E kishin futur në paraburgim pa i dhënë asnjë shpjegim mbi atë që kishte ndodhur. Dhe Meliona qëndronte atje e hutuar, duke pritur t'i vinte ndokush që t'i thoshte se mund të ikte. Por asgjë s'ndodhte. Përveç shfryrjeve të një vajze tjetër që ndodhej pranë saj, çdo gjë ishte në qetësi.
Mori frymë thellë dhe vështroi përreth duke u rënë disa herë hekurave të fortë.-Hej, a ka ndonjë njeri këtu?
Zëri i kumboi në dhomë, i fortë dhe kërkues, por sërish askush s'u duk.
-Bërtit sa të duash, po kot e ke, nuk vjen njeri pa marrë urdhër prej atyre më lart.
Ktheu kokën drejt vajzës me trup të vogël.
-Sa kohë ke që qëndron këtu?
-Një ditë. Më thanë se nesër do më marrin në pyetje.
-Për ç'faj?
-Hodha prej dritares ishin. Ishte një trap.
-Çfarë?! - pyeti e habitur me një buzëqeshje në fytyrë, se personat që merrnin guximin për të bërë diçka të tillë me raste i pëlqenin. Kur kishin të drejtë, normalisht. - Ç'ndodhi me të?
-Gjallë duhet të jetë. Gjënë e keqe s'e gjen gjë.
Buzëqeshi sërish. Ajo vajzë i pëlqente.
-Po ti? Çfarë ke bërë që je këtu?
-Qëllova padashje me armë një burrë që donte të vriste tim atë.
Pas fjalëve të saj ra heshtja. E panjohura seç gdhendte në tokë me një gur të vogël që një Zot e di ku e kishte gjetur, ndërsa Meliona qëndronte e trishtuar me fytyrë nga dera.
Kush do ta shpëtonte? Stivi s'kishte fytyrë të bënte gjë, e ëma s'kishte nga e merrte vesh ç'kishte ndodhur, Ema, shoqja e saj, edhe sikur ta dinte s'kishte se kujt t'i kërkonte ndihmë.
Ah, po, ishte edhe Brajani.
Brajani...
Prej tij betohej se s'do kërkonte më ndihmë. Ndihej aq në siklet kur ai e ndihmonte, se nuk ishte detyra e tij të bënte diçka të tillë me një të panjohur. S'bëhej fjala për ndihmesa të vogla, ato ishin normale, po Brajani kishte shkuar përtej normales. Interesohej për mirëqenien e Melionës më shumë se ajo vetë.-Ke ndonjë njeri që mund të të ndihmojë të dalësh që këtu? - pyeti sërish vajza.
-Është dikush, por nuk dua që ai të më ndihmojë.
-Ndonjë që të ka lënduar?
-Jo jo, përkundrazi, më ka ndihmuar më tepër seç duhet. Vetëm se ai më vendos në siklet me ndihmën e tij.
-Kush na qenka ky djaloshi? Se mos ndoshta e njohim.
-Brajan, Brajan Harvey.
Në dhomë ra qetësi. Fytyra e vajzës u shtrembërua në pakënaqësi, si të kishte ndonjë hatërmbetje me Brajanin. Rrotulloi sytë, pastaj lëvizi duart në ajër ndërkohë që filloi të fliste.
-E njoh, e njoh. Madje shumë. Kam qenë shoqja e ngushtë e ish të dashurës së tij. Mos u ngatërro me të. S'do përfundosh mirë.
-Hë pra, po e bëni Brajanin negativin e çdo historie.
Filloi të ecte nervoze. Sërish të njëjtat fjalë, të njëjtat këshilla. S'i pëlqente të flisnin ashtu për Brajanin kur ai s'ishte aspak ashtu siç e përshkruanin.
-Dhe ti ndoshta e bën princin e të gjitha përrallave. S'më intereson ç'ke me Brajanin, thjesht po të them se ka edhe më mirë se ai.
-Ç'di ti për të?
-Që s'di të dashurojë. Të rralla ishin netët kur Ami nuk më vinte në shtëpi pa u ankuar, akoma më të rralla rastet kur s'qante. Brajani thjesht... Nuk e di, s'di si ta quaj atë tipin e tij.
Ngriti supet lart si një fëmijë i vogël i paditur, pastaj e vështroi me ata sytë e mëdhenj të kaftë.
-Qëndron shumë me ty?
U kujtua për kohët që kishte kaluar me Brajanin. Duke kujtuar kuptoi se kishte kaluar më tepër kohë se ç'kishte menduar, të paktën më tepër kohë se sa mund të kalonte një shef me një punonjëse.
-Pak më tepër se ç'më duket normale. Më thotë se i ngjaj me dikë që s'është më.
Vajza po e vështronte mendueshëm Melionën me një shprehi gjykimi. Sytë i kishte ngulur në fytyrën e saj, pa lëvizur as edhe një muskul në atë fytyrë të bardhë si letër.
-Ngjan me Amin në njëfarë mënyre. Veçse je më...më e qeshur, më e afërt. Ami ishte e qeshur vetëm kur kishte Brajanin, po pjesën më të madhe të kohës edhe ai e trishtonte. Ti je më e ëmbël, Ami ishte tip i sertë, i mbyllur.
-E ç'ngjashmërish kam me të?
-Shikimin. Kështu si të turbulluar, të largët. Të folurën njësoj si ti. Buzëqeshjen, edhe Ami qeshte kaq bukur.
Heshti. Asaj Ami i ishte dukur magjepsëse kur e kishte parë, ishte larg në të qenit përafërsisht si Meliona.
-Brajani ishte i lumtur me Amin, - mërmëriti si më vëte duke kujtuar ditën kur i kishte parë bashkë.
Vajza nënqeshi.
-Brajani është i lumtur me të gjithë. S'e kam parë ndonjëherë të jetë i trishtuar në prani të të tjerëve.
-Dukej i dashuruar, - vazhdoi me të sajën pa ia varur edhe aq fjalëve të saj.
-Shiko, s'mund të them se s'e donte, po ishte një dashuri ndryshe, dashuri toksike. Brajani meriton çmim për varrosjen aq lehtë të ndjenjave.
Këtë herë s'foli. Brajani sërish në sytë e saj ishte ndryshe, ishte ashtu siç e imagjinonte ajo, jo siç flisnin të tjerët. Për të Brajani ishte thjesht më tepër ndihmues se sa pjesa më e madhe e njerëzve.
S'e kuptonte se si po e ndërtonte atë përshtypje të tillë për të. Asaj Brajani i dukej mirë ashtu siç ishte, ishte i këndshëm në atë mënyrën e vet dhe ajo e pëlqente.
Por të gjithë po i thoshin se Brajani s'ishte dhe aq i mirë sa ç'dukej. Koka i bëhej lëmsh në këtë pikë. S'është se ishin vetëm mendimet e Neos e të mund t'i anashkalonte duke thënë se ai thjesht s'e kishte qejf Brajanin. Edhe Stivi s'fliste mirë për të, edhe e panjohura aty në dhomë.
Mori frymë thellë. Duhej të mendohej shumë për çështjen "Brajan".
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...