26

800 67 50
                                    

Kishin kaluar rreth pesë ditë në atë hotel kur një mbrëmje vendosën të shkonin në restorant. Ndoshta s'do të ishte kënaqur aq shumë sikur të mos e kishte dehur veten me verë deri në atë pikë sa s'dinte si t'i formulonte fjalët.

Vetëm vështronte Brajanin, i cili mbante një buzëqeshje të lehtë në fytyrë ndërkohë që gotën me verë e mbante në dorë, por që s'e pinte. Hera e parë që e bënte diçka të tillë. Pija dhe Brajani kishin qenë gjithmonë shokë të ngushtë, sidomos në netë si këto të këtillat.

-Eja ikim Mel, ti qenke bërë më dru se ç'jam bërë unë në gjithë jetën time.

Ajo ishte duke qeshur kot kur ai e ngriti prej karriges dhe e kapi për beli që të mos binte. Deshi të merrte një taksi, por Meliona s'e lejoi.

-Ikim më këmbë, - mërmëriti me kokën mbështetur në gjoksin e tij.

-Ke ndërmend të këputesh fare rrugës?

-Prandaj të kam ty.

Qeshi duke nxjerrë në pah dhëmbët e bardhë e të drejtë si perla.

Ndoshta të nesërmen do të çuditej kur Brajani t'i thoshte se për më tepër se gjysmë ore e kishte mbajtur në atë lloj mënyre. Dhe për këtë të fundit, problem s'ishte aspak.

Ngjitën shkallët për të arritur në katin e dytë të hotelit, aty ku e kishin edhe dhomën.
Meliona kishte për më tepër se dhjetë minuta që mërmëriste fjalë pa kuptim me zë të ulët dhe pastaj qeshte me veten, veprime këto që nxitën edhe Brajanin të qeshte.

E shtriu atë ngadalë në shtratin e butë që të flinte, por ajo, edhe pse sytë i mbante mbyllur, gjumë s'kishte.

-Mos më lër vetëm, - pëshpëriti e trishtuar dhe u mbështet te koka e krevatit.

Do të ngrihej prej shtratit sikur vizionin ta kishte pakëz më të qartë e fuqia të mos e kishte lënë të gjithën.

Ai ia shpupuriti lehtë flokët duke qeshur.

-Këtu do jem, fli tani.

Brajani u ul te një kolltuk pranë dritares që të linte Melionën në qetësi, por ajo diçka të tillë gjithsesi s'e kishte dashur.

-E ke dashur ndonjëherë Amin?

Nuk e dinte as vetë nga i erdhi ajo pyetje. Ndoshta e kishte menduar që kohë më parë, por s'e kishte marrë dot guximin t'ia thoshte atij. Kishte frikë të dëgjonte përgjigjen.

Sytë e tij e vështruan me imtësi, pastaj u bënë disi të largët, si të ishin duke sjellë kujtime në mendje.

Këmbët e Melionës sikur u ngritën vetë. Nxitoi të shkonte pranë tij para se të rrëzohej në tokë. Iu ul në prehër dhe e përqafoi duke vendosur kokën e vet në kraharorin e tij.

-Po mua më do vërtet?

Një nënqeshje erdhi nga ana e Brajanit. Ajo ngriti menjëherë kokën që ta shihte. Ngriti njërën vetull para se të qeshte pa ndonjë arsye. Pa që buzët e tij lëvizën, por nuk e kuptoi nëse ishte ajo që s'dëgjoi gjë, apo ishte thjesht Brajani që kishte mërmëritur më tepër me veten se me të.

Brajani e puthi lehtë në buzë, aq sa të mjaftonte për të nxitur dëshirën për më tepër në trupin e saj.

E afroi fort pranë vetes, si të kishte frikë mos i ikte dhe i fali puthjen më me ndjenjë ndonjëherë.
Dehja nuk kishte mundur t'ia hiqte ndjenjat aq të thella e plot dëshirë.
E si të mos ndihej sikur asgjë s'ekzistonte kur duart e Brajanit e përkëdhelnin në atë mënyrë, kur fryma e tij e ngrohtë përplasej në qafën e saj teksa ai i linte puthje atje e ndërkohë bluza e saj po rrëshqiste ngadalë në supet e hollë?

Atë natë e dëshironte më shumë se kurrë. Kishte diçka epshndjellëse në atë atmosferë, diçka që ndizte gjithë qenien e saj.

Ashtu siç ishin Brajani e mori në krahë dhe e shtriu sërish në shtrat. Vështroi sytë e tij, për të kuptuar nëse ajo flakë e çmendur ishte shfaqur edhe në të.

Duart e saj të vogla u vendosën në këmishën e tij për të zbërthyer ato kopsat e zeza që ishin duke kontribuar në fshehjen e trupit të formuar të Brajanit.

Shfryu lehtë nën vete tek gishtat e saj lëvizën në gjokin e tij tashmë të zbuluar, ndërsa dora tjetër e saj lëvizi në shpatullën e tij.
Ajo femër arrinte ta bënte të mendonte gjëra të shfrenuara, mëkatuese!

-Mel, je e dehur. Ndonjëherë tjetër.

Do të kishte ikur shpejt sikur ajo të mos ia kishte rrethuar duart në qafë.

-Edhe herën e kaluar ashtu më the.

S'e kuptonte se si arrinte të kujtonte ngjarje të ndodhura muaj më parë, sidomos në atë gjendje.

-Je e dehur.

-Por kjo s'do të thotë se të dua më pak apo më shumë sesa kur s'jam në këtë gjendje.

Shkundi shpatullat dhe ngriti pak kokën për të puthur buzët e tij të buta në atë ngjyrë të kuqe të lehtë.

-Të dashuroj kaq shumë, - i mërmëriti pranë veshit në një mënyrë të tillë që për Brajanin tingëlloi vërtet seduktive.

Mori frymë thellë. S'do të kishte vazhduar kurrë më tepër nëse s'do të ishte për të që vazhdoi ta puthte, çdo herë e më tepër me më shumë dëshirë.

Ndiente trupin e saj që dridhej pas çdo prekjeje të tij, kraharorin që i ngrihej e i ulej me të shpejtë, aq të çrregullt e kishte frymëmarrjen.

Aroma e kolonjës së tij hyri thellë në hundën e saj. Ajo aromë aq mashkullore, që gjithnjë kishte qenë një shkas për tërheqjen e saj ndaj tij.

Trupi i ngrohtë i Brajanit ngadalë po ia largonte të ftohtin që ishte në dhomë, ose ndoshta prekja e tij e nxehtë e bënte të harronte akullin përreth.

E shijoi çdo prekje në trupin e saj, çdo ndjenjë aq të adhurueshme që Brajani i falte, a thua se ishte e fundit herë që do ta ndiente aq afër, aq pranë shpirtit të saj.

E la veten në duart e tij, dhe ishte hera e parë që u ndie aq e sigurt, aq në paqe. E dashuronte atë njeri, dashuronte çdo të veçantë e çdo të metë që e rrethonte, çdo fjalë që dilte prej buzëve të tij, çdo shikim që ai i hidhte.

Ajo natë ishte ndryshe nga ç'kishin kaluar më parë. Ishte e mbushur me ato pëshpërimat e tij të vogla të dashurisë, ato psherëtimat e gjata plot kënaqësi. Ajo natë ishte e bukur. Ndoshta kujtimi më i veçantë që do të ruante prej atij mashkulli, kujtimi më i ëmbël e jetëdhënës.

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now