionisten nëse e kishte parë atë të dilte.
Dhe më mirë të mos gjendej fare në atë vend sesa të dëgjonte atë përgjigje.
"U largua me një valixhe në dorë në orët e para të mëngesit. Pagoi çdo shpenzim të bërë në këtë hotel, edhe tre ditë të tjera për qëndrimin tuaj këtu."Ai s'mund të ikte kurrë ashtu. Brajani i saj s'do ta bënte kurrë diçka të tillë, s'do ta lëndonte në atë mënyrë.
S'e kuptoi se nga e gjetën forcën këmbët e saj për ta çuar sërish në dhomë, atje ku kujtimet e ëmbla iu ngjallën sërish.Hapi dollapin tjetër ngjitur atij të sajit për të vërtetuar fjalët e vajzës flokëartë, se Meliona vetë shpresonte me gjithë zemër që ajo ta ngatërronte Brajanin me dikë tjetër.
Por dollapi ishte bosh... Asgjë s'ndodhej atje, as edhe gjëja më e vogël që ai ndoshta mund ta kishte harruar.
Këmbët e çuan në dhomën e këndshme të ndenjjes, në tavolinën rrethore të së cilës gjeti një letër palosur më dysh.
U përpoq të mendonte pozitivisht, që të lehtësonte sado pak atë gjendje të rënduar."Mos më kërko. Gjithçka ka mbaruar."
Ndoshta ajri u bë shumë i rëndë në ato momente, ose ndoshta trupi i saj u bë shumë i brishtë, aq sa të mos mundej të qëndronte dot në këmbë.
Kraharori po i dhimbte, ashtu si çdo pjesë tjetër e trupit, ashtu si çdo qelizë e humbur jetë. Një komb i madh e i pazgjidhshëm iu vendos në grykë, si një gur i rënë prej një lartësie mjaft të konsiderueshme.
Ç'ishte ajo britmë? Ai zë i vagullt që ndiente nga brenda? Ajo rrjedhje e pamëshirshme ndjenjash përhapur në gjithë trupin e saj? Mos ndoshta ishte shpirti? Ai i cili kishte dashuruar deri në dhimbje, ai i cili falte edhe kur falja ishte e papranueshme, i cili dashuronte edhe kur duhej të urrente, ai që mirëpriste edhe kur thjesht duhej të mbyllte derën?
Frymëmarrjet e çrregullta e kujtuan se jeta e saj s'kishte marrë fund akoma, që ajo zemër xhami e shpartalluar në grimcat më të vogla ekzistuese vazhdonte të ruante funksionin e vet.
-Brajan, - pëshpëriti nën zë emrin e tij, sikur të priste që ai t'i shfaqej aty e t'i buzëqeshte.
Priti pa bërë zë, pastaj bërtiti thellë. Goditi fort kraharorin teksa qëndronte lëshuar në tokë, se e urrente atë dhimbje që e kishte zaptuar, aq sa donte që të zhdukej, ajo vetë së bashku me dhimbjen.
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...