1

3.1K 123 203
                                    

Kishte vendosur kokën në banak e njërën dorë e kishte varur poshtë, duke e lëvizur herë pas here sa majtas-djathtas, ndërsa me dorën tjetër mbante një pije në dorë. Ajo pije i kishte rënë keq në kokë, ia kishte turbulluar mendimet.

Shoqja e saj më e mirë, që kishte ardhur pranë saj pak minuta më parë, diç i thoshte, por ajo s'e kishte mendjen e qeshte kot. Vetëm e tundte kokën as andej-këndej duke u hequr sikur kuptonte gjithçka.

- E di ç'ke ti Gabi? - pyeti Emanuela, e tërhoqi lehtë nga krahu që të fitonte vëmendjen e saj të humbur e më pas e pa në sy. - Si fillim, po ta marr këtë gotën këtu. Ke pirë shumë. Le që do të të pëlcasi koka, po ka rrezik mos të pëlcet edhe stomaku.

- Do doja të më pëlciste shpirti në fakt, - foli ajo mendueshëm e me një buzëqeshje pa kuptim në fytyrë.

- Qenka e rëndë gjendja mesa duket. Ç'ka ndodhur? S'më dukesh mirë.

- Si thua ti? Çfarë mendon se kam unë?

Mori ngadalë gotën prej duarve të saj, duke përfituar prej gjendjes së kllapisë në të cilën Emanuela ishte futur.
E si të mos mjaftonte fakti se vetë Gabriela po bëhej tapë me konjakun që kishte në dorë, edhe Emanuela iu bashkua asaj, duke i thënë baristit të mbushte edhe për atë vetë një gotë konjak.

- S'jam e sigurt, - piu një gllënjkë shpejt e shpejt nga pija, e përplasi atë fort në tavolinë sa desh e theu dhe më pas vështroi edhe njëherë atë në sy. - Ndoshta je mërzitur nga vetmia. S'është e lehtë të jetosh pa njeri. Dhe... Ndoshta të merr malli... Më kupton... Për ata, për dashurinë e tyre...

Gabi qeshi përsëri. Kujtonte se ishte e paparashikueshme. Siç dukej kishte gabuar.

- Njeriu ka nevojë për dashuri. Jo vetëm dashuri familjare në fakt, - vazhdoi të fliste përsëri Emanuela dhe vendosi një ngërdheshje në fytyrë. - Ndoshta edhe nga ndonjë djalë, - e goditi atë me bërryl në krah e nënqeshi përsëri.

-Dashuria është gjë e bukur, apo jo?

Epo të arrinte deri në atë pikë sa të pohonte se ç'gjë e bukur ishte dashuria, s'e kishte menduar ndonjëherë. Për çudi, e folura për një temë të tilla iu duk gjë lehtësuese.

- Ashtu thonë.

Emanuela rrudhi vetullat. Si një person që s'kishte njohur ndonjëherë dashuri të vërtetë, s'mund të mendonte për një përgjigje më të mirë.

-Ç'të ka shtyrë të jesh kaq e dëshpëruar për këtë ndjenjë?

- Nuk e di se ç'më gjeti sot, - pushoi; e zuri lemza prej pijes, - por s'ishte gjë e mirë ajo që ndjeva, - pushoi përsëri. - Ndihesha bosh.

Hodhi në kokë kapuçin e xhaketës për të mbuluar fytyrën e përgjumur e ndërkohë ngriti pak kokën për të pirë përsëri.

- Si thua? Janë diskot për të gjetur ndonjë të dashur? - pyeti pas pak me një nënqeshje të thatë në fytyrë kur kishin rënë në qetësi.

Në sfond u dëgjua një këngë e lehtë.
"Më në fund, - mendoi, - më ishin shurdhuar veshët."

- Nuk më duken edhe aq premtuese lidhjet në këtë lloj mënyre. Po e provojmë njëherë meqë dashke, ku i dihet fatit.

Ngriti plotësisht kokën dhe shikoi nga e djathta e saj me sy pa shprehje. Po vështronte me radhë djemtë që ishin atje. Pjesa më e madhe po kërcenin, tre-katër vetë ishin ulur në kolltukë e në dorë po dridhnin cigare të mbushura me marihuanë, kishte nga ata që qëndronin qosheve duke u puthur me ndonjë femër e në fund fare, pak metra larg saj, vështroi tre meshkuj të ulur rreth një tavoline. Ata s'flisnin, buzët e tyre as që hapeshin, qoftë edhe për pak milimetra.
Njëri prej tyre, që qëndronte nga ana e majtë e kolltukut e që ajo mund ta shihte qartë, mbante një gotë me vodka në dorë dhe e kthente si ta kishte ujë. Dukej nervoz.

- Ja, i shikon ata çunat atje? - e pyeti Emanuelën duke iu afruar pranë veshit dhe duke drejtuar kokën turbullt drejt tyre. - Më duken mirë, jo keq.

Në atë moment, si me komandë, ata të tre ngritën kokat për të vështruar drejt saj, si të kishin dëgjuar çdo fjalë që ajo kishte thënë. Ngriu duke i vështruar. Një zë brenda vetes i tha se ai veprim i tyre s'ishte rastësi, diçka e çuditshme kishte ndodhur.

- Ose më mirë e lëmë fare. Më duken të egër. Dua dikë të butë. E kupton? Jo të më vështrojë sikur kam bërë ndonjë faj. Dua dikë që di të buzëqeshë.

- E nga dole ti në përfundimin se ata janë të egër?

- Kështu më thotë intuita.

Mbështeti përsëri kokën në banak e mbylli sytë. Donte aq shumë të flinte, aq shumë po i shijonte ajo lloj përgjumjeje atje, sa përtonte të lëvizte këmbët e të bënte ndonjë hap tutje.

- Gabi, s'mund të flesh këtu. Të paktën ngjitu në katin tjetër. Kam dëgjuar që kanë dhoma të mira për të fjetur.

Rrëkëlleu edhe atë që i kishte mbetur në gotë dhe u ngrit me këmbët që i merreshin. Mendtë i vinin vërdallë, por kjo s'ishte vetëm prej pijes. Ishte ngritur shumë me vrull, e urrente kur më pas bota i rrotullohej.

Emanuela deshi t'i vinte në ndihmë, por ajo s'pranoi.

- Dua t'i dal për zot vetes, - i mërmëriti me qetësi, sikur puna që po bënte të ishte ndonjë heroizëm.

Duke ecur, mbërriti pranë djemve që i konsideronte si akullore. Po, atë fjalë kishte menduar pak më parë.
"Meqë janë të ftohtë, do t'i quaj akullore. Fjala "akull" sikur na është bërë bajat," - ishin fjalët që kishte menduar.

- Ç'kemi akullorka, - foli pa e kontrolluar dot veten dhe u dha një buzëqeshje rrëzëllitëse. Do të vazhdonte me atë buzëqeshje në fytyrë po të mos ishte për faktin që iu morën këmbët e përfundoi në kolltuk me ta.

- Le nam! - i pëshpëriti Emanuela ndërkohë që deshi t'i afrohej për ta kapur, por ajo valëviti dorën në ajër si për t'i thënë se s'ishte nevoja.

- Nuk ka problem, do ta çoj unë në një nga dhomat e diskotekës, - foli me të qetë djali që po pinte aq pa problem vodkën pak më parë. - S'i bëj gjë, mos u shqetësoni, kam të dashur, - nxorri me zor fjalën e fundit.

Ai e mori me kujdes dhe pa vështirësi në krahë Gabrielën, si të ishte ndonjë pupël, pastaj filloi të ecte në drejtim të dhomës me hapa të vendosur.

Në ato momente, të shkonte në dhomë me një të panjohur ndërkohë që ishte e dehur, po i dukej gjëja më normale që mund të ekzistonte. Pija bënte të vetën. E kur ndjeu një farë pendimi, mjaftoi të mërmëriste një "bëj çdo gjë kur bie fjala për veten" e pendimi iu fashit ngadalë, si ndonjë re e zezë që bëhej gati të largohej.

I ndaluariWhere stories live. Discover now