-Nuk e kuptoj se ç'më tha mendja. Për pak do t'i thosha të bënte ç'të donte! - i tha Elisës të nesërmen kur ishin ulur për të biseduar bashkë. - Dhe as që ma kishte marrë mendja që Brajani të bënte diçka të tillë. S'më është dukur asnjëherë si ata tipa që duan t'ia dinë për atë që ndien tjetri.
Ishte shtrirë sa gjerë-gjatë në krevatin e saj ndërkohë që fliste. Dhe papritur ndjeu një dridhje të vogël, disi të frikshme.
-Ç'është? - e pyeti Elisën.
-Duket si tërmet,- iu përgjigj ajo pak më vonë.
Tërmetet e tmerronin. Kishte ndodhur një i tillë kur kishte qenë e vogël dhe për më tepër kishte qenë e vetme në shtëpi e kishte parë shtëpinë t'i shembej sipër. Çudi se si kishte shpëtuar pa ndonjë dëm të rëndë.
-Pashë një ditë një dosje në punë në të cilën ishte shkruar "Zonë e ndaluar". Thoshte që njerëzit kishin frikë të blinin shtëpi aty, sepse ishte epiqendra e disa tërmeteve të forta që kishin ndodhur ku ka pasur goxha dëmtime.
-Po, e mbaj mend, ma ka përmendur Ami. Ajo kishte shkuar disa herë bashkë me Brajanin atje, por s'e mbaj mend se për çfarë.
Tani të hapim pak televizorin, të shohim ç'thonë për tërmetin.Diçka e kishin të qartë; gjë e mirë s'mund të pritej, dhe mendimet e tyre u vërtetuan së shpejti.
"Tërmeti 3.2 ballë i ditës së sotme pritet që të jetë paralajmërim për rënien e një tërmeti të madh. Sipas sizmiologëve kjo gjë s'do të vonojë shumë. Nuk mund të jepet një datë e saktë, por u bëhet e ditur qytetarëve që të marrin masa mbi këtë gjë, duke marrë si bazë edhe dy tërmetet e mëdha të fundit që kanë goditur këtë zonë. Ashtu si tërmetet e kaluara, edhe ky që do të vijë mendohet se do të ndodhë pas disa lëkundjesh të vogla, por sërish askush s'është i sigurt për numrin e tyre. Përsa i përket..."
Meliona e fiku fare televizorin, duke lënë Elisën ta shihte me një vështrim të inatosur.
-Këto më mirë të mos i shohësh fare. Sa të rrish zgjuar natën me frikën se mund të vdesësh, më mirë s'i dëgjojmë hiç dhe flemë top. E ku ka më mirë!
-Epo ja që unë s'dua të vdes kaq herët ti shoqe e dashur. Ti po të duash mos dëgjo.
Elisa rrotulloi sytë gjasmë e bezdisur dhe vështroi njëherë jashtë dritares.
-Meliona, - i tha pas disa sekondash, - mos ndoshta e kishe lënë të takoheshe me Brajanin sot?
-Jo, pse?
-Ai është aty jashtë. Po bisedon me Emën.
Doli menjëherë në dritare që t'i shihte, duke menduar se mos ndoshta Elisa s'i kishte parë mirë. Dhe gjëja e parë që mendoi ishte se mos ndoshta Brajani këtë herë do ta tradhtonte me Emën.
Doli jashtë me nxitim dhe filloi të ecte për te vendi ku po flisnin ata, duke bërë çmos që të mos vihej re prej tyre. Po qëndronte pranë një makinë kur fjalët që dëgjoi prej Emës e bënë Melionën të kuptonte se kishte qenë ajo e cila i kishte treguar Brajanit çdo gjë në lidhje me të, duke nisur me abuzimin e Stivit dhe duke përfunduar te e reja e tij e fundit. "Spiuni" gjatë gjithë kohës kishte qenë ajo.
Mori sërish rrugën për në shtëpi e inatosur, që t'i kursente vetes një grindje me Brajanin dhe Emën aty në mes të rrugës. I shkroi mesazh asaj të fundit se po e priste te shtëpia e saj për të biseduar, por nuk i tha se për çfarë. Ema trokiti shpejt te dera e shtëpisë së saj për t'u ndeshur më pas me një Melionë gjithë nerva.
-Po ti? Ç'më shikon sikur ç'kam bërë? Apo të kanë ardhur ato? - bëri shaka ajo dhe u fut në dhomë. - Përshëndetje Elis. E ndjeve tërmetin? - pyeti sërish teksa shtrihej dhe hapej në divan, sikur të kishte kohë që s'i kishte shtriqur kockat.
YOU ARE READING
Folmë për dashurinë
RomanceE la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lo...