14

1.1K 107 34
                                    

Donte shpjegime. Kishte nevojë të dinte se çfarë ishte gjithë ai lëmsh në të cilin ishte ngatërruar kokë e këmbë.
Kishte orë që qëndronte në dhomën e saj dhe çdo moment sillte ndër mend fjalët e të moshuarit dhe si gjithmonë edhe djalin misterioz.

Kur e kuptoi se nuk shtyheshin më orët vetëm duke menduar, mendoi të bënte një shëtitje në pyll. Edhe do qetësohej, edhe mund ta takonte atë.
Ishte akoma ditë, ndaj ndihej më e qetë, ndonëse me raste i futeshin të dridhurat kur shikonte errësirën që krijonin shtigjet e pemëve. Por më tepër se errësira, tashmë i interesonin njerëzit-ujqër. Si mund të besonte në diçka, ekzistencën e së cilës deri në atë ditë e kish mohuar?

Vendosi të përqëndrohej, mjaft kohë kishte kaluar humbur në mendime. Dëgjonte fëshfërimën e gjetheve, zhurmën e dallgëve të oqeanit që përplaseshin mbas shkëmbinjve dhe hapat që hidhte vetë. Mendoi se ndoshta do ishte më mirë sikur të shkonte te shkëmbinjtë. Në njëfarë mënyre në atë vend ndihej më e sigurt.
Kur shkoi atje, u habit që gjeti atë të ulur te shkëmbi, me shpinën kthyer asaj e me trupin përballë oqeanit.
Rrahjet e çrregulluara i filluan përsëri.

Bëri hapa të ngadaltë derisa i shkoi pranë dhe u ul duke vështruar oqeanin, njëjtë si ai.
Qetësia e tij s'i dukej shenjë e mirë, ishte mësuar me fjalët e ëmbla e të qeta dhe ndihej fajtore që ndoshta ajo mund të kishte ndikuar në humorin e tij.

- Të kërkoj ndjesë, - e nisi bisedën me zë të ulët prej fajtoreje dhe përsëri s'e ktheu kokën nga ai. - Mbrëmë isha e mërzitur. Nuk desha të të mërzisja edhe ty.

Ai nuk foli. Pauzën e qetësisë e shfrytëzoi për t'u mbushur me frymë.

- E di që ndoshta mund të dukem e çmendur, por mesa duket jam përtej kontrollit tim. Madje Emanuela thotë se te kjo gjë ka ndikuar në mënyrë psikologjike fakti që humba familjen para disa vitesh, - psherëtiu e mërzitur dhe mori disa gurë të vegjël që gjeti pranë, të cilët po i hidhte trishtimthi në oqean. - Por jam e sigurt se zëri yt në mendjen time s'kishte të bënte fare me atë gjë.
Ai më kontrollonte, por më pëlqente kontrolli që ushtronte, - buzëqeshi lehtë. - Dhe aq sa më pëlqente, aq edhe më çudiste, saqë për një moment mendova edhe vetë se mos ndoshta çdo gjë po kthehej në çmenduri. Çfarë po ndodh? Çfarë je ti?

Më në fund ktheu kokën drejt tij, por ai s'e bëri të njëjtën gjë për pak kohë. Mund të dallonte që nga ajo pikëpamje flokët e tij kafë të shkurtër, mjekrën e shkurtër që e bënte të dukej më burrëror, formën e përkyer të fytyrës dhe për një moment mbajti frymën, zemra i rrahu akoma më fort.

Ishte ai momenti kur ai ktheu kokën ngadalë dhe asaj iu duk se humbi në sytë e tij plot dhimbje. Kishin diçka sytë e tij, diçka tërheqëse, si magnet, që e shtynin të donte të mësonte më shumë rreth tij.

- Do dëshiroja të ma thoshe ti këtë gjë, - replikoi ai qetë, si ta dinte se ajo tashmë kishte kuptuar çdo gjë, si të kishte qenë gjatë gjithë kohës në ndjekje të saj.

- Ti je një... i tillë, apo jo?

Ai pohoi lehtë me kokë.

- Përse nuk më tregove që në fillim? Kjo të dukej kaq e komplikuar?

- Jo, jo vetëm kjo, - shkundi kokën ngadalë.

- Çfarë tjetër?

Vendosi dorën në shpatullën e tij për ta bërë të ndihej më mirë. Ia vlejti. Vuri re qetësi në sytë e tij.

- Edhe sikur të ta them, me shumë siguri nuk do më kuptosh siç duhet.

- Do përpiqem. Të premtoj, - i buzëqeshi lehtë.

I ndaluariWhere stories live. Discover now