Një lajm të keq mori kur shkoi te agjencia e fotove që ndodhej në qytetin ngjitur. Shefi e kishte pushuar nga puna.
Kishte disa ditë që s'shkonte në punë dhe i kishte lënë pak pas dore fotografitë, por s'e mendonte se puna do të shkonte deri në atë pikë sa ai ta pushonte.
Në ato momente gjendej në zyrën e tij, duke biseduar me të ftohtë e duke dashur të rregullonte atë që kishte ndodhur.- Kisha disa arsye personale që s'erdha për të punur. Kërkoj ndjesë.
- Duhej të kishe marrë lejë Gabriela, do të ta jepja pa u menduar. E ke merituar.
- Atëherë ç'punë prish e gjitha kjo?
- Vendin tënd e ka zënë dikush tjetër.
- Kaq shpejt? - foli duke humbur durimin.
- Po, kaq shpejt. Kishim nevojë për ndihmën tënde. As telefonatave nuk iu përgjigje. E gjeta të domosdoshme të gjeja dikë tjetër.
- Nuk mund të më pushoni kaq lehtë, i kam falur çdo gjë kësaj pune.
Toni që po përdorte s'ishte më i qeti i mundshmi, por po bënte çmos të mos përfundonte në të bërtitura.
- Do të të lutesha të mos e vështirësoje kaq këtë gjë. E di që do të të marrin me patjetër në punë, ndoshta edhe në një vend më të mirë.
- Kam vite që punoj te ky vend, kam zënë miqësi me të gjithë. Për gjithë këto vite, kjo punë ka qenë si familja ime. Nuk mund të largohem kaq lehtë.
- Nëse e ke të vështirë të gjesh punë, atëherë do të të ndihmoj unë.
- Oh, s'jam aq e paaftë sa të kem nevojë për ndihmën tuaj, - ia ktheu pa u menduar gjatë.
Kurrë s'kishte folur në atë mënyrë me shefin e saj. Ai ishte njeri i mirë, i merrte punët shtruar, por ajo s'mund të fliste urtë e butë kur bëhej fjalë për një çështje të tillë serioze.
"Qetësohu Gabriela," - foli personi misterioz në të njëjtën kohë që foli dhe shefi.
- Nuk po them që je e paaftë. Mos u trego kaq e pasjellshme.
- Mjaft! - iu bërtiti të dyve njëkohësisht. Shefi e vështroi plot habi, ndërsa tjetri psherëtiu i inatosur.
Hapi derën e zyrës së tij dhe doli jashtë me nxitim. Nuk i përshëndeti punonjësit, s'donte të shikonte njeri.
U nis me makinën e saj për në shtëpi, rrugë që i zgjati plot dy orë të mira.
Doli nga makina me aparatin në dorë dhe hyri në pyll në inat e sipër. Donte të shkonte te shkëmbinjtë.Iu desh një orë e gjysmë për të gjetur vendin. Retë në ato momente kishin marrë një ngjyrë portokalli të errët, përzier me një rozë të veçantë, tipike e perëndimeve, ndërsa qielli ishte vetëm pak i vrenjtur.
Shtrëngoi aparatin në dorë.
U ul në njërin prej shkëmbinjve dhe psherëtiu e mërzitur.Filloi të frynte një erë e fortë. Nga mërzitja, flaku tutje aparatin fotografik, e hodhi në oqean duke bërtitur e inatosur dhe ai u zhduk në dallgët e furishme.
Kapi flokët bisht për të mos u bezdisur dhe thjesht vështroi dallgët e oqeanit. Nuk i dukej më aq i frikshëm. Madje filloi ta pëlqente, sa pati dëshirë të hidhej që nga shkëmbi. Edhe kjo ishte çmenduri, e dinte, por tashmë asgjë s'i interesonte.Mori frymë thellë dhe u ngrit duke vështruar diellin që po shuhej pak nga pak. Bëri një hap më përpara. E ishte ai momenti kur dëgjoi përsëri zërin e tij.
"Mos e bëj, të lutem," - ngjante tepër lutës e njëkohësisht urdhërues. "Mos u hidh."
- Do hidhem, - foli me të ulët, - nuk më intereson edhe nëse lëndohem.
"Më intereson mua."
Buzëqeshi lehtë e kënaqur kur kuptoi se ai e dëgjonte.
Bëri edhe një hap tjetër."Jo!" - por këtë herë s'iu bind zërit të tij. Pasi bëri edhe një hap, kërceu e u lëshua poshtë me vrull.
Uji i ftohtë i hyri gjer në palcë. Iu desh njëfarë kohe derisa të vinte në vete prej shtypjes që po i ushtronin uji dhe dallgët që po i përplaseshin pas vetes. Deshi të notonte kur një dallgë e madhe e përplasi mbas shkëmbit dhe koka iu trullos e gjitha. Në përpjekje për të marrë frymë, e pati të pamundur të mos e linte ujin t'i mbushte gojën.
-Dre...
Por fjalën s'arriti ta çonte deri në fund. Një tjetër dallgë e përfshiu të gjithën, duke e futur në brendësi të oqeanit.
"Noto Gabriela."
Nxorri kokën jashtë dhe deshi të mbushej thellë me frymë, por uji tashmë i hyri në hundë duke e djegur. S'po shihte qartë, e goditura mbas shkëmbit kishte qenë e fuqishme. Një ndjesi rëndese dhe dhimbjeje nuk e linin të notonte.
Oqeani ishte shumë i zemëruar. Dallgët e tij dukeshin sikur donin ta përpinin, ta zhduknin, të mos linin asnjë shenjë të saj.
Përpjekja e gjatë që bëri për të qëndruar sipër ujit rezultoi e pafrytshme. Një dhimbje e fortë i filloi në gjoks, që e detyroi t'i linte krahët të lirë dhe t'i dorëzohej oqeanit.
Mërmëriti disa fjalë pa kuptim para se uji ta merrte përsëri brenda. Nuk e dinte nëse ishte oqeani aq i errët apo sytë e saj po krijonin iluzione. Dinte vetëm se fyti dhe hunda vazhdonin t'i digjnin pa mëshirë.
- Gabriela! - ishte e sigurt se këtë zë nuk po e dëgjonte në mendjen e saj. Ishte i njëjti zë, zëri i tij. Ishte i vërtetë.
Ai ekzistonte.
YOU ARE READING
I ndaluari
WerewolfIu duk sikur për disa çaste nuk mund të merrte dot frymë. Ndjeu një ngushtim në zemër, një ndjenjë faji e pendese që s'e dinte se nga i buronin. Fjalët kishin vendosur të largoheshin e po i dukej vetja memece. Hapte e mbyllte gojën, por në fund përf...