11

1.1K 103 20
                                    

Gjumi i doli disa herë për të parë nëse ai qëndronte akoma me të apo jo. Për herë të fundit u zgjua në mesnatë. Hapi sytë ngadalë dhe ktheu kokën nga ana e majtë. Ai ishte atje, pranë saj, duke fjetur. Buzëqeshi e lumtur dhe vendosi njërën dorë në fytyrën e tij. Mbylli sytë duke imagjinuar se si mund të dukej ai në dritë, atëherë kur s'mund ta fshihte më fytyrën e vet.
Imagjinonte dy sy kafë të ëmbël, ashtu siç kishte ëndërruar gjithmonë, flokë kafë të çelët, buzë të plota e mishtore, konture perfekte të fytyrës. Por edhe nëse ai nuk i përmbante ato që ajo kërkonte, atëherë për të përsëri s'kishte problem, do ta pëlqente sido që të ishte.

Dorën e uli ngadalë në kraharorin e tij dhe mori frymë me kujdes. Tashmë s'ishte më e sigurt në donte të flinte apo jo. Donte të kalonte pak më tepër kohë me të duke qenë zgjuar. Donte ta besonte se ai kishte qenë vërtet aty.

E ndjeu se ai u zgjua në momentin kur lëvizi kokën dhe krahun që të ishte më rehat.

- Më fal nëse të zgjova, - i pëshpëriti pranë veshit.

- Nuk ka problem. Më duhet të largohem.

- Që tani?

Ai e përkëdheli lehtë në fytyrë dhe iu afrua pranë, fryma e tij e nxehtë duke u përplasur në fytyrën e saj. Mbështeti ballin e tij pranë të sajit dhe ranë në qetësi.
U ndje në paqe. Nuk e dinte se ç'e tërhiqte aq shumë tek ai person, aq sa të donte ta ndiente pranë e më pranë.

- Të premtova, do të shihemi përsëri, - pas atyre fjalëve, e puthi butë në faqe.
U ngrit pa dëshirë nga divani dhe u largua me të shpejtë, si ta dinte se nëse nuk ikte në ato momente, do ta kishte të vështirë të ikte më vonë.

Ajo s'i hapi më sytë. S'donte ta shikonte dhomën bosh, që në ato momente po i dukej gjëja më pakuptim që ekzistonte. Në atë mënyrë e zuri gjumi, derisa u zgjua nga ora dhjetë e mëngjesit duke u ndier akoma e lodhur.

U ngrit ngadalë. Trupi vazhdonte t'i dhimbte gjithandej, fyti e mushkëritë vazhdonin t'i digjnin.

Bëri një dush për t'u qetësuar dhe orët në vazhdim i kaloi brenda, duke lexuar një libër që e kish blerë kohët e fundit. E kuptoi se kish lexuar pesë orë pa ndërprerje kur sytë filluan t'i digjnin dhe mori telefonin për të parë sa kish shkuar ora.

Ishte pesë. Vendosi të çlodhej që të kishte energji për të dalë jashtë më vonë, me shpresën se mund të takonte djalin pa emër. Ajo që mendoi se do ishte thjesht një dremkë disa minutëshe, u kthye në një gjumë disa-orësh.

U ngrit me një entuziasëm që s'e kishte patur gjatë ditës, u ndërrua në disa veshje sportive e të gjera, veshi atletet blu të errët, kapi flokët bisht dhe doli jashtë me nxitim. S'i pritej derisa ta takonte. As vetë s'e kuptonte dot dëshirën si prej të një fëmije.

Hyri brenda në pyll duke ngadalësuar ecjen, për të bërë të sigurt që ai s'do t'i shpëtonte nga sytë në rast se ishte aty rrotull.
E pati të vështirë të orientohej në pyll në atë natë të errët. S'deshi të merrte elektrikun e dorës. I dukej sikur në njëfarë mënyrë do ta tradhëtonte atë. Ai i kishte premtuar ta takonte, dhe Gabriela s'do ia toleronte vetes të zbulonte fytyrën e të huajit pa dëshirën e tij.

Kur kishte kaluar rreth një orë duke ecur qorrazi, i kishte humbur shpresat që të takohej me të. E zhgënjyer, vendosi se do ishte më mirë të kthehej në shtëpi, por dëgjoi hapa mbrapa vetes.
U kthye me të shpejtë duke buzëqeshur dhe kur dalloi hijen e tij, i shkoi pranë me hap të shpejtë dhe e përqafoi pa e ditur pse.

- Mendova se s'do vije.

- Të premtova. Sigurisht që do vija.

Nuk e dinte se çfarë i pëlqente më shumë tek ai person; qetësia e butësia me të cilën i fliste, protektiviteti e kujdesi që tregonte apo thjesht fshehtësia që e karakterizonte.
U shkëput prej përqafimit të tij e vënë në siklet, por sado që përpiqej t'i thoshte vetes të mos e tregohej aq e afërt me një të huaj, diçka tek ai e tërhiqte si magnet.

Filluan të ecnin ngadalë duke folur për tema të përgjithshme, derisa u kujtua se një pyetje kish kohë të gjatë që donte t'ia bënte.

  - Si e kupton kur jam në rrezik?

Ai buzëqeshi lehtë.

  - Ndoshta mund të ta tregoj më vonë.

  - Dhe pse jo tani?

  - Sepse nuk je gati për përgjigjen që do marrësh,- iu përgjigj qetë.

  - Ti e di dëshirën time për të marrë vesh çdo gjë rreth teje. Dhe nuk mendoj se kjo çështje duhet të jetë diçka kaq e papërballueshme.

Ai i doli përballë duke e ndaluar. Ndjeu vështrimin e tij mbi veten, mbi sytë e saj. Me aq pak dritë sa lëshonte hëna, arriti të dallonte një ngjyrë kafeje të fekste. Buzëqeshi vetvetiu.

Dora e tij e nxehtë u vendos ngadalë në faqen e saj dhe po e përkëdhelte ëmbëlsisht.

  -Sido që të jetë, disa gjëra tregohen në kohën e duhur.

  - Atëherë shpresoj që kjo kohë të vijë sa më shpejt.

Fjalët e thëna shkaktuan një të qeshur të lehtë nga ana e tij.
Ndjeu që ai iu afua më pranë dhe dorën që pak më parë e kishte në faqen e saj, e lëvizi për te flokët.
E kur ndjeu që buzët e saj u prekën aq butë prej të tijave, ishte sikur të mbante frymën brenda vetes.

Ishte hera e parë që ndihej aq mirë, aq sigurt, aq qetë. U lëshua plotësisht në krahët e tij, s'mund të mendonte të lëvizte tutje.
Ia vendosi duart ngadalë në bel dhe ndjeu muskujt e tij të tendoseshin. Iu afrua akoma e më pranë. E ndjeu nxehtësinë e trupit të mashkullit përballë, nxehtësinë që e karakterizonte gjithmonë.
U drodh lehtë kur duart e tij lëvizën në mënyrë seduktive në qafën e saj hollake.

Sa më tepër vazhdonte ajo puthje, aq më tepër ndihej se po humbte kontrollin. Askush s'kish shkaktuar një stuhi të tillë ndjenjash në trupin e saj, askush s'e kishte bërë të dridhej në të tillë mënyrë.
Por sekonda më vonë puthja mori fund dhe ai bëri një hap larg, si ta kishte kuptuar se nëse vazhdonte më tepër nuk do mundej ta ndalte veten.

Vështroi në sytë e tij me ngulm. Ishin bërë më të çelët. Shumë më të çelët. Kishin marrë një nuancë bluje, por s'u habit, i tha vetes se ndoshta sytë e vet po e gënjenin. Ose ndoshta drita e hënës s'ishte mjaftueshëm e fortë për të dalluar ngjyrën e vërtetë të syve të tij.
Ai lëvizi kokën me të shpejtë nga ana e tij e djathtë dhe po shikonte atje ngulmas, si të priste se diçka do dilte nga momenti në moment, derisa filluan të dëgjoheshin kërcitje gjethesh. Iu afrua pranë.

Nga pemët përballë doli një ujk gri. Vështroi me frymën që i mbeti pezull në fyt.

  - Duhet të largohemi, - i foli me zë të ulët e frikësuar dhe i kapi krahun lehtë, por ai s'lëvizi. Përveç shtrëngimit të nofullave e një hungërime të zgjatur, s'doli gjë tjetër prej buzëve që pak më parë po puthte.

  - Mos u shqetëso Gabriela. S'do të të ndodhë gjë, - fjalëve të tij iu besoi, por s'e kuptonte se si ai mund të ishte aq i qetë.

Ujku iu afrua pranë dhe më pas i kaloi mbrapa për t'u larguar. Ngriu në vend prej terrorit. Vetëm prekja e tij arriti ta sillte në vete.

  - Do ta gjesh rrugën për në shtëpi nëse ecën vetëm drejt. Do jesh mirë.

U bë gati të largohej, por ndaloi kur ajo i foli.

  - S'mund të vish edhe ti me mua?

Ai ngurroi. Edhe pse donte aq shumë të qëndronte me të, vendimin e tij s'e ndryshonte.

  - Ndonjë ditë tjetër.

Pastaj u zhduk midis pyllit, pa ndier as më të vogën frikë.

U gëlltit lehtë pa lëvizur nga vendi. Vështronte vendin ku ai kishte ikur, me shpresën se mos ndoshta ndryshonte mendje dhe kthehej sërish. Por ai s'u kthye. E ajo përsëri s'lëvizi.

I ndaluariWhere stories live. Discover now