11

876 73 49
                                    

Një valë nxehtësie e kapi kur hyri në kompani dhe te ashensori vështroi Brajanin që ishte duke folur e qeshur me një vajzë, si me një mike të së shkuarës.

I hodhi një vështrim të shpejtë, pastaj uli kokën e nxitoi të merrte shkallët.
Gjatë ecjes kritikonte veten për atë xhelozi që kishte ndier. Pastaj e kapi frika prej asaj ndjenje. Ajo s'duhej të përjetonte asgjë kundrejt Brajanit, do të ishte fatale për të. Mjaftonte thjesht adhurimi, aq ishte boll.

Dyndi veten me punë, ashtu siç gjithmonë bënte kur donte të ndahej nga gjithë gjërat e tjera, kur s'donte të mendonte për askënd. Por ajo herë qe e çuditshme. I vetmi që i shkonte në mendje ishte Brajani. Në kulmin e punës imazhi i tij e shpërqëndronte.

Mori frymë thellë, veprimi më qetësues për gjendjen në të cilën ndodhej. Vështroi orën. Nxitoi të bëhej gati për të ikur kur pa se orari i punës kishte pak minuta që kishte mbaruar.

Sa hapi derën, vetëm disa hapa larg vuri re Brajanin. Uli kokën shpejt, pastaj filloi të bënte hapa të shpejtë që të ikte prej tij. E ndjeu shikimin e tij e se si ai u bë gati t'i fliste, por s'i kushtoi aspak rëndësi, hera e parë që e bënte diçka të tillë.

Hipi në taksinë e parë që i zuri syri dhe mori rrugën për te libraria. Ndihej e emocionuar, a thua se s'kishte shkuar ndonjëherë për të kërkuar punë.

Atje çdo gjë i shkoi më mirë seç e kishte menduar ndonjëherë. Punëdhënësi ishte tepër i sjellshëm, i ofroi një pagë vërtet të mirë, si dhe i dha mundësinë të lexonte çdo libër që do të dëshironte, e madje nëse donte të blinte ndonjë, mund ta merrte me çmim më të ulët. E ku kishte më mirë!

-Nesër mund të vini në këtë orë për të nisur punë.

-Mund të nis edhe që tani, nuk e kam problem.

-Oh, aq më mirë.

Buzëqeshi lehtë. Këtë punë po që e kishte marrë me qejf. Ishte e këndshme, e lehtë, relaksuese, vetëm se lodhja që shpenzonte te kompania e Brajanit ia mpinte trurin, aq sa kur u kthye në shtëpi pas orës tetë (përfundimi i ditës së punës në librari ishte 19:30), mezi po e mblidhte veten.

Nuk i kushtoi fare rëndësi Stivit, po shkoi direkt në shtrat me këmbët që i tërhiqte zvarrë. U shtri atje sikur t'i binte të fikët, pa u ndërruar fare. Gjumi e mori direkt.

Ajo rutinë vazhdoi për muaj me radhë. Për Melionën çdo gjë qe e vështirë. Lodhja sa vinte dhe shtohej çdo ditë, por muajt e parë ishte treguar e aftë ta fshihte dobësinë e saj mendore, aq sa nuk ngriti aspak dyshime te Neo me të cilin po shoqërohej shpesh, e as te Brajani, që e ndeshte çdo ditë kur hynte në kompani.

Por ardhja e verës ia vështirësoi të gjitha. U shtua një tjetër faktor i bezdisshëm i asaj lodhjeje të përditshme: i nxehti.

Një mëngjes kur dielli po digjte pa dalë mirë, ndjeu që trupi mezor po i bindej. Çdo veprim qe mekanik, i detyruar prej arsyes së saj. Më tepër e lodhi edhe mërzia kur vështroi veten në pasqyrë e vuri re që sytë i ishin skuqur më tepër se më parë. Dukej sikur kishte marrë një dozë të mirë kokaine.

U nis për në punë.
Në kompani vendosi të merrte ashensorin për herë të dytë që nga fillimi i punës në atë vend. Fati po luante me të: Brajani ishte sërish atje.

E përshëndeti, pastaj si për mbështetje vendosi kurrizin në pjesën e metaltë të ashensorit. Nxorri një psherëtimë të lehtë zymtësie.

Ndjeu vështrimin kritik të Brajanit mbi fytyrën e saj, kryesisht te sytë, të cilët këto minutat e fundit kishin filluar t'i digjnin.

-S'më dukesh mirë. Ç'të ka ndodhur? - e theu ai si gjithmonë i pari heshtjen.

-Asgjë e rëndësishme, - ia ktheu ftohtë.

Marrëdhëniet me Brajanin sikur i ishin zbehur kohët e fundit. Më tepër ishin zbehur bisedat e tyre, se ajo sërish vazhdonte të ndiente një grimcë pak të madhe pëlqimi për të. Thjesht acarohej kur shihte atë të kalonte para syve të saj me femra të tjera, ndaj dhe sikur i mbante mëri. Kritikonte veten, por pa dobi. S'e ndalonte dot xhelozinë, e megjithatë nuk e kuptonte se pse ndiente të tillë ndjenjë për Brajanin kur e dinte mirë tipin që kishte.

-Kështu më the dhe herën e fundit. Përfundove duke të rënë të fikët.

Ngërdheshja e lehtë e tij e bëri të ngrinte kokën e ta shihte në sy.
Nënqeshi lehtë në inat e sipër. Shtrëngoi një herë nofullat para se të fliste.

-Dhe unë ua kam thënë me mijëra herë se nuk keni pse të shqetësoheni për një të huaj.

Ai me një buzëqeshje të fshehtë ndaloi ashensorin pasi shtypi një nga butonat e shumtë.

-Ç'jeni duke bërë? Ju e dini shumë mirë se jam klaustrofobike, - foli në ankth e lëvizi që atje ku ishte për të shtypur butonin e lëvizjes.

Brajani e kapi lehtë nga krahu e doli para saj për ta penguar. Sa e vogël që u ndie aty para trupit të tij mashkullor.

-S'ke pse shqetësohesh. S'do të zgjasë shumë, të paktën derisa të më tregosh se ç'është duke të ndodhur. S'ke qenë aspak mirë këto ditë.

-Nuk e kuptoj se pse interesoheni kaq shumë. Nëse ka diçka që s'ju pëlqen në punën time këto kohë, atëherë thjesht më tregoni.

-Ti e di që s'kam pasur asnjëherë ankesa për punën tënde.

-Atëherë s'besoj se ka gjë për të diskutuar. Unë si punonjëse po bëj punën në mënyrën më të mirë që mundem dhe ju jeni i kënaqur me këtë gjë. Kaq mjafton. S'keni pse e vrisni mendjen për jetën time.

Bëri të kalonte trupin e tij, por ai ia kapi krahun me të shpejtë. E kishte aq pranë trupin e tij, sa ai afrimitet filloi të ndikonte tek ajo.

Ktheu kokën ta shihte. Fytyrën e tij e kishte aq afër.

-Por ti besoj e ke kuptuar se më intereson gjithashtu edhe mirëqenia e gjithë punonjësve.

-Ndërsa mua më duket sikur po interesoheni shumë për timen.

-Supozim i këndshëm.

-Më lër të qetë Brajan, - i tha sfidueshëm ndërkohë që po bënin një luftë shikimesh. Nuk e kuptoi se nga i erdhi ajo dëshirë e tillë për t'i dalë kundër aq hapur Brajanit, por një gjë e kishte të sigurt: Ai kishte pritur gjatë për atë kundërshtim.

Sërish në buzët e tij u vendos një buzëqeshje e mistershme, pastaj lëshoi dorën e saj. Ajo shtypi me të shpejtë butonin, pastaj pas disa sekondash u bë gati të dilte.

-Ti e di që unë do ta zbuloj se ç'po ndodh në jetën tënde.

Ktheu dhe një herë trupin për të parë atë në sy, por s'i foli. U largua me atë imazh, me trupin e tij mbështetur pas ashensorit, me duart kryqëzuar në gjoks e me nënqeshjen më të bukur në botë.

Dera e ashensorit u mbyll, ashtu u përpoq edhe ajo të zhdukte imazhin e tij prej mendjes së saj.

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now