Kur u zgjua të nesërmen, një ndjenjë të çuditshme ndiente në stomak. Nuk e merrte vesh se ç'ishte, edhe pse i ngjante me ankthin.
E qetësoi veten mjaftueshëm para se të hynte në kompani. Ajo s'kishte bërë asgjë të gabuar. Nuk kishte pse ta mbante atë ndjenjë brenda vetes. E pëlqente Brajanin dhe kaq, këtu s'kishte asgjë për të qenë në tension gjatë gjithë kohës.
Nisi punën si normalisht. Nja dy orë më vonë hasi në vështirësi. Vilat të cilat kishte gjetur figuronin në një zonë të ndaluar. Nuk merrte dot më tepër informacion në laptop, s'kishte asnjë të dhënë për to. Duke qenë se kishte dhe një dosje me fletë që duheshin firmosur prej Brajanit, mendoi të shkonte tek ai për ta hequr qafe atë punë.
Trokiti në derën e tij e pastaj e hapi atë menjëherë. Ja dhe Brajani, duke qeshur me një vajzë tepër "të veshur". Stina e verës s'kishte ndikim të mirë te disa njerëz.
Çliroi dorën që kishte filluar t'i djersinte duke harruar se në të kishte dosjen. Brajani ktheu kokën dhe e vështroi në sy me atë buzëqeshjen e vogël që i kishte ngelur që pak më parë.
U ul me të shpejtë të merrte fletët, ndërsa Brajani u ngrit prej karriges së vet që t'i shkonte pranë.
Edhe Meliona u ngrit me të shpejtë pas tij. Bëri një hap pas, ngriti dorën si për t'i thënë se s'ishte nevoja që ai t'i shkonte afër, i kërkoi falje që kishte hyrë në atë mënyrë dhe u largua.
Hyri në zyrën e saj vetëm për të lënë dosjen, pastaj, si ta dinte se Brajani do t'i vinte aty, vendosi të shkonte te arkivat për të gjetur atë çka i duhej e për t'u shmangur prej tij.
Nxitoi t'i zbriste shkallët për te kati i nëndheshëm, i tregoi rojes së arkivës fletën e firmosur që në fillim prej Brajanit, ku tregohej se ajo kishte akses të përhershëm në atë vend dhe u fut brenda me të shpejtë. Aty gjeti edhe kohën për t'u qetësuar siç duhej, për të shkuar sërish në normalitet prej atij inatit që kishte ndier disa minuta më parë.
Por ai çast nuk zgjati shumë. Vetëm pesë minuta më vonë dëgjoi zërin e Brajanit tek fliste me rojen dhe pastaj hapat e tij në korridorin e zbrazët. Përfitoi prej dritave të zbehta e rafteve të shumtë dhe u fsheh mbas tyre.
Arrinte të shihte hijen e Brajanit, po shpresonte që ai të mos e kishte vënë re. Bëri hapa pas, aq sa u përplas me raftin, i cili krijoi një zhurmë jo të vogël. Dhe kjo ishte mjaftueshëm për Brajanin që të kuptonte se ku ishte ajo.E njëjta gjë vërtitej dhe në mendjen e saj. Brajani e kishte parë. Vendosi që të kontrollonte raftet, të paktën nëse e shihte ai të mos dukej si ndonjë e pashpresë.
Ndërkohë Brajani kishte shkuar qetë në fund të raftit të madh, atje ku e dinte se do të përfundonte Meliona. S'vonoi shumë për këtë të fundit që të shkonte atje me hapa të ngadaltë.
U hodh përpjetë kur vuri re praninë e tij. S'e priste ta shihte atje. Qëndroi për pak sekonda duke e parë sa të normalizonte frymëmarrjen, më pas ktheu trupin sërish drejt rafteve për të gjetur atë që kërkonte, por hutimi bënte të vetën. E kishte një dorë më poshtë e ndërkohë ajo kontrollonte më lart.
-Ç'po kërkon?
-Dosjen që flet për zonën e ndaluar.
Dëgjoi hapat e tij e nuk vonoi shumë kur ia ndjeu prezencën pas vetes. Ajo dreq dore po i dridhej, a thua se i kishin drejtuar armën në kokë.
Brajani zgjati dorën e mori as njëzet centimetra poshtë saj dosjen që ajo kërkonte. Meliona u kthye menjëherë. E kishte aq pranë trupin e tij, aq sa ajo pak distancë ishte e paarsyetueshme.
Po e shqetësonte jashtë mase ritmi i përshpejtuar i zemrës, edhe aq ishte e tepruar.-Mund të më kishe pyetur në zyrë. S'ishte nevoja të kontrolloje këtu.
-Ishit shumë i zënë. Si supozohej t'ju ndërprisja?
Ngjau më tepër xheloze se ç'do të kishte dëshiruar, ndaj dhe direkt filloi të kritikonte veten e saj për fjalët që sapo kishte thënë. Pastaj erdhi dhe ajo buzëqeshja e Brajanit që nuk e ndihmoi aspak. Por s'mund të mos mendonte se ç'bukuri përrallore që dukej kur buzët e tij lakoheshin.
Brajani iu afrua pak më tepër, aq sa mjaftonte që ajo ta humbiste ngadalë. Vendosi dorën në kraharorin e tij gjasmë për ta shtyrë, por përveç një shtyrjeje të lehtë nuk bëri asgjë tjetër dhe dorën sërish aty e mbajti.
Bëri të fliste, por ai vendosi gishtin e vet në buzët e saj. Hera e parë që Brajani e bënte diçka të tillë.
Ai bëri edhe një hap tjetër. Ndjeu që u mbështet pas raftit dhe trupin e tij e kishte aq pranë të sajit.
Mbylli sytë ngadalë kur ai afroi kokën më tepër. Çeku lehtë buzët e saj, ndezi sërish një mijë e një ndjenja brenda atij kraharorit të saj të vogël.Dosja ra prej duarve të tij e fletët u përhapën në tokë. Ai e preku ngadalë në bel dhe lëvizi buzët sërish për të vazhduar atë puthje të ëmbël.
Sa kishte menduar për atë çast, sa emocione kishte ndier kur mendonte, jo më në ato momente kur çdo gjë ishte një copëz e realitetit.Dorën nga shpatulla e lëvizi në qafën e tij, ndërsa dorën tjetër ia vendosi te flokët.
Nuk donte ta ndalonte atë puthje, s'donte që atij çasti aq të magjishëm t'i vinte fundi.E vetmja gjë që dinte, ishte se tashmë kishte vulosur çdo ndjenjë të saj, të gjitha lidhur me Brajanin. Ndiente edhe që dridhej ndonjëherë nën prekjen e tij, në tjetër gjë mendjen s'e çonte. E pse ta prishte atë moment aq të këndshëm?
Brajani e kapi nga beli për ta tërhequr pas vetes. Trupat e tyre u bashkuan dhe ajo betohej se e ndiente kraharorin e tij të kryente ulje-ngritje të çrregullta.
Lëvizi ngadalë kokën për të marrë frymë thellë, se prej gjithë atyre emoconeve kishte harruar edhe të merrte frymë. Sytë vazhdonte t'i mbante mbyllur dhe ballin e kishte mbështetur pas të tijit.
I vinte një dëshirë e marrë që ta puthte sërish, që ai ta shtrëngonte po njësoj pas vetes, ta kapte aq butësisht prej belit.
Dhe s'priti shumë që t'i falte një tjetër puthje e më pas të përjetonte sërish të njëjtën ndjenjë. Një ngrohtësi i kishte veshur trupin e një ndjenjë e çuditshme i qëndronte në stomak, i rëndonte, si të mbante një peshë të rëndë brenda vetes.Ndoshta ishte ai sinkronizim perfekt apo mënyra se si ai luante me buzët e saj që e bënte të mos donte kurrë që ai çast të mbaronte.
Por si çdo gjë tjetër, atij çasti do t'i vinte fundi kur të dëgjonin hapa në korridor. E shtyu menjëherë larg vetes Brajanin, e vështroi në sy me trupin që i dridhej akoma, pastaj u shkoi një dorë flokëve, u ul të merrte dosjen dhe u largua që aty.
S'e kishte kuptuar që po buzëqeshte deri në momentin kur pa pasqyrimin e vet te xhami i hollë i dollapit në dalje të arkivave.
Ç'ishte ai gëzim aq i madh që s'e kishte ndier ndonjëherë? Ç'ishin ato goditjet e forta e njëkohësisht të ëmbla në kraharor? A vërtet të kishte rënë në dashuri me Brajanin?...
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...