4

1K 88 60
                                    

Kishin dalë të gjithë në ballkonin elegant e po numëronin dhjetë sekondat e fundit para se të shënonte 1 janar. Në fytyrat e të gjithëve dallohej një entuziazëm i madh, a thua se me Vitin e Ri do të vinte edhe ndonjë lajm i mirë që do t'ua ndryshonte rrënjësisht jetën.

Fishekzjarrët mbuluan gjithë qiellin e vendi u ndriçua si të ishte mesi i ditës. Ajo larmi ngjyrash të verbonte, të sillte mendjen vërdallë.
Buzëqeshi pak ndërkohë që vështronte të gjithë njerëzit aty në ballkon. Lumturia ua rrezatonte fytyrat e buzëqeshjet ishin të pandashme. A ishin vërtet aq të gëzuar?

Ngadalë filluan të iknin të gjithë, se i ftohti ishte i madh, po Meliona qëndroi. Të ftohtin e adhuronte, sidomos atë ajër të pastër që aq shumë qejf kishte ta nuhaste fort.

  - Edhe ti paske qejf të qëndrosh jashtë në këtë kohë? - dëgjoi zërin e qetë të Brajanit e ktheu kokën ta shihte.

Një hark i vogël ishte formuar në buzët e tij teksa vështronte përballë duke ndezur një cigare, tymi i së cilës u përhap kollaj në ajrin e athët.

  - Po, më pëlqen ajri i ftohtë.

E vështroi për pak sekonda, si të gjente diçka interesante në pamjen e tij apo në mënyrën sesi e mbante cigaren ndër gishta. Një aureolë karizmatike e rrethonte atë e ajo ndihej e tërhequr prej tij në njëfarë mënyre.

Ndoshta ishte ajo sjellje e veçantë e atij njeriu që s'i bënte gjë përshtypje në këtë botë, që s'interesohej për gjë tjetër veçse për të kënaqur veten.

Po shikonin sërish fishekzjarrët që akoma s'kishin pushuar. Ishte një atmosferë e ngrohtë, të paktën më e ngrohtë se ajo e shtëpisë së saj të akullt.

Një tingull telefonoi u dëgjua. Këtë herë telefoni s'ishte i saji.
Sytë e tij u ngulën për pak çaste në ekran, pastaj shtypi butonin e jeshiltë me një buzëqeshje në fytyrë. Ndoshta donte të thoshte diçka, ama fjalë prej gojës s'nxorri dot.

Fytyra e tij bëhej më serioze, më e trishtë pas çdo çasti që kalonte. Cigarja po i digjej ndër gishta, po trupi i tij tashmë i mpirë s'ndiente gjë. Mbylli telefonin i zbehtë në fytyrë, përplasi një herë grushtin në pjesën e mermertë të ballkonit, shau nën zë e u largua si furtunë.

E vështroi tek largohej, pastaj hyri brenda e u ul në vendin e saj.
Te një televizor në cep të dhomës po transmetoheshin lajmet me zë të ulët. E ktheu kokën spontanisht.
Një aksident ishte bërë në rrugën kryesore, ku dy personat me inicialet A.H dhe O.W kishin përfunduar viktima. Që nga larg vuri re në televizor fytyrën e vajzës së djeshme, të asaj bjondes së bukur për të cilën Meliona kishte shprehur dëshirën të ishte në vendin e saj. Ajo kishte vdekur.
E dashura e Brajanit kishte vdekur.

***

Ai nuk u shfaq në punë për më shumë se një muaj. Asnjë lajm, asnjë gjurmë prej tij. Punonjësit thoshin se s'ishte dukur askund, në asnjë vend të mundshëm. Si mund të zhdukej njeriu brenda ditës e të mos shfaqej për aq shumë kohë?

E takoi në një ditë me diell. E pa të shëtiste në pyllin bosh publik që ishte mbushur me borë, ku kjo e fundit arrinte deri pak më lart se te kyçi i këmbës.
Ndjeu dëshirën t'i afrohej, t'i shkonte atje e t'i fliste. Ndoshta ta ndihmonte me ndonjë fjalë.

Bëri të ecte drejt tij, pa e vënë re një pengesë të vogël në këmbë. Këmba i shkoi keq, iu përthye e u rrëzua në tokë. Filloi të rënkonte prej dhimbjes ndërkohë që kapte këmbën me dorë e përpiqej të ngrihej. Zot, sapo kishte lënë një tjetër përshtypje për të ardhur keq në sytë e shefit të saj. Me sa dukej ishte shkruar që ajo të dilte për faqe të zezë para tij.

  - Hej, je mirë? - e pyeti ai duke i vendosur një dorë në kurriz e duke përthyer gjunjtë për të qenë në një nivel me të.

Vështroi sytë e tij të lodhur. Një melakoli ia kishte veshur ata sy që dikur ndriçonin aq shumë. Drita e diellit i zbuste, a thua se ai vetë mund të ishte aq i butë në thellësi të zemrës.

  - Jo edhe aq, - foli nëpërdhëmbë nervoze.

Brajani e ndihmoi të ngrihej dhe po e mbante akoma kapur te beli, se s'po i kapte syri ndonjë vend ku ajo të ulej.

  - Mund të ec, nuk ka problem.

  - Jo, të paktën do ishte mirë të pushoje për pak. Është një lokal i vogël këtu pranë. Le të shkojmë atje.

Pohoi me kokë dhe e la atë ta mbante ashtu gjatë gjithë rrugës. U ulën në dy vende te lokali i ngrohtë e ai porositi nga një çaj të nxehtë për të dy.

  - Më falni, s'desha ta çoja punën deri këtu.

  - Nuk ka asnjë problem, - u përgjigj ndërkohë që hidhte sytë jashtë dritares, si të donte të shihte ndokënd që atje. - Pra, si ke kaluar në punë?

S'priste që ai t'i fliste kaq lirshëm, të paktën jo sikur të kishte një kohë të gjatë që e njihte.

  - Kënaqshëm.

Po qëndronin përballë, por sytë asnjëherë s'po i takonin. Ajo shihte çajin e ngrohtë dhe lugën që e lëvizte me nge, ndërsa ai vazhdonte të vështronte herë jashtë e herë brenda.

  - Ndoshta s'është pyetje edhe aq me vend, - nënqeshi nervoze, - por jam kurioze të di se kur do të ktheheni në punë.

Një qeshje e vogël erdhi nga ana e tij e për herë të parë deri në ato momente u vështruan sy më sy.

  - Nesër. Çdo muaj në atë ditë bëjmë mbledhje me të gjithë sektorët për të bashkëbiseduar mbi ndonjë ngatërresë të rrallë ose për pakënaqësi klientele.

Deshi të fliste kur telefoni që kishte lënë në tavolinë u drodh e një mesazh u shfaq në të. Vuri re Brajanin që vështroi atje instiktivisht para se ajo ta merrte telefonin.

E sërish, sytë e tij e vështruan si natën e Vitit të Ri. Meliona ndjeu rrahjet e shpeshtuara të zemrës. Shpresonte që ai të mos kishte marrë vesh ndonjë gjë tjetër.

"Mami jot erdhi në shtëpi pak më parë. Ka hyrë në një zënkë të madhe me Stivin."

Një mesazh nga Ema, shoqja e saj e fëmijërisë që ishte dy shtëpi larg të sajës.

Thithi ajrin e ngrohtë me shumicë e përsëri ndiente se s'po mbushej dot me frymë. Futi telefonin në çantën e zezë, la lekët e çajit në tavolinë edhe pse Brajani kundërshtoi, pastaj u ngrit dhe vështroi atë në fytyrë.

  - Më duhet të largohem. Mirupafshim.

Ai s'i foli, u mjaftua duke i bërë një shenjë të lehtë me kokë.

Ndërsa ajo bëri si bëri dhe e duroi dhimbjen e këmbës për të dalë me të shpejtë që atje. Liroi pak shallin e ngushtë dhe fërkoi lehtë qafën.

Dreq, çdo herë ashtu do t'i ndodhte me Brajanin. Ai i kuptonte aq lehtë e aq pa dashur disa gjëra.
Nënqeshi lehtë me ironi e pa kuptuar kishte filluar të fliste me veten.

- Po nesër? Tashmë çfarë tjetër e ka radhën për t'u zbuluar? - foli me ngut teksa nxitonte për të arritur në shtëpi.

Folmë për dashurinëWhere stories live. Discover now