-Epo, Brajani s'është edhe kaq i mirë sa ç'të duket ty, - foli si ndër dhëmbë Neo, që Brajanin nuk e kish pëlqyer kurrë.
-Pse?
Ktheu një herë gotën plastike të mbushur me kafe të ngrohtë teksa bënte një shëtitje me Neon buzë detit.
- Ndoshta të duket ty i tillë. Mund të jetë më i mirë seç mund të duket.
-Oh, të lutem! Pa të ofenduar, po ti s'di gjë fare rreth tij. Dhe unë s'është se ia di gjithë biografinë, ama ca gjëra i kam dëgjuar, ca të tjera i kam parë.
Nuk foli, s'donte ta ndërpriste tregimin e tij.
-Për shembull është pak si tepër moskokëçarës. Po qe diçka që s'i bën përshtypje, atëherë s'i shkon nga mbrapa, edhe sikur ajo gjë të jetë me rëndësi të madhe për të. S'është se i rëndon njerëzit me fjalë, ama me mua e ka kapur keq disa herë.
Lëre pastaj për atë maninë e keqe të të "shijuarit të jetës". Si ta them unë, i pëlqen t'i provojë të gjitha, t'i provojë me të gjitha, - tha duke u mëshuar pak më tepër fjalëve të fundit, dhe Meliona u mjaftua të lëshonte një "oh" të vogël, si për të thënë se mendja s'i kishte shkuar te diçka e tillë. - Për shembull, unë, me mendjen time, mund të them se ai po të vjen ty nga mbrapa.-Kjo po që është e tepruar. S'ka kaluar një muaj qëkur atij i vdiq e dashura! Do ishte kulmi nëse do harronte çdo gjë kaq shpejt.
-Të thashë, ai s'i merr gjërat seriozisht. I rroftë aftësia në punë, se nga anët e tjera është për t'ia qarë hallin.
-Ai më ka ndihmuar, s'më duket i keq.
Ngriti supet lehtë, si për të treguar se s'dinte ç'të besonte. Brajani i dukej i këndshëm, serioz, të paktën me të ashtu kish qenë gjithmonë.
-E pse po të ndihmon atëherë?
Këtë pyetje kurrë s'e kishte menduar, i ishte dukur normale ndihma e tij në fillim. Por pse? Pse mund të donte Brajani ta ndihmonte? Pse ishte interesuar aq shumë për të?
-S'ia kam idenë.
Sinqeriteti i saj e bëri Neon të ndiente një grimë keqardhjeje. I vinte keq për atë vajzë. Me Brajanin s'do t'i shkonte kurrë mbarë. Nëse vazhdonte me të, ai ia bënte të sigurt se fundi do ishte i pakëndshëm.
-Gjithsesi, s'kam ndërmend për ndonjë gjë serioze. Jam rehat kështu vetëm.
-Të gjithë kështu thonë. S'mund ta vendosësh se kur do ta duash dikë.
E vështroi Neon me bisht të syrit. Ai e bënte të dyshonte aq shumë, më shumë te vetja sesa te të tjerët.
Eci edhe për pak me të, pastaj kur filloi të errej, vendosi të shkonte në shtëpi. Të atin e gjeti atje, po s'kishte ndonjë shenjë agresioni në fytyrën e tij. Madje dukej i lumtur.-Mirë se erdhe, - i tha i qeshur ndërkohë që rregullonte kravatën me kujdes.
-Ç'po ndodh? Do shkosh diku?
-Po, do takohem me dikë.
E vështroi e çuditur për një kohë. Ai kurrë s'kishte bërë kaq përgatitje më parë para se të dilte.
-Dikush që e njoh?
-Po, sigurisht, - qe përgjigjia e tij e shpejtë para se të hidhte edhe një herë parfum, të përshëndeste atë e të ikte.
Rrudhi vetullat mendueshëm, pastaj mendoi që atë natë më mirë ta kalonte pa menduar për gjëra dyshuese.
Nuk kishin kaluar shumë minuta kur hapi telefonin dhe vuri re një mesazh prej bankës që i kishte ardhur që në mëngjes. Mund të shkonte të merrte rrogën e saj.
Psherëtiu lirshëm. Bankat kishin kohë që kishin pasur probleme e s'i kishin shpërndarë më parë paratë.Hodhi sërish pallton supeve, pastaj doli në mes të të ftohtit. Hapat i hidhte me vendosmëri dhe shikonte përreth me shpresë. Mendonte se kishte mundësinë të largohej prej Stivit, po kur vendosi kartën te vendi i duhur, në ekranin e vogël u shfaq vlera zero.
Rrudhi vetullat për herë të dytë atë ditë. S'kishte mundësi, duhej të kishte me patjetër ndonjë gabim.
-Më falni, a punojnë mirë bankomatet? - pyeti një punonjëse që kaloi aty.
-Po, s'ka pasur asnjë problem te personat që kanë tërhequr lekë.
-Po atëherë kjo ç'dreqin ka? - foli me të ulët dhe futi sërish kartën për t'u siguruar se s'kishte ndonjë gabim.
Sërish e njëjta gjë. Po largohej kur një mendim iu vërtit në mendje. Këmbët i ndaluan menjëherë.
Stivi. Sigurisht që Stivi ia kishte marrë lekët. Dreq. Ai njeri gjithmonë do t'i prishte punë.
Arriti në shtëpi e dëshpëruar. Tashmë vendosmëria e pak minutave më parë ishte zhdukur.
Kur hyri në dhomën e ndjenjjes, u çudit tek e pa të atin të ulur në kolltuk. La çantën te kolltuku ngjitur pa ia ndarë sytë, ndërkohë që përpiqej të përmbante veten prej ndonjë të bërtiture.
-Më kishe marrë lekët, - foli ftohtë.
-Me gjithë këtë temë! Ma çuat në majë të hundës, si ti, si ai tjetri!
-Brajani?
S'e kuptoi se pse mendja i shkoi menjëherë tek ai. Ndoshta ai ishte i vetmi që mund të bënte diçka të tillë, të përballonte çmendurinë e Stivit. Dhe s'mundi të mos shfaqte habi me atë që mendoi.
-Po, me të. Thuaji të mos ngatërrohet në punët tona, në të kundërt do ta keni pisk të dy.
-Si ndodhi? Nga të kishte parë?
-Nuk e di, s'më tha gjë, - iu përgjigj Stivi, por në mendjen e tij ishte leximi i tekstit në mëngjes te telefoni i Melionës, më pas të shkuarit te bankat dhe turma e madhe që ishte mbledhur atje. Me siguri Brajani diku aty do të ishte gjendur.
Meliona u bë gati t'ia kërkonte lekët, por ndryshoi mendje. Do ishte e kotë, do zihej me Stivin e sërish s'do të përfitonte gjë.
"Ndoshta herën tjetër," - mendoi e mërzitur dhe pa siguri për apartamentin që kishte ndërmend ta merrte me qira.Por nëse për atë gjë ndihej e pasigurt, diçka ia kishte bërë të qartë vetes: të nesërmen do të shkonte te Brajani e do merrte vesh arsyen që fshihej pas atyre veprimeve të tij.
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...