- Mund të flasim pak bashkë? - e vështroi në sytë e ëmbël kafë e ai pohoi me kokë duke u ngritur.
Para se ajo t'i thoshte ndonjë gjë, ai e kapi nga dora për t'u larguar nga ajo turmë e të dy ecën pa folur.
Dolën jashtë, ndonëse shiu vazhdonte të binte akoma. I bëri me shenjë për të shkuar te makina e saj që të mos i zinte ndonjë e ftohtë, por ai mohoi me kokë.Vetëm në ato momente vuri re se ai në trup, sipër, në gjithë atë të ftohtë, mbante vetëm një bluzë me mëngë të shkurtra.
- S'ke ftohtë?
- Jo, - foli qetë e zëri iu mbyt në zhurmën që shiu krijonte; nuk arriti ta dëgjonte mirë se si tingëlloi.
Kroi fytin lehtë. S'duhej të shpërqëndrohej.
- Erdha të të takoja për të t'i kthyer lekët që pagove për mua. Nuk ndihem mirë kur i kam borxh dikujt.
U bë gati të nxirrte nga kuleta paratë, por ai e kapi lehtë në krah për ta ndaluar. Tashmë po e ndiente edhe temperaturën e lartë të dorës së tij. Edhe pse ftohtë, ai trup vlonte.
- Nuk i pagova që të m'i kthesh prapë. Mund t'i mbash.
- Jo, do të t'i jap me patjetër.
- Nuk është nevoja, - kundërshtoi ai sërish me një buzëqeshje të lehtë.
Gabriela shfryu. Ishte e kotë të ngulmonte, tjetri do vazhdonte në të tijën.
- Nëse na bie rasti të takohemi përsëri, dua të ta kthej nderin, në rregull?
Ai pohoi me kokë.
- Edhe një herë më fal për shqetësimin, tani më duhet të largohem. Mirupafshim.
Ajo bëri një hap për t'u larguar, por ai ia kapi dorën lehtë dhe e ktheu nga vetja.
- S'mund të qëndrosh edhe pak? - pyeti duke lëvizur butësisht gishtat e dorës në krahun e saj.
-Këtu në shi?
- Nëse s'e ke problem.
Shkundi shpatullat lehtshëm.
As vetë s'e dinte se ç'po e shtynte të qëndronte me një djalë që s'e njihte. Kishte diçka tek ai që e bënte t'i bindej pa qenë nevoja që ta detyronte.Po ecnin për te një stol pranë diskotekës, kohë gjatë së cilës i hodhi një vështrim kurioz. Vetëm në ato momente po e vërente se sa i gjatë ishte. Mund të ishte afërsisht një e tetëdhjetë e pesë ose ndoshta edhe më shumë. Dhe kontrasti që krijohej midis saj dhe atij ishte tepër i dukshëm. Ajo, që ishte afërsisht një metër e gjashtëdhjetë centimetra, përpara tij dukej si ndonjë milingonë.
U ulën në stol e ndeshën sytë me ata të njëri-tjetrit.- Më vjen keq po të kem bërë ndonjë gjë të papërshtatshme atë natë. S'e kontrolloja dot veten.
- Nuk interesohesh për atë që ka ndodhur?
Mohoi. Edhe vetë i dukej i çuditshëm fakti që nuk ishte shqetësuar pas asaj nate. Por tani që po qëndronte me të, kishte edhe një arsye më tepër që të mos shqetësohej. E ndiente që atij mund t'i besonte.
- Nuk e mbaj mendjen shumë në ato që ndodhin.
Fliste, por mendjen e mbante tjetërkund. Ai ishte më i bukur seç e kishte menduar. Iu përshtatej ëndërrimeve të saj për mashkullin ideal. Nuk ishte e fiksuar pas meshkujve me sy blu ose jeshilë. I pëlqenin jashtëmase sytë kafë. Ishte i ëmbël në fytyrë, nuk ishte i egër, nuk fliste ftohtë.
- Nuk do pyes se çfarë ndodhi. S'dua të turpërohem akoma më shumë para teje.
Ai i buzëqeshi. Pikat e shiut i rrëshqisnin në fytyrë me shpejtësi duke e bërë tmerrësisht tërheqës në sytë e saj. Me vështirësi e përmbajti veten të mos ia thoshte atë gjë.
Shtrëngoi xhaketën më shumë pranë trupit prej të ftohtit, por ishte e kotë. S'mund të ngrohej në atë lloj mënyre, të gjitha që kishte veshur i ishin lagur.
- Ke ftohtë?
- Pak.
Ai iu afrua ngadalë. E rrethoi me krahët e tij të fortë e ia mbështeti të gjithë trupin pas të tijit. Nuk e kuptonte arsyen e çuditshme se pse ai ishte aq i nxehtë. Ishte njësoj sikur trupi i tij të ishte në kontakt të vazhdueshëm me diellin plasaritës.
- Pse është kaq e nxehtë lëkura jote?
Pa e ditur, kishte bërë të njëjtën pyetje si ditën kur kishte qenë e dehur. Dhe ai edhe këtë herë nuk i ktheu përgjigje. U përpoq të hiqej sikur s'i kishte dëgjuar fjalët e saj dhe pasi ndenji edhe pak minuta me të duke e përqafuar, u ngrit papritur, si të ishte kujtuar për ndonjë gjë të rëndësishme.
- Më duket të iki. Mirupafshim.
Kaq tha, pastaj u larguar pa pritur për përshëndetjen e Gabit.
U zhduk shpejt në errësirën e natës, nuk hyri në diskotekë. U përpoq të dallonte hijen e tij nga larg, por asgjë nuk vuri re.
YOU ARE READING
I ndaluari
WerewolfIu duk sikur për disa çaste nuk mund të merrte dot frymë. Ndjeu një ngushtim në zemër, një ndjenjë faji e pendese që s'e dinte se nga i buronin. Fjalët kishin vendosur të largoheshin e po i dukej vetja memece. Hapte e mbyllte gojën, por në fund përf...