4

1.4K 108 51
                                    

Dita i kaloi duke ecur nëpër pyll. S'kishte aspak dëshirë të bënte ndonjë gjë tjetër e pylli i dukej tepër tërheqës e enigmatik kur kujtonte se sa gjëra duhej të bënte.

Me vete kishte marrë një çantë ku kishte futur një bidon të vogël me ujë, një sanduiç dhe një mori me patatina e ëmbëlsira. Kur bënte ndonjë udhëtim, sado i vogël që mund të ishte, asaj përsëri i vinte oreksi si me magji.
Në ato momente, gjatë orës dhjetë të natës, i kishte mbetur vetëm një pjesë e vogël torte të cilën po e shikonte me dhimbje duke mos ditur ç'të bënte; ta hante apo ta linte për më vonë kur të kishte më shumë uri. E vendosur në një luftë të tillë kaq të vështirë, ra pre e aromës së mrekullueshme të kremit karamel dhe përfundoi duke e gëlltitur tortën me dy kafshata.

Filloi të ecte përsëri, e përqëndruar në gjetjen e shkëmbinjve. Kishte më shumë se dy orë që mundohej ta gjente atë shteg dhe kishte dështuar gjithë ato herë. Kishte vërtet nevojë për dikë që ta udhëzonte, por kohët e fundit po e gjente çdo herë e më të vështirë për t'u shoqëruar me njerëz.

Ngriti kokën për të vështruar pemët. Ishin tepër të frikshme kur i vështroje nga poshtë në atë orë të vonë. Lëvizjet e tyre dukeshin sikur po planifikonin të bënin ndonjë gjë djallëzore, ose të paktën mund të themi se imagjnata e Gabit s'kishte të sharë. Por vërtet që dukej sikur pemët donin të thyheshin nga tërë vrulli i erës.

Vështroi përpara duke i hequr nga mendja pamjet e pemëve dhe iu duk se pak më larg dalloi ndriçimin e hënës te shkëmbi. Nxitoi hapat e entuziasmuar. Më në fund e kishte gjetur rrugën e duhur. Atje ishte vendi ku ndodheshin shkëmbinjtë e tëposhtë oqeani. Eci me ngadalë në ata shkëmbinj për të shmangur ndonjë rrëshqitje dhe vështroi oqeanin. Ai dukej më i frikshëm se pemët. Ishte i errët, tepër i errët. Dukej sikur dallgët e tij donin ta përpinin të gjithën. Vinin me vrull e në fund përplaseshin fort pas shkëmbinjve.

Bëri një hap mbrapa e zemra gati i ndaloi nga frika kur për pak desh u rrëzua për shkak të një guri të vogël. Shtrëngoi duart fort pas shkëmbit, aq sa pëllëmbët e duarve iu gjakosën te majat e mprehta të tij.

"Bëj kujdes!" - dëgjoi një zë urdhërues e njëkohësisht të butë në mendjen e saj dhe jo, s'ishte zëri i saj ai që dëgjoi, ishte e sigurt për këtë gjë.

U përpoq që për një moment të mos merrte as frymë, për t'u siguruar që nuk i kishte folur dikush që ishte aty, në një vend me të. Por përveç pemëve, shkëmbinjve, oqeanit dhe asaj vetë, nuk kishte asgjë tjetër përreth.
Pati frikë. Si ishte e mundur të dëgjonte në mendjen e saj një zë që më parë s'e kishte dëgjuar kurrë? E sa ishin shanset që ajo që kishte ndodhur të ishte diçka e vërtetë e jo thjesht një iluzion?

"Largohu," - dëgjoi përsëri të njëjtin zë, në formë urdhri dhe lutjeje bashkë. Por s'bëri as një hap për të ikur. Edhe po të mos ishte i vërtetë ai zë, donte ta dëgjonte sërish, i dukej tërheqës. Por kjo gjë s'ndodhi.

U bë gati të largohej duke i tërhequr këmbët zvarrë. Ai zë po e komandonte. S'vepronte dot ndryshe kur ai i thoshte të bënte diçka që ishte në të mirën e saj.
Rruga e kthimit kishte dalë të ishte më e vështirë se rruga e gjetjes së shkëmbit. Nuk dinte ku të shkonte dhe frika i hyri deri në palcë, sidomos kur dëgjoi disa ulërima të tejzgjatura ujqërish. Trupi iu drodh vetvetiu. Nuk i kishte thënë kush që pylli kishte ujqër.

  - Po tani ku të shkoj? - po fliste me veten e terrorizuar e shikonte me sy të gjitha shtigjet e mundshme.

"Ec djathtas," - ishte i njëjti zë që fliste. Në atë moment as që mund ta çonte ndër mend kundërshtimin.

Filloi të ecte me të shpejtë në pyll, ndonëse disa herë u pengua. S'kishte dritë tjetër përveç asaj të hënës, por edhe hënën e pengonin pemët që të ndriçonte vendin ku Gabriela ishte.

"Kthehu nga e majta."

Pasi kishte ecur rreth gjysmë ore, s'e kishte dëgjuar më zërin e tij dhe s'e dinte në po merrte drejtimin e duhur apo ishte ngatërruar përsëri.

  - Jam në drejtimin e duhur? - pyeti me zë të ulët, duke shpresuar se mos ndoshta ai mund t'i kthente përgjigje, por shpresa e saj doli bosh.
Kishte bërë edhe disa hapa kur vështroi dritën e shtëpisë së saj. Vrapoi për atje e lehtësuar e hyri menjëherë brenda, duke u siguruar se i kishte mbyllur mirë dyert për të shmangur ndonjë ujk në shtëpi.

Dëgjoi përsëri ulërima. S'e dinte ç'po ndodhte atë natë. Kishte rreth tre muaj në atë shtëpi e kurrë s'kishte dëgjuar ulërima të tilla.

Ndezi të gjitha dritat. Të paktën ato e bënin të kishte më pak frikë. Mbylli edhe dritaret e mëdha me të shpejtë e më pas mori një batanije. Shkoi te dhoma e ndenjies dhe u ul në kolltuk, duke vështruar jashtë dritareve në ankth.

Nuk vështroi ndonjë gjë të dyshimtë jashtë, ndaj vendosi të bënte një sy gjumë. Gjumi e zuri tepër ngadalë e herë pas here zgjohej kur dëgjonte ulërima të tjera. Kur më në fund ndjeu se brenda sekondës do hynte në botën e ëndrrave, gjëja e fundit që çoi në mendje ishte zëri i tij demandues e përsëri lutës.

I ndaluariWhere stories live. Discover now